Nëpunësit e Bashkisë Sarandë mbeten rrugëve

505
Sigal

Skandal/  Mosmiratimi i buxhetit nga Këshilli Bashkiak, lë administratën pa rroga. Shkak lufta politike e rilindësve të rinj

Ka dy ditë që bashkia e Sarandës ka mbyllur dyert për qytetarët dhe nuk kryen shërbimet ndaj tyre. Shkak është largimi nga puna përkohësisht i gati 50% të administratës së bashkisë. Historiku i debateve dhe sherreve në këtë qytet ka kohë që ka nisur, madje, përpara vendosjes së listave të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Vlorës dhe në veçanti në figurat që do mbulonin Sarandën dhe Delvinën. Sherret e shumta mes deputetëve të rinj që mbërritën nga qielli gri, e ranë papritur në detin blu të Jon-it u ashpërsuan edhe më tepër në periudhën e pas marrjes së pushtetit nga qeveria e Rilindësve bregdetarë. Sherret dhe debatet do të pranoheshin nëse ato ishin në të mirë të qytetarëve dhe të vetë qytetit që i votojë ata. Por me sa duket, dardha e ka bishtin prapa dhe se “padrinot” e bregdetit po kërkojnë ta kthejnë atë në çiflig të tyre, duke harruar që Saranda, Delvina, Ksamili dhe  komunat përreth, janë të qytetarëve, që ashtu sikurse i graduan ashtu edhe do zhgradojnë shumë shpejtë, po vazhduan me këtë marrëzi që e kanë nisur. Por le t’i kthehemi fakteve, pasojat e së cilave janë hedhja në rrugë e dhjetua punonjësve, lënia pa rroga dhe pa bukë e qindra familjarëve dhe mungesa e shërbimeve nga qeveria e “shërbesave”. Para pak muajsh, disa këshilltarë të nxitur sa nga deputetët e PS-së aq edhe nga ortakët e tyre të LSI-së, bënë që të dështojë mbledhja e Këshillit Bashkiak. Këta këshilltarë të urdhëruar nga “shefat” e rinj, nuk denjuan të mblidhen, duke harruar se menderet në atë karrige i kanë nga qytetarët e Sarandës dhe jo nga agallarët e Tiranës. Justifikimet kanë qenë nga më të ndryshmet, por ajo që është e vërtetë e padiskutueshme, ka të bëjë me faktin se si këta këshilltarë janë joshur me premtimin se, duke mos shkuar në mbledhjet e Këshillit Bashkiak do të emërohen në poste të rëndësishme të drejtorive të  pushtetit qendror në Sarandë dhe rrethinat e saj. Është e pafalshme, -thotë një këshilltar që nuk pranon të bëjë publik emrin që, për inat të drejtuesve të Bashkisë së Sarandës, të mbahet peng qyteti dhe qytetarët. “Si puna ime janë njoftuar edhe këshilltarë të tjerë, duke u thënë se, më mirë të bëhet kaos që ta kemi më të lehtë të sulmojmë drejtuesit e bashkisë aktuale. Madje, janë bërë lista dhe janë thirrur edhe personat që do punësohen në disa drejtori që varen nga ministritë. Kjo është fatkeqësi dhe një turp për rata që para zgjedhjeve na shtireshin si dashamirës dhe se u qante xhani për hallet e qytetarëve. Di që një ministri dhe një deputeti nga Tirana i është bllokuar dhënia e portit të peshkimit, të cilin donin ta merrnin me koncesion. Madje, njëri prej tyre kishte sjellë me vete një biznesmen, i cili ka kërkuar të ndërtojë një mol për skafet në mes të plazhit të qytetit, por që ka ndeshur në pengesën e Bashkisë Sarandë”,-pohon ndër të tjera ai. Ne kërkuam të kontaktonim me drejtuesit e Bashkisë Sarandë, por me sa duket edhe këta të fundit zbatojnë kodin e heshtjes dhe nuk pranuan për etikë të hapnin dhe telefonin. U takon qytetarëve të ndërmarrin veprime, të cilat do i thonë ndalë njëherë e mirë të babëziturve që duan të rrjepin çdo pëllëmbë toke në qytetin e Sarandës. Kryeministri është i vetmi personalitet që mund të ndërhyjë dhe t’i japë zgjidhje katrahurës, në të cilën e kanë futur Qarkun e Vlorës dhe në veçanti Sarandën, deputetë dhe ministra interesaxhinj dhe të papërgjegjshëm.