Në kërkim ndërkombëtar për drogë, ekstradohen nga Franca dhe Italia dy trafikantët shqiptarë (Emrat)

190
Sigal

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, ka ekstraduar drejt Shqipërisë dy persona të arrestuar në Francë e Itali, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar

Njoftimi i Interpol Tirana:

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Paris, Francë, u bë i mundur arrestimi në Francë dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Tom Kaçi, 51 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shtetasi Tom Kaçi, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në muajin tetor të vitit 2013, në fshatin Bulshar, komuna Orosh, Mirditë, ka kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa dhe i ka transportuar ato në drejtim të Rubikut.

Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romë/Itali, u bë i mundur arrestimi në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar A. Q., 25 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 15.01.2019, ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shtetasi A. Q., në bashkëpunim me shtetasin I. K., dyshohet se ka trafikuar një sasi lënde narkotike drejt Malit të Zi.