Nesër “Dita pa makina”, ja rrugët ku nuk lejohet lëvizja

586
Bashkia e Tiranës njofton qytetarët se nesër, përgjatë gjithë ditës, do të organizojë “Ditën pa Makina” dhe për këtë arsye do të ketë kufizim të lëvizjes së automjeteve në kufijtë e Unazës së Vogël, në sheshin “Skënderbej” dhe në pjesën e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te ura e madhe, pranë Hotel Dajtit. Qarkullimi do të shmanget në rrugët “Degë Gjon Luli”, “Ibrahim Rrugova”, Ura e Taivanit, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ura te Rruga e Elbasanit, rruga “George Bush” para Parlamentit dhe Rruga e Barrikadave. Shërbimi i transportit urban do të vijojë normalisht, duke devijuar vetëm stacionet përgjatë zonës me trafik të kufizuar në rrugët dytësore.
Bashkia e Tiranës fton qytetarët të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara në “Ditën pa makina”, ku do të kenë mundësi të ndjekin panairin e produkteve bio dhe atë të turizmit të aventurës, transmetimin e dokumentarit “Një turist në Tiranë” në kinemanë verore te Parku Rinia, projektimin e fotove të kalave në rrethina, si dhe monumenteve të natyrës, stendën e profesionistëve që punojnë me materiale të riciklueshme ose panairin e organizatave mjedisore.
Gjithashtu nuk do të mungojnë aktivitete për të rinjtë, si kalërim me kuaj poni, festivali i balonave, fusha të lëvizshme mini basketboll, fusha të lëvizshme tenisi, fusha të lëvizshme mini futbolli, koncert me performues të “Tirana Art Fest”, koncert nga Qendra për fëmijë “Bujar Alliu”, koncert Bras Band Uart, koncert Jazz i grupit All Band, Latin Beat dhe kërcim sportiv, si dhe grupi i piktorëve të vegjël që do të hedhin në telajo sheshin “Skënderbej”.
Sigal