Policia e Tiranës ka arrestuar 8 persona, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale, që nga dhuna në familje te përfshirja në aksident.
Burime zyrtare bënë me dije se mes të arrestuarve është dhe një rast për ngacmim seksual.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit:
– E. B., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe ka shkelur vendimin e Gjykatës, duke shkuar afër banesës së saj;
– O. B., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bulevardin “Zhan D’Ark”, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin F. D., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin D. Ç., 46 vjeç, banues në Pezë Helmës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
– G. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
– M. V., 32 vjeç, pasi duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga;
– A. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, si dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, për kryerjen e testit të alkoolit. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
– E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Xhanfize Keko”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin R. M., 28 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas verifikimeve të kryera në sistem ka rezultuar se shtetasi E. K. ishte person i shpallur në kërkim pasi ndaj tij ka dy urdhër arreste për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


















