Përfundimi i votimeve të dielën, sipas operatorëve turistikë ka rritur në mënyrë të menjëhershme numrin e prenotimeve të shqiptarëve për pushime jashtë vendit.
“Duke filluar që ditën e hënë, numri i rezervimeve është shtuar”, thotë Ornela Zholaj, operatore turistike.
“Kanë filluar edhe udhëtimet që ditët e para pas zgjedhjeve, fluturimet kanë shkuar plot, autobusët plot, pra filloi situata normale menjëherë pas zgjedhjeve”, thotë operatori tjetër Besnik Vathi.
Në këtë sezon turistik, operatorët presin një rritje me rreth 30 % të rezervimeve.
“Pritet që muajt korrik dhe gusht të kenë një rritje të konsiderueshme edhe për të kompensuar ata që nuk mundën të bënin dot pushimet në muajin qershor”, thotë operatorja Ornela Zholaj.
Por një tjetër arsye është edhe rritja e ofertës nga vetë operatorët.
“Ka zgjerim të ofertës për të gjitha shtresat, për buxhete të ulëta dhe të larta. Ofrohen edhe hotele me dy yje “all inclusive”, ndryshe nga më parë kur këtë opsion e kanë pasur hotelet me 3, 4 apo 5 yje”, thotë Besnik Vathi.
Destinacioni më i pëlqyer mbetet Turqia, për shkak të raportit të mirë çmim-cilësi. Ndërsa në vendin e dytë renditet Greqia dhe ishujt e saj.