‘Nga banesa e ‘falur’, te borxhet e fundit’/ Zbardhen detaje të reja nga vrasja e ish-deputetit Ujka

251
Sigal

Të tjera detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ish-deputetit Pashko Ujka.

Kristjan Kelmendi, i cili është ndaluar nga policia si autor i dyshuar i vrasjes mendohet se kohët e fundit ka pasur një konflikt me viktimën për një borxh.

Sipas burimeve policore Pashko Ujka i ka shitur para pak vitesh një shtëpi ku ka jetuar përpara. Ajo banesë në kohë kur jetonin familjarët e ish-deputetit është përfshirë nga një zjarr dhe aty ka humbur jetën një prej familjarëve dhe në këtë mënyrë ish-deputeti ka vendosur që ta shesë. Blerësi është Kristjan Kelmendi, i cili ka pasur për ti dhënë një shumë prej 30 mijë eurosh ish-deputetit për ky i fundit në atë kohë i ka thënë nuk i dua ato para duke qenë se aty ka humbur jetën një familjar.

Pas kësaj historie, kohët e fundit viktima për shkak të problemeve ku dyshohet se është futur me borxhe të pashlyera ka telefonuar 20-vjeçarin i cili ndodhej në Itali duke i kërkuar që ti japë shumën prej 30 mijë eurosh. 20-vjeçari ka kundërshtuar duke thënë se ai është një bisedë e mbyllur mes tyre, por sipas dyshimeve ish-deputeti i ka thënë se nëse nuk i kthen paratë në pak kohë do ti nxjerrë familjen jashtë nga shtëpia që i kishte shitur.

Palët kanë debatuar mes tyre dhe më pas 20-vjeçari Kelmendi dyshohet se ka ardhur nga Italia dhe ka ruajtur ish-deputetin duke e qëlluar mbrëmjen e 29 nëntorit afër banesës së tij në një lulishte pranë zonës së këmbimit valutor.

Personi tjetër i arrestuar, Marjan Kola 33 vjeç i cili u kap duke ikur në doganën e Morinës drejt Kosovës dyshohet se është bashkëpunëtor i 20-vjeçarit në vrasjen e ish-deputetit dhe ish-kryetarit të komunës Velipojë, Pashko Ujka i cili u qëllua me një plumb në pjesën e sipërme në shtyllën kurrizore që i mori jetën. Kristjan Kelmendi dyshohet se ka shenja baruti në duar dhe pritet një konfirmim i fundit nga policia shkencore. Dy të ndaluarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre në polici duke thënë se nuk kanë lidhje me këtë vrasje. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të ndodhur në Shkodër.