Ndryshon ligji i pronave, si do bëhet kompensimi i ish-pronarëve

292

Zgjidhje përfundimtare, zbardhet formula e re e procedurave për trajtimin e dosjeve për pronarët

Sigal

Qeveria ka bërë ndryshime në ligjin e pronave duke vendosur kthimin e pronave pa kufizim të gjithë ish-pronarëve që i janë konfiskuar nga shteti si dhe shpërblimin financiar në rast se prona është zënë me ndërtime informale apo nëse përdoret për interes publik.

Konkretisht, referuar ndryshimeve në vendimin e vitit 2016 “për trajtimin e kërkesave për njohje të së drejtës së kompensimit të pronave”, thuhet se “kur ATP-ja konstaton mangësi në dokumentacionin shoqërues të kërkesës, njofton kërkuesin me postë të porositur që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, të plotësojë pasaktësitë.

Ndërkohë “ATP-ja, pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave të paraqitura për njohje të së drejtës së kompensimit, merr vendim për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

Në rast pranimi, ATP-ja me të njëjtin vendim, sipas rastit, përcakton: sipërfaqen që kompensohet fizikisht, brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar, kur pronat e paluajtshme janë të lira dhe vlerësimin financiar të së drejtës së kompensimit të njohur, që nuk mund të kompensohet Po ashtu saktësohet se “vendimi i ATP-së për njohjen e së drejtës për kompensim fizik përcakton pronën në kufij, sipërfaqe dhe në pozicion gjeografik të saktë dhe regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Në rastet kur evidentohen mbivendosje të pronave të pretenduara për njohje dhe kompensim, ATP-ja vijon procedurat për njohjen dhe kompensimin e pronës për pjesën që nuk ka mbivendosje. Palët mund të zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri-tjetrin ose në rrugë gjyqësore.

Procedura

Qeveria përcakton procedurën që ndiqet për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare për kompensimin e pronës.

Sipas vendimit të miratuar së fundmi, ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme: a) Llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. Llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave; Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit;

Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar.

Vendimi përcakton se ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur vetëm të drejtën për kompensim: a) vlerëson financiarisht vendimet kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit; b) Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral aktual; Zëri kadastral i kohës së shpronësimit të pronës përcaktohet duke u bazuar në dokumentacionin ligjor të administruar në dosje ose, në mungesë të këtij të fundit, përdoret harta e kohës së shpronësimit dhe, në mungesë të saj, harta që është më e afërt me kohën e shpronësimit.

Në rastet kur është objektivisht e pamundur për përcaktimin e zërit kadastral, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal, të përcaktuar në hartën e vlerës për atë zonë kadastrale .

Tre format e kompensimit 

Kush ka një vendim për njohje dhe kompensim prone, subjekti disponon një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, paraqet kërkesën, ndërsa format e kompensimit janë; Kompensimi fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar;

Kompensimi fizik nga fondi i tokës, Kompensimi financiar.

Vendimet përfundimtare, që janë vlerësuar me vlerë financiare deri 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë, mund të kompensohen financiarisht në masën 100 (njëqind) % të vlerës së tyre financiare, nëse kërkuesi ka paraqitur kërkesën për t’u kompensuar nëpërmjet kësaj forme. Kur kërkuesi heq dorë, kompensimi bëhet sipas rregullave të reja. Në rastet kur ish pronari nuk përfiton kompensim fizik dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20% të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.