Në Çepan të Skraparit, aty ku historia e njerëzve jetohet mes maleve

2825
Sigal

REPORTAZH/ Një udhëtim turistik mes kanioneve dhe monumenteve që kanë sfiduar kohën

Nëse nis udhëtimin në rrugën automobilistike Çorovodë – Çepan, duhet patjetër të kesh me vete një bllok shënimesh, sepse i gjithë informacioni kulturor, gjeografik dhe historik që do të marrësh nuk mund të shënohet në kujtesën tënde. Në një distancë prej gati 13 kilometër të ndjekin kanionet e mrekullueshme, të cilat vizitohen nga një numër i madh turistësh vendas e të huajë. Kanione të tilla mund t’i ndeshësh vetëm në Koloradon e largët të Amerikës. Ndërsa në fshatrat e Komunës Çepan gjenden dhjetëra monumente historike dhe natyrore. Kështu në Prishtë dhe në Qeshibes gjenden rrënojat e dukshme të kalave ilire që datojnë që nga shekulli IV dhe II para Krishtit. Në një shkëmb të Zabërzanit ndodhen elementët e një kishë Ortodokse, në fshatin Kokos, gjendet mekami i kakosit i rindërtuar nga familja Meta. Në Prishtë është një teqe dhe në afërsi të Blëzënckës sheh gjurmët e Abaz Aliut, e ndërsa në buzë të rrugës kryesore të del Vrima e Nuses dhe bëhesh i njohur me një legjendë të veçantë. Janë të panumërta historitë e kësaj zone. Janë të panumërta shtëpitë dy katëshe të ndërtuara me gurë, me tavan të zbukuruar, me porta me qemer dhe me puse me ujë të pijshëm. Krahina e Çepanit në shumë pika i ngjanë lagjes “Mangalem” të Beratit. Në Çepan të duket sikur mali puthet me retë. Mund ta marrësh me shumë dëshirë të përpjetën e zonës së Çepanit qoftë edhe vetëm për t’u njohur me këto mbresa që në pamundësi për të shkuar deri atje mund t’i marrësh edhe nga librat. Por sado të kesh mësuar në libra e të kesh marr informacion në biseda të ndryshme asnjëherë nuk mund të kesh mbresat e tua e të mbushesh me emocione sesa kur i shkel vetë me këmbë këto vise. Kryetari i Komunës Çepan, Besnik Osmëni ndihet krenarë për arritjet dhe historinë e 13 fshatrave të komunës Çepan me një popullsi prej 2 mijë banorësh. “Kjo zonë ka një histori të veçantë, por dhe një histori të mikpritjes, të punës, sepse edhe në këto male ka jetë dhe banorë me zemër shumë bujare”, -thotë ai. Kryetari i kësaj komune shqetësohet shumë edhe për mungesën e tregut të shitjes të prodhimeve që janë nga më cilësoret në vend. “Po të gjendet një treg i qëndrueshëm i rrushit dhe i nënprodukteve të tij, mirëqenia e këtyre fshatrave do të rritje jashtëzakonisht shumë. Kjo zonë merret me kultivimin e vreshtarisë, të frutikulturës, të bagëtive dhe të nën produkteve të qumështit. Por prodhimi mbetet stogje për arsye se nuk ka treg. Hapësira e gjerë që të shfaqet kur udhëton në malet e Çepanit bënë që banorët të ndihen të veçantë dhe kanë një krenari të madhe dhe e gjitha kjo të bën të mendosh se në këto male ka jetë dhe ajo është shumë e bukur.