Në ajër të falimentuar , në tokë e detë të zaptuar

Air Albania falimenton, 35 milionë euro nga buxheti i shtetit do shkojnë për borxhet e Sinan Idrizit i cili bashkë me “Turkish Airlines”,  do t’ia rikthejnë detyrimin qeverisë shqiptare për një periudhë deri në 50 vite. Kjo shumë eshtë e barabartë më shpërblimin e vitit të ri të pensionistëve. E sikur të mos  mjaftonte kjo rilindja u jep “investitorëve strategjikë” plazhet për 35 vite me 33 lekë metri. Ky vendim i qeverisë legalizon përfundimisht përdorimin privat të plazheve në bregdet, liqene dhe lumenj me tarifa simbolike…

Air Albania falimenton, 35 milionë nga buxheti i shtetit do shkojnë për borxhet e Sinan Idrizit

Ministria e Financave nëpërmjet buxhetit të shtetit të marrë përsipër shlyerjen e 35 milionë eurove borxhe që ka kompania “Air Albania”. Ndërsa Sinan Idrizi dhe përfaqësuesit e “Turkish Airlines”, sipas kësaj marrëveshjeje, do ta rikthejnë detyrimin ndaj qeverisë shqiptare për një periudhë deri në 50 vite

Sigal

Qeveria po përdor buxhetin e shtetit edhe për të mbuluar pasojat e marrëveshjeve që janë bërë nëpërmjet kompanisë kombëtare “Air Albania”, me sekserin e tij Sinan Idrizi dhe kompaninë turke “Turkish Airlines”. Në informacionin e ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda Ministrisë së Financave thuhet se, 10 ditë më parë, me urdhër verbal të Edi Ramës është bërë një marrëveshje e fshehtë ndërmjetësimi mes Ministrisë së Financave, kompanisë së falimentuar “Air Albania” dhe disa kompanive ndaj të cilave “Air Albania” ka detyrime.Kjo marrëveshje nga ana e Ministrisë së Financave ka si objekt marrjen përsipër nga qeveria të shlyerjes së një pjese të konsiderueshme të borxheve që kompania e transportit ajror ka ndaj kompanive kontraktuese për avionët me qira, tarifat e shërbimeve në aeroporte, furnizimet me karburant dhe shërbimet catering. Sipas informacionit, kompania “Air Albania”, gjatë 8 viteve të aktivitetit të transportit ajror në 14 destinacione, ka krijuar rreth 100 milionë euro detyrime ndaj kontraktorëve të huaj, të cilët prej një viti i janë drejtuar gjykatave ndërkombëtare. Për të evituar procese gjyqësore me risk financiar dhe për të lehtësuar detyrimet, sipas burimeve, ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama duke angazhuar qeverinë për të shlyer 35 milionë euro borxhe që kompania ka ndaj kontraktorëve. Në këtë mënyrë qeveria ka marrë përsipër një pjesë të borxhit, megjithëse nuk ka detyrim ligjor për detyrimet e kompanisë “Air Albania”, pasi pjesëmarrja e shtetit në këtë kompani është vetëm 10% e aksioneve.Megjithatë kryeministri i ka kërkuar Ministrisë së Financave që nëpërmjet buxhetit të shtetit të marrë përsipër shlyerjen e 35 milionë eurove borxhe që ka kompania “Air Albania”. Sipas marrëveshjes, kjo shumë do të kalojë në administrim të kompanisë “Air Albania”, me kushtin që të shlyejë detyrimet ndaj kompanive kontraktore. Ndërsa Sinan Idrizi dhe përfaqësuesit e “Turkish Airlines”, sipas kësaj marrëveshjeje, do ta rikthejnë detyrimin ndaj qeverisë shqiptare për një periudhë deri në 50 vite. Megjithatë ky mekanizëm konsiderohet problematik nga pikëpamja financiare, pasi kompania “Air Albania”, në emër të së cilës merret përsipër shlyerja e borxhit, ka ndërprerë aktivitetin dhe është në proces likuidimi.Shtatë muaj më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë i bllokoi aktivitetin kompanisë “Air Albania” për shkelje të kontratave. Aeroportet ndërkombëtare ndërprenë shërbimet, kompanitë kontraktore bllokuan avionët që kishin dhënë me qira dhe iu drejtuan gjykatave, ndërsa kompania catering ndërpreu furnizimin. Në muajin nëntor 2025, kompania ortake “Turkish Airlines”, e përfaqësuar në “Air Albania” nëpërmjet filialit të saj TÜRK HAVA YOLLARI ANONİM ORTAKLIĞ, njoftoi se ka nxjerrë në shitje 49% të aksioneve. Ndërkohë kompania tjetër ortake “MDN Investment” e Sinan Idrizit, që zotëron 41% të aksioneve, gjithashtu ka ndërprerë aktivitetin e transportit ajror në këtë kompani. Marrja përsipër e shlyerjes së 35 milionë eurove borxhe nga qeveria mund të lidhet edhe me vendimin e qeverisë Nr. 15, datë 15 janar 2026, me të cilin u ndryshua struktura e aksionerëve të kompanisë dhe pjesëmarrja e shtetit në këtë projekt.

