Ndërtimi i linjës së transmetimit Tiranë-Rrashbull, OST kërkon kredi 40 milionë euro

576
Qeveria shqiptare merr kredi prej 40 milionë euro nga banka gjermane KFW për investime në sektorin e energjisë. Kjo shumë është kërkuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë, i cili nuk është në gjendje të financojë me fondet e veta remontet në rrjet dhe investimet në disa projekte për të cilat ka bërë edhe studime.
Në Kuvend, është dorëzuar këto ditë projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, nga Ministria e Financave, dhe bankës së Frankfurtit, për projektin “Programi për eficencën në sektorin e transmetimit”.

OST i kërkon këto 40 milionë euro për problemet emergjente, sipas saj, në dy pjesë kryesore të rrjetit të transmetimit, “ Linja 220 KV Tiranë- Rrashbull” ku përfshihet ndërtimi i një linje të re 220 KV me dy qarqe, forcimi dhe zgjerimi i nënstacionit të Rrashbullit dhe Tirana 2, si dhe ndërtimi i një nënstacioni të ri në Rrogozhinë.
Ndërsa komponenti i dytë i investimit përfshin “Unazën e Tiranës, ku është parashikuar të ndërtohet rrjeti i transmetimit Tiranë-Selitë, Tiranë-Elbasan si dhe një nënstacion i ri elektrik në Tiranë. Qëllimi i këtij programi është rritja e kapaciteteve të transmetimit të energjisë elektrike në rrethinat e Tiranës dhe Rashbullit dhe përmirësimi i sigurisë dhe cilësisë së furnizimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri.
Garant për këtë kredi 12-vjecare nga banka gjermane ka dalë qeveria shqiptare, e cila ka marrë përsipër edhe përjashtimin e KFW nga të gjitha taksat dhe tatimet e tjera publike.
Sigal