Ndihma ekonomike, shtohen 18 mijë aplikues

698
Zbulohen rastet e abuzimit. Me 4 makina apo me pagë 1.5 milionë lekë përfitohej nga pagesa për familjet e varfra. Si funksionon skema e re
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se pas inspektimit të nisur për verifikimin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, janë lënë jashtë saj të gjithë abuzuesit. Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, deklaroi dje se ka fakte nga rastet e abuzimit, ndër të cilat ka sjellë shembullin e një familje, ku me 4 makina apo me një pagë prej 1.5 milionë lekë përfitonin edhe ndihmë ekonomike. Kështu, ajo ka thënë se pas përmbylljes së fazës së inspektimit janë lënë jashtë raste të tilla abuzive. Sakaq, Kospiri ka nënvizuar se aktualisht ka përfunduar faza e parë e vlerësimit të aplikuesve në skemën e ndihmës ekonomike, që po shtrihet në të gjitha qarqet e vendit, ndërsa ka theksuar se skema e re garanton që këto pagesa të shkojnë tek familjet më në nevojë. “Për herë të parë kanë pasur mundësi aplikimi 18 mijë aplikues, të cilët deri dje përjashtoheshin për shkak të kritereve përjashtuese të skemës së vjetër: Nëse ndryshoje vendbanim, nuk e merrje ndihmën ekonomike, sot ky kriter është hequr dhe këto familje po përfshihen në skemën e re. Sistemi i ri është transparent. Kjo skemë funksionon përmes regjistrit elektronik, i cili duke qenë i lidhur me të gjitha sistemet online, të tatimeve, zyrës së punësimit, te hipotekave, drejtorisë së transportit, sigurimet shoqërore, etj eliminon abuzuesit, të cilët deri dje përfitonin pa të drejtë pagesën e ndihmës ekonomike dhe numri rritej artificialisht, duke bërë që fondi të copëtohej në shuma të papërfillshme për familjet që janë vërtet në nevojë”, ka sqaruar Kospiri.

Sistemi automatik
Zv/ministrja Kospiri ka shpjeguar se ky sistem nxjerr jashtë abuzuesit, siç janë rastet me 4 makina apo pagë 1.5 milion lekë dhe përfitonin ndihmë ekonomike. Dhe janë evidentuar mijëra raste të tilla, të cilët përfitonin ndihme ekonomike në kurriz të atyre që ishin në nevojë dhe sot e përfitojnë ndihmën ekonomike të plotë. Ajo i ka dhënë përgjigje edhe pyetjes se ku do të shkojnë këto fonde, duke deklaruar se këto të fundit do t’i përfitojnë familjet që deri dje merrnin një pagesë minimale, edhe vetëm 1 mijë lekë, ndërsa sot marrin ndihmë të plotë 8 mijë lekë. Kjo e fundit, sipas zv/ministres, do të thotë se me skemën e re ka vetëm ndihmë ekonomike të plotë. “Pas fazës së parë, ka nisur verifikimi rast pas rasti nga sistemi elektronik dhe po vijohet edhe me verifikim në terren. Çdo ditë po identifikohen derë më derë të gjithë ato familje që nuk janë kualifikuar në këtë fazë. Dhe sigurisht ka familje në nevojë të cilat nuk arrijnë të plotësojnë kriteret dhe nuk përfitojnë nga skema, por këto familje nuk e humbasin mbështetjen ekonomike”, ka thënë ajo. Më tej, Kospiri ka shpjeguar se nëpërmjet rivlerësimit ato rikthehen si pjesë e skemës, duke aplikuar në bashki. Të gjitha bashkive u është dhënë një fond prej 6% të fondit të ndihmës ekonomike për këto familje që nuk plotësuan kriteret për t’u futur në sistem. Ajo i ka bërë apel çdo familje që nuk ka fituar në këtë fazë, por që realisht është në nevojë, që të paraqiten menjëherë për aplikim pranë bashkive, të cilat duhet të përdorin fondin e vënë në dispozicion për këto raste, fond i cili tashmë është dyfishuar nga 3 në 6%.
Sigal