Ndotja, lumi Osum infekton të gjithë pushuesit

1335
Sigal

Shtohet numri i personave që janë prekur nga sëmundjet e lëkurës. Mjekët: “Bëni kujdes, rreziku është i lartë!”
Ndotja e madhe që është në ujërat e lumit Osum ka infektuar edhe pushuesit që kanë zgjedhur shtratin e tij për të bërë pushimet e verës. Lajmi konfirmohet për “Telegraf”, nga mjekët, të cilët duke hasur në numrin e lartë të personave të prekur nga sëmundjet e lëkurës kanë dhënë alarmin, për mosfrekuentim të tij. Pasi siç dihet në Osum hidhen të gjitha mbetjet spitalore, ujërat e zeza, plehrat dhe inertet e ndryshme. Ndotja tej normave të lejuara është vërtetuar edhe nga analizat e kryera.
Gjendja
Një numër i madh personash të prekur nga infeksionet e lëkurës, janë drejtuar tek mjeku specialist për të marrë ndihmën mjekësore. Numrin më të madh të të prekurve nga sëmundja e lëkurës e zënë fëmijët, por dhe të moshuarit. Burime nga Poliklinika Qendrore në Berat, bëjnë të ditur se, këto dy muajt e verës ka një numër të lartë të personave të prekur nga sëmundjet e lëkurës. Një pjesë e tyre janë nxënës shkolle, të cilët pas përfundimit të sistemit mësimor i janë drejtuar lumit Osum për t’u freskuar, por ujërat e tij janë teje të ndotura nga ujërat e zeza të qytetit, të cilat derdhen në shtratin e këtij lumi. Madje dhe mbetjet kimike të punishteve të ndryshme që kryejnë aktivitet në këtë qytet shkarkohen po aty. Mjekët specialistë shprehen se, ka dhe nga ata persona që kanë kryer pushimet në plazh, të cilët janë mbushur me plagë në lëkurë. Ata kanë ardhur me infeksion. Kjo tregon se infeksioni nuk është vetëm në shtratin e lumit Osum, por edhe në shumë plazhe të vendit, të cilat janë të ndotur. Të sëmurët që janë prekur nga këto infeksione u janë shfaqur disa plagë në formë puçrrash të mbushura më qelb. Sipas mjekëve specialistë mësohet se, po kryen me shpejtësi analizat në laborator për të përcaktuar dhe shkallën e infeksionit, por dhe prejardhjen e tij. Të prekurit kanë marrë mjekimet, por më pas do t’i nënshtrohen edhe analizave. Mjekët e Poliklinikës Qendrore shprehen: “Krahasuar me një vit më parë ka një rritje të konsiderueshëm të numrit të personave të prekur nga sëmundjet e lëkurës”. Mjekët i kërkojnë prindërve që të mos lejojnë fëmijët e tyre të lahen në ujërat e lumit Osum, pasi shkalla e ndotjes është shumë e madhe. Sefedin Lala 47 vjeç, banor në lagjen “30- Vjetori”, është shprehur për gazetën “Telegraf”, se: “Ne jemi në punë dhe nuk i kontrollojmë dot fëmijët, të cilët shkojnë për t’u freskuar në shtratin e lumit Osum, të tërhequr edhe nga shokët e tyre. Unë jam i vetëdijshëm që ujërat e lumit janë të ndotura, por tani është koha e plazhit dhe djali im meqenëse është edhe me pushime nga shkolla shkon atje për t’u freskuar, duke qenë se ne si familje nuk do të shkojmë me pushime këtë vit, për shkak të vështirësive financiare”,- tha Lala.