Në vend të Lulit

599
Nga Cretan Archer 
Sigal

Duke qenë se Basha ka zgjedhur mënyrën e drejtpërdrejtë të përgjigjes së papirusëve të Ramës, për hir të diskursit publik, po shkruaj një përgjigje hipotetike…

Zoti Kryeministër,

I mora letrat e tua të shkruara veshgjatësisht. Duke qenë se ti, në vend të sms-ve personale, vendose të shkruaje fletë-rrufe, vetëm që t’u thuash ndërkombëtarëve që po ofron kompromis, por edhe që të trimërohesh kur ti lexon Fuga me zë, po të përgjigjem me një letër të vetme.

Që në krye të herës po të them se problemin nuk e kemi me ty. Ti s’je askushi. Në fakt ti je thjeshtë një barbon. Problemi qëndron tek ata që ke pas; tek ata që të sollën në pushtet; të mbajtën në pushtet; nuk të lënë të ikësh; dhe të përdorin si buratin.

Duke qenë se ti nuk je problemi, por simptoma e problemit, dije se as unë nuk jam zgjidhja, por thjeshtë fytyra e zgjidhjes. Sepse ashtu si ti, edhe unë kam njerëz që më komandojnë. Mua më komandojnë qindra e mijëra shqiptarë; nga ata që dalin e ata që nuk dalin në protestë.

Ndërsa ty, fatkeqësisht, të komandon një strukturë politike, ekonomike dhe kriminale që rrënjët i ka tek ish-nomenklatura komuniste dhe shërbimi i tij sekret. Ti je thjeshte një kukull në duart e tyre që të lëvizin si të duan.

Me një fishkëllimë të tyre ti ikën, e me një britmë ti qëndron pa marrë parasysh koston për vendin.

Në këtë rrethanë, ti nuk përbën sfidë as për mua, as për shqiptarët. Ty të kisha paketuar kollaj që në dhjetor 2014. Jetëgjatësia jote në politikë nuk vjen prej aftësisë tënde personale; por prej një Kushtetute të ligë, e prej vullnetit tim të palëkundur që të mos marr pushtet me dhunë.

Sepse nuk zgjidh gjë me të. Sfida ime dhe e shqiptareve është me ata që qëndrojnë pas teje. Jo me kontingjentin kriminal që ti përdor, e që të përdorin. Edhe ata i kam kollaj.

Pas gjashtë muajsh në pushtet, do të të kem sistemuar edhe ty, edhe Tahirin, edhe Sejdinë, edhe Gjushin, edhe Shullazin, edhe ata të Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Dibrës, e kështu me radhë.

E kemi bërë një herë në 2005, dhe nuk është e vështirë të behët prapë. Por kjo është vetëm gjysmë zgjidhje. Ikën ti dhe vjen Lali, e kjo nuk zgjidh gjë. Zgjidhje e lënë përgjysmë ishte edhe ajo e 2005, sepse u morëm me ushtarët dhe jo gjeneralët.

E, gjeneralët janë në ish-Bllok, dhe përreth tij.

Partia Socialiste është gjenetikisht e kriminalizuar. Që në ’44. Baballarët tuaj erdhën në pushtet dhe gjeja e parë që bënë ishte eliminimi i kundërshtarëve. Vranë, burgosën e internuan me mijëra. U morën pasurinë, dhe gjithçka kishin.

Ata nuk ishin komunistë. Ata ishin banditë. Ideologjinë komuniste e përdorën për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Pas prishjes me Kinën, në mungesë të burimit të të ardhurave ju kthyen krimit të organizuar ndërkombëtar.

Trafikut të drogës dhe kontrabandës së cigareve. Me rënien e regjimit, ata individë në shërbimet sekrete, ushtri, tregti me jashtë të cilët bënin kontrabandë për llogari të shtetit, vazhduan përsëri, por këtë radhë për llogari të vetë.

Te jemi të qartë: krimi i organizuar nuk njeh ideologji. Ai zhvillohet ku gjen terren. Jo se nuk ka patur elementë që në kohë të ndryshme i janë bashkangjitur Partisë Demokratike, por kanë qene raste sportadike, sepse nuk kanë gjetur terren.

Më komod kanë qene në qeverinë socialiste të 1998-2005. Por edhe atëherë ka qenë më kaotike.

Ishe ti ai që e institucionalizove! Sepse vetëm ti mund ta bëje. Nuk është rastësi që aty nuk janë më as Fatos Nano, e as Ilir Meta. Ata kanë patur pjesën e vetë të mëkatit; por ata nuk ishin të duhurit.

I duhuri je TI! Sepse tek ti mishërohen dhe bashkohen ato tre pushtete që të thashë më lart: pushteti politik, ekonomik, dhe kriminal i ish-nomeklaturës komuniste dhe sigurimit të shtetit. Jo se ti je i majtë. Ti nuk je as i majtë e as i djathtë. Ti nuk ke ideologji.

As nuk u duhesh të kesh ideologji. U duhesh kështu siç je. Sepse nëpërmjet teje kanë kapur ekonominë. Po kapin sistemin e drejtësisë. Institucionet e pavarura, duke përfshirë së fundmi Akademinë e Shkencave.

Kështu pra Edi,

Unë nuk e kam me ty, por me Ata! As unë nuk jam problemi yt, por ata që kanë dalë në shesh! Unë thjeshtë kam vendosur tu dal për zot. i lashë në baltë një herë. Nuk ka më herë të dytë. Kështu që mos u lodh më, të më dërgosh letra mua, se nuk t’i lexoj. As ata të cilëve u prij.

Sa më shpejtë ta kuptosh këtë aq më mirë do të jetë për ty. Sa për ata që ti i quan ‘turmë që shtriqën si çamçakizë në bulevard’, lutem që të mos u mbushet mendja të mësyjnë Surrelin! Kaq po të them!

Që të kthjellohesh tamam, hidhi një sy me qetësinë më të madhe të sondazheve të tua, dhe aty e ke përgjigjen se sa i madh është grupi që më komandon mua, dhe sa i vogël është ai i yti.