Ndihma ekonomike gati sa një e treta e kufirit të varfërisë së të ardhurave për person më 2020

371
Sigal

Nëse të ardhurat e një personi që jeton vetëm janë më pak se 186, 242 lekë në vit (510 lekë në ditë, ose 15,300 lekë në muaj) ai konsiderohet si i varfër, raporton INSTAT në një botim të fundit për nivelin e të ardhurave në familje.

Nëse në një familje me katër persona dy të rritur dhe dy fëmijë niveli i të ardhurave është më pak se 391,108 lekë në vit (32,145 lekë në muaj, ose rreth 1,000 lekë në ditë) ata konsiderohen të varfër.

Një familje me një person konsiderohej e varfër në vitin 2017 nëse kishte 145 mijë lekë të ardhura në vit (450 lekë në ditë), ndërsa një familje me katër persona konsiderohej e varfër nëse kishte 304 mijë lekë të ardhura në vit (880 lekë në ditë). Por me rritjen e të ardhurave mesatare kufiri që kategorizon si të varfër shqiptaret u rrit me rreth 28% për të dyja kategoritë, por pagesat ne formën e ndihmës ekonomike nuk kanë ndjekur këto ritme.

Sipas të dhënave zyrtare, niveli mesatar i ndihmës ekonomike për person në vitin 2020 ishte mesatarisht 6200 lekë për person (rreth 200 lekë në ditë), ose gati 1 e 3-ta e kufirit të varfërisë.

INSTAT e përkufizoi ‘Kufirin e rrezikut për të qenë i varfër” me përcaktimin e të ardhurave më të ulëta vjetore të disponueshme që një person të mos konsiderohet i varfër. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër është përcaktuar në 60 % të medianës së të ardhurave disponibël për të gjitha familjet në vend.

Kufiri i të ardhurave që ndan kufirin e varfërisë u rrit disi në vitin pandemik për shkak të rritjes totale te të ardhurave në familjet shqiptare sipas verifikimeve të INSTAT.

Të ardhurat që ndajnë kufirin e varfërisë janë një lloj minimumi jetik që mund të shërbejë qeverisë për të politikat e mbrojtjes sociale.

Qeveria nuk ka një përllogaritje zyrtare të minimumit jetik në Shqipëri, por sipas studimit të Avokatit të Popullit të këtij viti, minimumi që i duhet një personi për të garantuar nevojat bazë në Shqipëri ishte 17, 875 lek në muaj me 2021.

Por të dhënat mbi pagat dhe pensionet tregojnë se, një pjesë e madhe e popullsisë në të dhënat zyrtare kanë të ardhura shumë pak këtij niveli.

Sipas vlerësimeve të anketës së forcave të punës për vitin 2020, rezulton se 46,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 33,3 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Gjithashtu ndihma ekonomike dhe pensioni mesatar në vend janë shumë poshtë këtij niveli. Të dhënat e INSTAT mbi kufirin e varfërisë ne vlerë janë një dhënë e rëndësishme për politik bërësit sidomos për politikat e mbrojtjes sociale për shtresat vulnerabël.

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2020 është 21.8 %, duke pësuar një rënie prej 1.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019, 1.6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018 dhe 1.9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017.

Ndihma ekonomike gati sa një e treta e kufirit të varfërisë