Në Elbasan “desantohet” nga 1 “spiun” informaliteti për çdo 50 punonjës

564
E ndërsa korrupsioni ka rritje alarmante pothuajse në të gjithë sektorët dhe institucionet e shtetit, duket se edhe projektligji që pret miratimin, nuk pritet të ketë sukses. Sipas tij, në çdo ndërmarrje me mbi 50 punonjës, pra në çdo 50 punonjës, duhen vendosur patjetër spiunë vullnetarë, të cilët do të sinjalizojnë organet kompetente për aferat dhe lidhjet korruptive. Spiuni i shtetit, në çdo ndërmarrje publike apo private që ka mbi 50 punonjës, do të hetojë dhe raportojë aferat korruptive. Përmes projektligjit “Për mbrojtjen e sinjalizuesit”, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që pritet t’i kalojë për miratim qeverisë, përcaktohen procedurat e informimit, denoncimit e më pas hetimit të aferave korruptive brenda ndërmarrjeve. Këta persona, projektligji i quan “sinjalizues” dhe që në zhargonin e përditshëm, do të quhen “spiunë”, ose si përpara viteve 1990 që quheshin Anëtarë të Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar (AGBV). Këta spiunë anti korrupsion e anti-informalitet, do të vendosen brenda ndërmarrjeve dhe do të mbikëqyrin procesin, duke përgjuar se çfarë ndodh nëpër ndërmarrje e firma private. Paralelisht me “spiunin” e përzgjedhur e të “desantuar” nga shteti, çdo ndërmarrje do të ketë një njësi përgjegjëse për shqyrtimin e çështjeve anti-korrupsion, e cila do të jetë e ndarë nga departamentet e tjera. Dhe pasi shqyrtohet informacioni, ato i kalojnë për hetim ILDKP-së dhe prokurorisë. Specialistët e fushës, shtrojnë pikëpyetjet rreth këtij projekt-ligji dhe modelit të zbatimit të kësaj procedure. Sipas tyre, shtrohet kjo pyetje: Po kur informacioni i spiunëve është i pavlefshëm dhe merret në konsideratë, çfarë do të bëhet? E para, raportimi duhet të bëhet me shkrim, pasi sipas projektligjit, spiuni konsiderohet se ka vepruar bazuar në ligj kur ka fakte dhe në qoftë se ka fakte të mjaftueshme për të provuar korrupsionin, dhe kur ka më shumë se një burim informacioni atëherë, ai është i besueshëm. 
Çfarë po ndodh në Elbasan?
Në Elbasan, pothuajse në të gjitha ndërmarrjet e shtetit, qysh tani ka nisur përzgjedhja e anti-spiunëve, pra i atyre që do të mbikëqyrin spiunët e shtetit. Dhe kjo ka nisur të bëhet nga drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve, për të pasur gjithçka nën kontroll si deri sot. Pothuajse në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet, ka nisur përzgjedhja e anti-spiunëve, njerëzve të besueshëm të drejtuesve, të cilët do të kenë për detyrë, zbulimin dhe mbajtjen nën kontroll të spiunit të shtetit, të atij që do të sinjalizojë organet kompetente për aferat e pista. Ende pa u miratuar projektligji, drejtuesit e institucioneve po kalojnë në sitë imtësisht njerëzit që kanë rreth vetes, dhe po hetojnë edhe ata që kanë punësuar muajt e fundit. Fakti është se organet e drejtësisë në 2 vitet e fundit kanë hapur dhe kanë nisur hetimet në mbi 218 raste për akuzat dhe denoncimet e mbërritura për korrupsion nga drejtuesit dhe sekserët e tyre në Elbasan. Diskutimi dhe së fundi miratimi projektligjit, duket se do të ndillte mjaft spiunë (apo sinjalizues vullnetarë) të cilët do të dhjetëfishonin akuzat dhe denoncimet ndaj eprorëve dhe zëvendësve të tyre, për afera të pista që llogariten në miliona lekë. Do të dhjetëfishohen akuzat dhe denoncimet për tenderët e paligjshëm, nepotizmin, dhe lidhjet korruptive, të cilat do të vinin para ligjit dhe do të hetonin dhjetëra zyrtarë që ende vegjetojnë dhe mbahen në postet e tyre. 
Çfarë parashikon projektligji?
Ky projektligj ka të mirat dhe të këqijat e veta. Konkretisht ai parashikon se, “nëse për shkak të natyrës, karakteristikave dhe ose rëndësisë, veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit është dukshëm një vepër korrupsioni, apo nëse veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit e vazhdueshëm e duke ndodhur ose ka mundësi të ndodhë në të ardhmen. Spiuni apo sinjalizuesi konsiderohet se ka vepruar në mirëbesim, por parasysh merren dhe rastet e pavlefshmërisë, kur raportimi bëhet me qëllime dashakeqe”. Gjithashtu “kur spiuni në mënyrë të arsyeshme dhe të ndershme beson se informacioni i dhënë dhe çdo akuzë që përmban është në thelb i vërtetë edhe nëse më vonë rezulton se ka gabuar në lidhje me vërtetësinë ose që rasti i dyshuar i korrupsionit nuk është formalizuar dhe nëse nuk e bën raportimin për qëllim përfitimi personal apo në mënyrë abuzive, keqdashëse, të pabazuar ose shpifje, barra e provës për të provuar keqbesimin bie mbi autoritetin publik apo subjektin privat ku ka ndodhur veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit”-thotë projektligji. Brenda çdo ndërmarrje me 50 apo më shumë punonjës duhet të caktohet një njësi përgjegjëse që të regjistrojë, hetojë dhe shqyrtojë raportimet e sinjalizuesve. Kjo njësi duhet të jetë e veçantë dhe detyra për hetim dhe ndjekje penale i takon fillimisht kësaj njësie përgjegjëse. Spiuni që ka bërë raportimin, informohet nga njësia përgjegjëse brenda 30 ditëve për masat e marra për rastin e denoncuar. Kur vepra penale e denoncuar si korrupsion përbën shkelje administrative, çështja e raportohet pranë ILDKP-së por edhe Prokurorisë, kurse në rastet kur çështja e raportuar nuk përbën asnjë prej këtyre shkeljeve, ajo pushohet, dhe veprimtaria e spiunit rishikohet.
Sigal