Nga Erl Kodra: Masa kritike!

260
Në inxhinierinë bërthamore, ‘masa kritike’ është sasia e nevojshme e materialit radioaktiv, i domosdoshëm për të ruajtur qëndrueshmërinë e reaksionit zinxhir bërthamor. Në të vërtetë, përmes këtij termi mund të intepretohet me saktësi edhe zhvillimi ekonomik, politik, social dhe kulturor i shoqërisë. Diktaturat në Europën Lindore ranë vetëm atëherë kur u arrit masa kritike e kundërshtarëve të regjimeve komuniste, duke ndryshuar balancat e shoqërisë. Edhe në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë – përndryshe regjimi terrorist nuk mund të binte – pa u mbushur Sheshi Skënderbej me qindra mijëra qytetarë shqiptar.
Megjithatë – ndoshta edhe për shkaqe kulturore – në vendin tonë zhvillimet socio-politike kanë ardhur me vonesë, ose më mirë të themi se shoqëria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të reagojë me të njëjtën gjatësi vale me shoqëritë e tjera europiane. Kjo mefshtësi mund të shpjegohet në disa plane, ku peshë të madhe ka zhvillimi ekonomik, struktura demografike e shoqërisë, arsimimi dhe kohezioni social.
Është interesante, sepse shoqëria shqiptare përmban të gjitha enzimat që gjenden në shoqëritë e zhvilluara, por ironikisht, ne nuk jemi zhvilluar me të njëjtin ritëm, njësoj si shoqëritë perëndimore. Me sa duket kjo ka lidhje me ‘masën kritike’ – përndryshe ‘masën e duhur kritike’ – në mënyrë që reaksioni zinxhir i zhvillimit të mos ndalojë. Kompleksiteti i gjendjes e ka mpakur nervin e reagimit, duke orientuar energjinë njerëzore drejt mbijetesës, por jo zhvillimit.
Qeveritë shqiptare të pas viteve 90-të kanë qenë pjellë e një shoqërie të traumatizuar për 50 vite me rradhë – ato kanë qeverisur nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm. Padyshim që pjesë thelbësore e politikës tonë ka qenë dhe mbetet çështja kombëtare shqiptare, ku Shqipëria ka rol të dorës së parë. Në këtë kuptim, Kosova ka qenë dhe mbetet kryefjala, që kondicionon të gjitha zhvillimet politike në Shqipëri. Roli i Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e çështjes shqiptare – në veçanti zgjidhjen e çështjes së Kosovës – ka qenë dhe është absolut. Prandaj SHBA-të kanë qenë dhe mbeten aleatët tanë të pazëvëndësueshëm.
Më kujtohet një histori e treguar nga një i afërm në vetë të parë, se diku aty nga vitet e 85-ta, një grup shokësh – intelektualë, nënpunës të administratës dhe prokurorë – po diskutonin rreth të majtës dhe të djathtës shqiptare. Prokurori shtron një pyetje të fortë në atë rreth interesant njerëzish, se mos ndoshta “i kemi hyrë në hak të djathtës shqiptare, duke e vra, burgosë dhe internuar”. Merreni me mend, kjo pyetje shtrohet nga prokurori – mbase ai e dinte më mirë se çdokush në atë tavolinë se çfarë tmerresh kanë vuajtur shqiptarët e djathtë nën regjimin komunist. Reagimi i miqëve të tij ishte çmeritues. Ata e sulmojnë egër prokurorin, duke i thënë se “ty të paska marrë koka erë” – dhe se – “nëse do të vazhdosh kështu me këto mendime për armiqtë e partisë, rrugët tona ndahen këtu”.
Shumë vonë – mbase pas 5-6 vitesh – ra regjimi terrorist. Miqtë e prokurorit – intelektualë dhe nënpunës të administratës u transformuan në demokratë, ndërsa prokurori ushtroi profesionin deri sa doli në pension. Duhet thënë – kam prova të pakundërshtueshme – se prokurori ka qenë dhe është një njeri plot integritet, që ka bërë maksimumin që të mos shkatërrojë jetë njerëzore – por t’i shpëtojë ato, dhe se ai gëzon respektin e plotë të shumë të dënuarve prej tij gjatë regjimit.