 Rilindja u jep “investitorëve strategjikë” plazhet për 35 vite me 33 lekë metri

Vendimi i qeverisë legalizon përdorimin privat të plazheve në bregdet, liqene dhe lumenj me tarifa simbolike…

Përveç dhënies së tokave në bregdet, përjashtimit nga taksat lokale e qendrore dhe ndërtimit me fonde shteti të rrugëve, rrjeteve të furnizimit me ujë dhe energji elektrike të dedikuar për çdo resort dhe hotel, qeveria u ka dhënë edhe plazhet publike, pothuajse falas, me qira 33 lekë për m² në vit.

Me mendësinë sikur është pronar i Shqipërisë, qeveria më 11 mars 2026 ka miratuar një vendim tjetër qeverie në favor të klientëve, familjarëve dhe personave që i ka pajisur me leje si “Investitorë Strategjikë” në pasuri shtetërore.

Përveç dhënies së tokave në bregdet, përjashtimit nga taksat lokale e qendrore dhe ndërtimit me fonde shteti të rrugëve, rrjeteve të furnizimit me ujë dhe energji elektrike të dedikuar për çdo resort dhe hotel, qeveria u ka dhënë edhe plazhet publike, pothuajse falas, me qira 33 lekë për m² në vit.

Por disa nga të shpallurit “Investitorë Strategjikë”, megjithëse kanë zaptuar plazhet publike dhe nuk i kanë pjesë kontraktuale të resorteve dhe hoteleve, kanë kërkuar t’i marrin ato me dokumente zyrtare, ndërsa ata që po ndërtojnë kërkojnë sipërfaqe plazhesh.

Krahas kërkesave të tyre, të gjithë të ashtuquajturit “Investitorë Strategjikë” në bregdet kishin të njëjtin problem: nuk kishin dokument për afatin e përdorimit të sipërfaqeve të plazheve.Këto kërkesa ua ka plotësuar kryeministri Edi Rama nëpërmjet Vendimit nr. 153, datë 11 mars 2026, me objekt miratimin e modelit tip të marrëveshjes që lidhet ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorit për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi.

Sipas këtij vendimi, në rastet kur në vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike nuk është përcaktuar afati kohor për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi, ky afat do të jetë 35 vite përdorim privat me çmim qiraje 33 lekë për m² në vit.

Vendimi i qeverisë ka hyrë në fuqi më 13 mars 2026, duke u dhënë të drejtën të ashtuquajturve “Investitorë Strategjikë” që, pasi kanë zaptuar plazhet, tani të pajisen edhe me dokumente për shfrytëzimin e tyre për 35 vite.

Përveç plazheve në vijën bregdetare, kryeministri Edi Rama ka përfshirë në vendim edhe plazhet në brigjet e liqeneve dhe lumenjve ku privatët kanë ndërtuar ose do të ndërtojnë bujtina, hotele dhe kampingje, edhe këto me afat shfrytëzimi privat për 35 vite.

Para një muaji, kryeministri Edi Rama dhe më pas Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, , deklaruan se duke filluar nga sezoni veror 2026 do të shtohen sipërfaqet e plazheve publike duke u hequr nga përdorimi privat.

Ndërsa tre ditë më parë u miratua vendimi që plazhet në bregdet, liqene dhe buzë lumenjve t’u jepen privatëve pothuajse falas sipas pamfleti. Faktikisht  flitet se  këtë vendim e ka udhëruar  Rama, ndërsa formalisht në dokumente thuhet se është propozuar nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjoja pas kërkesave të investitorëve dhe dëgjesave me qytetarët.