Ndërtimi i karburantit në Vlorë/ Ergys Alushi apel Ramës: Tërhiquni nga leja e dhënë, mos lejoni ndërtimin e atij “përbindëshi”

551
Sigal

Nga Ergys Alushi

Për herë të tretë dhe të fundit për karburantin.

Një thirrje e përsëritur për Kryeministrin.

Që ashtu si na mbron nga “armiku i padukshëm”, të na mbrojë dhe nga armiku i dukshëm, karburanti!

Që nesër në Vlorë të mos thonë “Të bukur e bëri lungomaren, por e qelbi me karburantin”.

Zoti Kryeministër!
Tërhiquni nga leja e dhënë, mos e lejoni ndërtimin e atij përbindëshi në atë vend.

Nuk është fundi i botës nëse “Kastrati” nuk do të ketë një karburant në lungomare.

Jepja lejen në një vend tjetër, jepjani dhe në mes të detit, por mos e prish shëtitoren.

Nuk funksionoi leja e dhënë aty, zemërimi është i madh paçka se për shumë arsye (ku shkaku më i madh është frika nga pushteti juaj) nuk shfaqet me të gjithë madhësinë e tij.

Nuk funksionoi, ashtu si ecën të gjitha lejet e mëparshme që ju keni dhënë e janë zbatuar në Vlorë.

Aq nuk po funksionon leja aty, sa edhe kryetari i bashkisë, që rendte me të drejtë pas çdo investimi tuajin për Vlorën, me qëllim reklamimin e tyre, nuk doli këtë herë, po hesht dhe me heshtjen e tij po ta lë ty fajin.

Paçka se duhet të ndodhte e kunderta, duhet të të mbroj në të mirë e në të keq, rregull ky i pashkruar në marredheniet shef-vartes apo dhe bashkepunetoresh të një ideali.

Edhe deputetët apo këshilltarët lokal kur i pyesin njerezit e drejtojnë gishtin andej lart nga ju!

Të gjithë ju bëjnë ju fajtor, ndaj Tërhiqu!

Unë do t’i bashkohem protestës në ora 17 për të kundershtuar ndertimin e karburantit.

Do të jem aty edhe për ju, sepse nuk dua që të gabosh.

Sepse, ç’kuptim ka pastaj që jemi miq!

Miku duket që të do dhe kur gabon, jo vetëm për këngë e valle!

Do marr dhe një shok me vete, ashtu si kërkoni ju për në takimet tuaja dhe kur bëni gjëra të mira!