Në kamionin me krom drejt Italisë, policia jep detaje: 45.5 kilogram heroinë e sekuestruar në Portin e Durrësit, kush janë dy të arrestuarit

175
Sigal

Policia e Durrësit ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me lëndën narkotike të kapur mbrëmjen e djeshme në portin e qytetit bregdetar.

Në total është sekuestruar një sasi prej 45.5 kilogram heroinë ndërkohë që janë vendosur në pranga dy persona.

Gjatë kontrollit të një kamioni tip “Scania” që drejtohej nga 36-vjeçari Olgert Duda, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda së cilës kishte heroinë.

Kamioni në pronësi të Arian Çermës, 45-vjeç banues në Durrës, ishte i ngarkuar me krom dhe kishte destinacion Italinë, aty ku do të shkonte dhe lënda narkotike.

Në përfundim të operacionit, policia ka arrestuar drejtuesin dhe pronarin e kamionit teksa po punon për identifikimin dhe goditjen e këtij rrjeti kriminal.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Portëz”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Operacioni nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit.
Sekuestrohet 45 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroine. Vihen në pranga 2 shtetas (pronari i mjetit dhe drejtuesi i mjetit).

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve intensive dhe informacioneve të marra në rrugë operative nga strukturat hetimore për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Italisë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Portëz”, i zhvilluar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit.

Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Olgert Duda, 36 vjeç, banues në Fier dhe Arian Çerma, 45 vjeç, banues në Durrës.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje.

Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim.