Në Janar 2015, “tender”  për  drejtuesit  e rinj, gati shkarkimi i shumicës së tyre 

489
Sigal

Asnjë prej drejtuesve të emëruar që ushtrojnë funksionin e tyre, nuk do t i shpëtojë “tenderit” të  hapur  për përzgjedhjen e re

Ndarja  e pushteteve dhe posteve drejtuese  në rrethe, pakënaqësitë e militantëve, anëtarësisë, kryesisë  së degëve, deputetëve dhe opozitës, kanë detyruar kryesinë qendrore të PS të vendosë rregulla të  reja dhe të  përmbysë gjithçka  lidhur me emërimet e deritanishme. Asnjë prej drejtuesve të emëruar  dhe përzgjedhur që ushtrojnë funksionin e tyre, nuk do t i shpëtojë “tenderit” të  hapur  për përzgjedhjen e re, asnjë  prej  atyre  që ka pasur  nga baza kontestime, akuza  dhe që i  janë  vërtetuar  shkelje ligjore dhe abuzime nuk do të falet. Fakti është se deri tani në rrethet kryesore, PS ka marrë faktikisht  rreth 15 për qind më pak poste  se LSI, por duke parë afrimin edhe të PDIU dhe FRD, ndoshta ky raport do të thellohet. Në Elbasan, Durrës e  Korçë, PS  e këtyre rretheve kanë kontestimet e tyre lidhur me emërimet e bëra pas muajit maj 2014, por edhe me praktikat e punësimit të militantëve të tyre.  Mbi  2116 kërkesa në këto rrethe  nga persona të larguar nga puna gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD, presin  dhe u luten çdo ditë drejtuesve dhe deputetëve  për  tu  sistemuar. Ngadalësia me të cilën po punohet  për  punësimin  (jo  vetëm të militantëve socialistë) i ka bërë njerëzit  pesimistë dhe të votuarit  rebelë.  Rrethet  e mëdha  po mbyten nga papunësia, ndërkohë që qeveritarët lokalë  nuk premtojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Elbasani  ka aktualisht mbi 17 mijë të papunë, të cilët pas falimentimit të dhjetëra bizneseve, as që kanë shansin  të gjejnë një vend pune. Ndërkohë, Zyra e Punësimit,  veç ditëve të para të dyndjes  me shpresën se do të gjenin  oferta  nga firmat apo subjektet për zanate, atje  tashmë  gjithçka ka mbetur  në heshtje. Askush nuk troket  as  për  të marrë  informacion  në sportele. Po ashtu edhe Durrësi, ka pësuar rritje të papunësisë. Mbi 9.500 persona ishin të  regjistruar  në shtator 2014 si të papunë, ndërkohë që Zyra e Punësimit, pothuajse,  çdo  javë afishon  njoftime  për “prurje të reja” nga kompani ndërtuese, prodhuese  etj.. Por duke u kthyer te problemi  drejtuesve, mësuam se nga fundi  dhjetorit 2014, pritet edhe shkarkimi nga detyra  i  shumicës  së  drejtuesve. Tenderi  do të jetë i hapur,  por edhe ekskluzivitet  i deputetëve të zonave. Ndër kriteret kryesore që duhet të plotësojnë  drejtuesit e rinj,  mbeten  arsimimi, pastërtia figurës, aftësia  profesionale, ndërkohë që, emërimet e bëra  janë bërë në kundërshtim  me ligjin, kriteret  dhe dëshirat e deputetëve të zonave zgjedhore. Drejtuesve  të  rinj  u duhet  të bëjnë “mik” tashmë deputetët  për  të ruajtur  vendin e punës, ose për  të gjetur  një vend  tjetër  pas largimit. Fakti është se drejtuesit e rinj në pothuajse të gjitha rrethet janë njerëzit më të përfolur, madje ata kanë nisur të akuzohen nga  qytetarët, por  edhe militantët e partive si njerëz  të korruptuar , të lidhur me fije të padukshme, shkelës  të ligjeve, barazisë me tenderat, etj.. Mungesa  e dakortësisë me deputetët, apo edhe devijimi  i tyre  nga paktet e bëra me “shefat”  duket  se kanë nxitur  iniciativën  dhe kanë  vendosur  ribërjen e tenderave dhe gjetjen  e emrave të rinj për t’i zëvendësuar  brenda  janarit  2015. Realisht  është konstatuar  se posti i konsumoi  shpejt  pushtetarët e rinj, kur mëson nga statistikat se brenda  vitit të parë qeverisës  janë larguar, qarkulluar  e shkarkuar  nga detyra mbi 115 persona, duke nisur nga drejtues  ndërmarrjesh, apo institucionesh në rrethe, e deri drejtorë drejtorish, pasi u janë zbuluar nga opozita lidhje të dyshimta  apo  e kaluara  e inkriminuar e tyre. Por  fakti  është se në të gjitha rastet, nuk është  kërkuar kurrë “falje”  apo  nuk  ka pasur  ndëshkim  për  autorizuesit e tyre. Përkundrazi  të larguarit kanë gjetur “strehë”  në skutat e errëta  të ndonjë  drejtorie  tjetër. Roli  i deputetëve  si  tenderues  dhe seleksionues  për  drejtuesit  e rinj, mbetet  ndoshta  shansi  i fundit  për  të  ndihmuar dhe rindërtuar imazhin  e keq  që partitë e koalicionit qeverisës  krijuan tek militantët e bazës dhe qytetarët e thjeshtë.

Artur  AJAZI