Një 46-vjeçar që u përfshi në një sherr pesë ditë më parë në zonën e ish-Bllokut, ka ndërruar jetë dje në Spitalin e Traumës ku po merrte mjekim. Gentian Talja është konfliktuar me 25-vjeçarin Henri Gjapi, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës.
Gjithashtu, është proceduar dhe shtetasi Artur Gjolena, i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje, në rrugën “Vaso Pasha”. 41-vjeçari ka ndërhyrë në konflikt dhe ka qëlluar 25-vjeçarin, i cili edhe sot pas pesë ditësh është në kërkim.
Mësohet se 25-vjeçari i shpallur tashmë në kërkim, Henri Gjapi, është konfliktuar me 46-vjeçarin Gentian Talja ndërsa për t’i ndarë ka ndërhyrë Artur Gjolena. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 31 mars, ndërsa mësohet se të dy, Talja dhe Gjapi kanë qenë në gjendje të dehur.
Pak minuta më vonë 46-vjeçari Gentjan Talja është ndjerë keq dhe është rrëzuar në tokë duke dëmtuar kokën në trotuar. Ai është dërguar në spital dhe gjendja e tij ka qenë stabël, por pas 10 orësh ka pasur komplikacione dhe ka kaluar në gjendje kome, ndërsa ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spital
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori, për shtetasin A. Gj., 41 vjeç, dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin H. Gj., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi H. Gj. është konfliktuar me shtetasin G. T., 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.
Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi A. Gj., i cili ka goditur shtetasin H. Gj. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme. Vijon puna për kapjen e shtetasit H. Gj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi Policia e Tiranës.