Në kërkim për falsifikim të dokumenteve për leje ndërtimi, dy në pranga nga policia e Tiranës

26
Sigal

Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Si rezultat i kontrolleve, u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas për të cilët Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për falsifikim dokumentesh.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë intensifikuar kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërive dhe për kapjen e shtetasve në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Si rezultat i kontrolleve, janë kapur dhe ndaluar shtetasit A. P., 33 vjeç dhe K. B., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për këta dy shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se ata kanë ngarkuar të dhëna të rreme për vendndodhjen e objekteve, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, nga të cilat disa shtetas janë pajisur me leje rindërtimi, në kundërshtim me ligjin.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur edhe sekuestro preventive mbi objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Operacioni “Sundimi i ligjit” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.