Ndryshim buxheti, rishpërndahen 90 milionë euro

509
Sigal

Treguesit kryesorë të buxhetit si niveli i të ardhurave, ai i shpenzimeve dhe defiçiti buxhetor, nuk ndryshojnë.

Por qeveria argumenton se akti normativ është i domosdoshëm për shpërblimet e fundvitit dhe rishpërndarjen e investimeve. Por cilat janë ndryshimet kryesore? 

Buxheti paguan 4 miliardë lekë ose rreth 30 milionë euro për të shpëblyer me 6 mijë lekë çdo pensionist, si dhe me 2 mijë lekë çdo person me aftësi të kufizuar, apo familje në ndihmë ekonomike. 

Shpërblimet nuk financohen me borxh, por sipas qeverisë, paratë sigurohen nga kursimet në fondin e pagave dhe disa zëra të tjerë të shpenzimeve. 

Ndryshimi i dytë më i rëndësishëm ka të bëjë me shlyerjen e 3.6 miliardë lekëve borxhe të prapambetura ndaj privatëve në sektorin e ujësjellësit dhe atë të infrastrukturës rrugore. 

Kjo është rishpërndarje fondesh, pasi këto para merren nga investimet, të cilat kanë patur një ecuri të ngadaltë realizimi. 

Veç shlyerjes së borxheve të prapambetura, qeveria i jep 3.3 miliardë lekë ose 25 milionë euro shtesë pushtetit vendor përmes fondit të zhvillimit të rajoneve. Edhe ky ndryshim është rishpëndarje fondesh. 

Paratë, të cilat do të financojnë ndërtimin e rrugëve rurale apo shkollave të reja, janë siguruar nga kursimet në transfertën e energjisë, si dhe nga ndihma ekonomike. 

Drejtoria e Emergjencave Civile përfiton ndërkohë një shtesë prej 450 milionë lekësh për shlyerjen e dëmshpërblimeve nga fatkeqësitë dhe përmbytjet, të akumuluara gjatë periudhës 2013-2016, ndërsa 142 milionë lekë të tjera shkojnë për detyrimet e mirëmbjatjes së rrugëve.