Shkaqet e vdekjes së shqiptarëve më së shumti vijnë nga problemet kardiake dhe goditjet në tru. Të përfshira në grup sëmundjet e “Aparatit të qarkullimit të gjakut’ ato zënë 54.5% të vdekjeve në vitin 2022.
Sipas të dhënave të INSTAT “Sëmundjet kronike të zemrës” janë shkaktar I 42,2 % të vdekjeve pasuar nga “Sëmundjet të enëve të trurit” me 22,5 % dhe “Sëmundjet ishemike të zemrës” me 22,3 % të fataliteteve. Pas zemrës dhe trurit, ekspertët thonë se vdekjet nga shkaqe të papërcaktuara, natyrale apo nga pleqëria zë 20.3% të totalit të vdekjeve në rang vendi. Ajo çfarë vihet re është se në grup-moshën mbi 70 vjeç 82,3 % e vdekjeve kanë shkak kryesor “Vdekje nga pleqëria”.
Tumoret edhe pse kanë shënuar rënie vijojnë të jenë ndër shkaktarët kryesor të fataliteteve në vendin tonë. 3232 persona përgjatë vitit 2022 humbën jetën si pasojë e tumoreve duke zënë kështu 13,5 % të vdekjeve gjithsej. Sipas INSTAT 97%e vdekjeve në vendin tonë janë si pasojë sëmundjeve, 2% nga aksidentet, 0,2% nga vrasjet dhe 0,8% vetëvrasjet.