Nga nesër rifillon mësimi në shkolla/ Mes pandemisë dhe motit të keq si do vijojë proçesi mësimor

56
Sigal

Institucionet arsimore në vend nuk do të jenë të heshtura duke nisur nga dita e hënë, 11 janari. Kjo pasi 480 mijë nxënës dhe 30 punonjës arsimorë, rinisin procesin mësimor.

“Është shumë mirë që të nisë shkolla, se atje mblidhen dhe edukohen fëmijët. Dy mbesat e mia e bëjnë online mësimin me celularë dhe kompjuterë. Nuk ka më mirë se mësimi në shkollë, por ja që jemi të detyruar. Nuk jemi vetëm ne, por e gjithë bota”, shprehen qytetarët.

Gjithë kjo armatë e sistemit parauniversitar do të procedojë sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, që ka hyrë në fuqi që në 1 dhjetor të 2020-tës. Që do të thotë, nxënësit nga klasa e parë në të pestën dhe klasa e 12-të, do të zhvillojnë mësimin vetëm në shkollë. Ndërsa nxënësit nga klasa e 6-të në të 11-ën do ta kryejnë të alternuar, online dhe fizikisht në shkollë.

Në prag të nisjes së mësimit, Ministria e Arsimit u ka bërë edhe njëherë thirrje nxënësve, prindërve dhe mësuesve, që t’i respektojnë rregullat e pandemisë.

Fillimi i procesit ditën e hënë, do të thotë rëndim i trafikut, veçanërisht në kryeqytet, duke patur parasysh edhe motin me shi, kështu që prindërit dhe nxënësit duhet të marrin masat, që gjithçka të zhvillohet mbarë dhe pa stres.

120 mijë studentë ndërkohë në të gjithë vendin e rifilluan mësimin në datën 5 janar dhe vetëm online. Si ata edhe sistemi parauniversitar me rregullat e veta, do ta kryejnë procesin sipas rregullave të Komitetit Teknik të Ekspertëve, deri në një vendimmarrje të dytë.