Përveç krimeve të tmerrshme, regjimi komunist rrënoi kohezionin e shoqërisë. Ai zhduku konceptet mes të majtës dhe të djathtës – përmes vrasjeve dhe terrorit. Balli Kombëtar – një organizatë politike e majtë u përndoq dhe u vra njësoj si të djathtët – sepse të dy palët ishin armiqtë e terroristit Enver Hoxha. Kështu, qytetarët shqiptarë nuk e kishin frikë ligjin, por Sigurimin e Shtetit, spiunët dhe komunistët. Sepse ata kishin fuqinë të përcaktonin armiqtë që do të vriteshin.
E bëra këtë parashtrim për të treguar se kohezioni i shoqërisë ka rëndësi. Madje – prishja e kohezionit shoqëror qëndron në themel të dështimit të një shoqërie. Partia Demokratike lindi si forcë antikomuniste – duke mbetur e tillë në thelbin e saj. Deri verën e sivjetshme ky kohezion është ruajtur përmes alternimit të pushtetit – pavarësisht se qeverisjet kanë qenë problematike. Tetë vitet e fundit – megjithse Edi Rama ka qeverisur bashkë me krimin e organizuar përmes krimit dhe korrupsionin masiv – përsëri ia doli të “fitojë” zgjedhjet, nën hundën dhe heshtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me siguri që SHBA-të e dinë mirë se çfarë ka ndodhur, sepse njohin Edi Ramën. Ata e dinë shumë mirë se shoqëria shqiptare ka probleme të thella, se ajo është e kriminalizuar dhe e korruptuar thellë.
Mund të duket e çuditshme, por ka ndodhur pikërisht ajo që nuk pritej – SHBA-të anashkaluan kriteret dhe parimet demokratike. Si rezultat i këtij qëndrimi – të çuditshëm dhe të njëanshëm – Partia Demokratike ka hyrë në një krizë të thellë, duke prishur kështu edhe kohezionin e brishtë të shoqërisë. Gjendja është e rëndë, më e rënda që po kalon Shqipëria që prej vitit 1990. Edi Rama gjendet i vetëm përballë një PD-je të shkatërruar dhe të përçarë më shumë se kurrë. Ora 18:00 e ditës së djeshme ishte mjaft domethënëse – Sali Berisha e shpallte Lulzim Bashën armik nga “Foltorja”, ndërsa Lulzim Basha mbante fjalën e tij në foltoren e Parlamentit të Shqipërisë – me Edi Ramën mbi shpinë.
Kohezioni shoqëror është tharmi që mban në këmbë një shoqëri demokratike, përndryshe, ajo vetëm mund të sundohet. Dhe një shoqëri e sunduar pjell dhunë e mjerim. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara e njohin mirë Shqipërinë dhe qytetarët e saj, ata e dinë mirë se kush është Edi Rama dhe kë përfaqëson ai. Prandaj është e pabesueshme – rrjedhimisht e pamundur – që SHBA-të të shkatërrojnë Partinë Demokratike dhe të mbajnë në këmbë një regjim.
Nëse kjo ndodhë – mirë se vini në diktaturë!
Shtetet e Bashkuara e dinë mirë se çka humbasin me këtë qëndrim. Demokracia nuk mund të ekzistojë pa dy gjysmat e shoqërisë, dhe Shqipëria nuk mund të jetë kjo që është pa Partinë Demokratike. Në këtë kuptim, para se arrijë “masa kritike”, SHBA-të duhet të ndërhyjnë vendosmërisht për të vendosur balancën e domosdoshme. Kohezioni shoqëror duhet të rivendoset urgjentisht.
Unë besoj se kjo është rruga e vetme. Ne shqiptarët nuk mund të humbasim Shtetet e Bashkuara – dhe ato nuk mund të na humbasin ne.
Sigal