Nga arratisja spektakolare në Romë te dasma në Vlorë nën ‘mbrojtjen’ e policisë, njihuni me bëmat e Tesi Bashos

1856
Sigal

Tesi Basho, 38 vjeç është personi i arrestuar nga ana e Policisë së Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, për disa vepra penale të rënda mes tyre dhe ajo e vrasjes.

Basho është arratisur disa vite më parë nga burgu në Romë në vitin 2016, ku ishte dënuar për vrasjen e dy shtetaseve italiane, dhe pavarësisht kësaj ai shëtiste i lirë në Vlorë, së bashku me anëtarë të tjerë të bandës së Selenicës. Shtetaset italiane dyshohet se shfrytëzoheshin nga vlonjati për qëllime prostitucioni.

Ai u arratis bashkë me Ilir Peren dhe Mikel Hasanbelli. Ky i fundit u arrestua në nëntor 2017 nga policia e Milanos.

“Natën e 27 tetorit 2016, tre të dënuarit, pasi kaluan hekurat e dritares së qelisë së tyre dhe përshkruan një intenerar ‘të mundimshëm’ brenda burgut, arritën murin rrethues dhe, duke u zvarritur me çarçafë të lidhur bashkë, arritën të braktisnin strukturën, duke zbritur nga një dritare e institucionit ku vuanin dënimet.

Nga dinamika e arratisjes, hetimet zbuluan se të tre kishin planifikuar me detaje arratisjen dhe si do të vepronin pas ikjes nga burgu, duke marrë ndihmë nga persona jashtë. Sisa prej bashkëpunëtorëve i pritën në afërsi të burgut me makinë, duke u mundësuar largimin me shpejtësi”, raportuan mediat italiane lidhur me arratisjen e bujshme, ndërsa dyshohet se hyrja e tij në Shqipëri u krye me staf.

Ai ka qenë protagonist në disa ngjarje të tjera të ndodhura në Vlorë, ndërsa dyshohet se mbeti i plagosur gjatë një përplasje me armë të ndodhur në fillim të këtij viti, 14 Janar, në Lungomare, por pavarësisht kësaj arriti që ti largohej sërish policisë.

“Pershendetje i nderuar Doktor Berisha. Jam nje oficer krimesh ne komisariatin e Vlores dhe dua tiu informoj ju dhe gjithashtu te bej publike fakte nga ngjarja qe ndodhi para dy ditesh ne Vlore pikerisht me date 14 janar ne oret e pasdites ku u plagosen me arme dy persona dhe vetem njeri nga kta te dy pikerisht Mikel Mehmetaj u be publik kurse personi i dyte i identifikuar nga policia e shtetit me ane te kqyrjes se kamerave te siguris se nje ambienti ne afersi te vendit ku ndodhi ngjarja rezulton se ky person ishte i shume kerkuari nga shteti Italian, nga Interpoli dhe gjithashtu nga organet tona ligjzbatuese Tesiljan (Tesi) Basho i cili eshte nje person me rezikshmeri shume te larte. Me urdher nuk u lejua te behej publike”, shkruhej në një denoncim të ish-kryeministrit Berisha.

Kanë qenë denoncime të shumta të qytetarëve ato që tregonin se ai vijonte të jetonte i lirë në Vlorë, madje kishte organizuar dhe dasmë nën mbrojtjen e policisë së Vlorës.

”Doktor. Lidhur me mesazhin tuaj te djeshem desha te shtoj se Tesi Basho qe u martua dhe beri dasem nden mbrojtjen e policise eshte aratisur nga burgu ne Itali. I denuar me burgim te perjetshem per vrasjen e dy italianeve. Shetit i lir neper Vlore.

Ne Selenice bashke me Robi Llanaj ka ngritur perandorin e krimit te gjith Vlores. Policia ne Selenic eshte e terorizuar nga banda. Qe ka kontroll ne te gjithe zonen. Askush sflet. Grabitjet pasojne njera tjetren. Drejtoria e policis se Vlores ka dijeni per kete situat. Por askush nuk vepron. Terron diten dhe naten ne gjithe Selenices”, thuhej në një tjetër mesazh në adresën e doktorit.

Për çfarë akuzohet “Banda e Selenicës” dhe që përbëhet nga anëtarë të fisit Llanaj.

Zanafilla e këtyre konflikteve të përgjakshme daton më shumë se 20 vite më parë, në vitin 1998, kur anëtarë të familjeve Llanaj dhe Petraj u përfshinë në një konflikt për motive të dobëta, e ku mbeti i vrarë kunati i Baftjar Llanajt, e pak më vonë u plagos edhe një anëtar i fisit Petraj.

Pesë vite më vonë, në vitin 2003, vritet një nga vëllezërit e fisit Petraj. Hakmarrjet e nisura do të vijonin në qershor të vitit 2011, kur në vendin e quajtur “Bishti i Malit” ekzekutohet me armë automatike 62-vjeçari Baftjar Llanaj.

Për këtë ngjarje u arrestuan Ardian Azizi dhe Fatmir Petraj. Pas kësaj ngjarjeje, fisi i Llanajve filloi të forcohej duke krijuar bandën e tyre, e filluan të lëviznin me mjete të blinduara dhe të shoqëruar nga persona të armatosur.

Kalvari i hakmarrjeve do të shënonte ngjarjen e radhës të përgjakshme, atë të 7 prillit në lagjen “Çole” të Vlorës, ku u ekzekutuan 3 të rinj brenda një lokali. Për këtë krim u dënua me 35 vite burg Aleksandër Llanaj.

Më 1 tetor të vitit 2017 do të shënohej ngjarja e radhës kriminale, që kishte në shënjestër anëtarë të fisit Llanaj. Në rrugën transballkanike të qytetit bregdetar i bëhet atentat Ferdinand Llanajt, i cili udhëtonte me një mikun e tij. Madje, plumbat nuk kursyen në këtë ngjarje edhe një fëmijë që ndodhej në automjetin e Ferdinandit. Fatmirësisht kjo ngjarje shënoi vetëm të plagosur.

Si për të konfirmuar që hakmarrjet e nisura dy dekada më parë ndaj fisit Llanaj, jo vetëm që nuk janë shuar, por kërkojnë të marrin jetë të tjera, shërbeu atentati ndaj mikut të Llanajve, Mikel Mehmeti, mbrëmjen e 14 janarit të këtij viti, ku Mehmeti mbeti i plagosur rëndë.