Ndryshon rregullorja për praktikat e mësuesve të sapodalë nga auditorët/ Nga 1 vit, stazhi bëhet 3 muaj, arsimtarët e rinj: Duam pagesë!

157
Sigal

Një mësuesi të ri i duhen tre muaj provë që të bindë shkollën për lidhjen e kontratës e po aq kohë për të bindur se është i aftë të japë mësim pasi ka dalë nga auditorët e universitetit.

Nga një vit shkollor, pra, 9 muaj, periudha e praktikës së detyrueshme profesionale, duke nisur nga ky vit do të jetë vetëm tre muaj. Ishte ministrja e Arsimit, Evis Kushi, që njoftoi udhëzimin që kishte firmosur përpara gati një muaji dhe që u bë publik vetëm një ditë më parë.

Kujtojmë që ndryshimet e fundit për rekrutimin e mësuesve të rinj, ku parashikohet një periudhë prove prej tre muajsh për të lidhur kontratën u pritën me pakënaqësi nga radhët e arsimtarëve, të cilët e gjykojnë të tepërt edhe një filtër të ri për të zënë një vend pune.

Që aty lindën kërkesat për t’u paguar për stazhin e detyrueshëm profesional 1-vjeçar, por MAS duket se e ka parë të arsyeshme ta ulë si periudhë kohe sesa t’i paguajë.

Praktika e detyrueshme profesionale për mësuesit nuk do të jetë më nëntë muaj, por vetëm një periudhë mësimore, pra, një nga tre semestrat e shkollës.

“Kohëzgjatja e praktikës profesionale që kryhet nga praktikanti është një periudhë mësimore”, citohet në udhëzimin e ndryshuar me urdhrin nr. 437, datë 20.07.2022. Për ministren Kushi, ky është një lajm i mirë, pasi shkurton periudhën e punësimit të mësuesve.

“Shkurtimi i kësaj periudhe vjen si unifikim i kohëzgjatjes së praktikës edhe me profesionet e tjera të rregulluara, si ai i mjekut, i infermierit dhe i psikologut, të cilët gjithashtu e kanë kohëzgjatjen e praktikës 3 muaj.

Kjo mundëson pjesëmarrje më të shpejtë të mësuesve në portal e më pas edhe për punësim”, shkruan ministrja, duke shtuar se në fokus të vëmendjes sonë janë pa dyshim nxënësit, për arsim cilësor e gjithëpërfshirës, por gjithashtu edhe mbështetja dhe vlerësimi i mësuesve në misionin e tyre për edukimin e brezave.

Ndërsa neni mbi kohëzgjatjen është riformuluar ndryshe, duke detyruar të ripërsërisë stazhin atë që ka munguar më shumë se 30% të orëve mësimore, të shtyjë me një muaj atë që ka munguar 20-30% të orëve mësimore. Maksimumi i orëve që mund të mungojë kandidati për mësues është 205 i totalit.

“Praktikanti që ka munguar më pak se 20% të orëve mësimore të kohës së përcaktuar për realizimin e praktikës, i nënshtrohet vlerësimit”, sipas udhëzimit.

Deri në një muaj pas përfundimit të periudhë së praktikës, drejtoria e shkollës ku praktikanti ka kryer stazhin duhet të bëjë vlerësimin e tyre.

Ai që merr në të paktën një kompetencë (nga tetë të tilla) vlerësimin “Dobët” ka të njëjtin përfundim në vlerësimin final. Në këtë rast, praktikantit i jepet edhe një shans për përmirësim duke ia shtyrë me një muaj praktikën. Një gjë e tillë mund të vijojë deri në tri herë.