Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve

Përgatiti: Engjëll Musai

Në vend se të mallkosh errësirën ndiz të paktën vetëm një qiri! Është ky apostulati i Shënjtores me origjinë shqiptare Nënë Tereza. Një thënie shumë e bukur dhe e veçantë! Për më tepër e thënë nga “Nënë Tereza”. Pra, nuk duhet mallkuar asgjë sepse çdo gjë që është krijuar nga “Perëndia” është krijuar për të mirën e njerëzimit, dhe njerëzit duhet të përdorin logjikën në vend të mallkimit ! Dhe e thëna ka vlerë kur bëhet realitet ! E kush do ta bënte më mirë këtë realitet se sa Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, nën drejtimin e një intelektuali brilant sikurse është Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli. Pikërisht dje UMSH dhe Qëndra e Parandalimit të Krimit të të Miturve dhe të Rinjve, pjesë e Ministrisë së Drejtësisë , kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. I pyetur për këtë marrëveshje Akademik Angjeli deklaroi për Telegraf.al se: “Një i arsimuar më shumë do të thotë një i dënuar më pak, ose një qytetar me më shumë dinjitet, për qytetarinë tonë. Ndaj jam i bindur se një shkollë më shumë do të thotë një burg më pak. Vetëm shkolla mund të na qytetëroi ne si shoqëri , duke na sjellë më afër  Perëndimin dhe SHBA-të, për t’iu afruar dijes dhe larguar krimit”, përfundon Akademik Angjeli.

Sigal

Ja njoftimi zyrtar:

Më 9 shtator, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, institucion varësie, përgjegjës për zbatimin e drejtësisë rehabilituese për të mitur, në Ministrinë e Drejtësisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes u përshëndet nga Presidenti i Universitetit Mesdhetar Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili theksoi rëndësinë që ka për Universitetin Mesdhetar zhvillimi i cilësisë në ofrimin e shërbimeve që lidhen me drejtësinë për të mitur. Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Adrian Civici dhe Drejtoresha e Qendrës, Znj. Klaudia Hasanllari, pasi nënshkruan marrëveshjen, u shprehën besimplotë se kjo marrëveshje do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin e deri më tanishëm mes këtyre institucioneve si dhe do të prodhojë metodologji të reja dhe inovative në trajnimin dhe specializimin e profesionistëve të drejtësisë për të mitur.

Përmes kësaj marrëveshje të dy palët angazhohen të zhvillojnë kapacitetet e tyre njerëzore, akademike, hulumtuese dhe sociale në fushën e drejtësisë për të mitur, të krijojnë një vizion afatgjatë në këtë fushë si dhe të përditësojnë kurrikulat akademike me arkitekturën ligjore dhe institucionale në fuqi. Palët angazhohen në përditësimin e kualifikimeve, praktikave dhe punësimit, zhvillimit të projekteve të përbashkëta dhe leksioneve të hapura në zhvillim të kapaciteteve akademike dhe institucionale.