Ndërpritet prodhimi në Fierzë, nis importimi i energjisë

648
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur importimin e energjisë pasi ka ndërprerë prodhimin në hidrocentralin e Fierzës për shkak të uljes së ndjeshme të nivelit të ujit nga thatësira. Enti parashikon që për muajt janar-shkurt të importojë 50 për qind të sasisë së energjisë së kërkuar nga OSHEE-ja për furnizimin me energji të konsumatorëve tariforë, transmeton “Top Channel”.
Sipas të dhënave më të fundit, niveli aktual në Fierzë është 276.22 metra, nga 296 që është kuota maksimale. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli në këtë hidrocentral kapi kuotën e 293 metrave, duke rritur rrezikun e përmbytjeve. Por ato që kanë shënuar nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit janë prurjet, që sipas KESH-it rezultojnë 130 metra kub në sekondë.
Ndërsa Fierza ka ndërprerë prodhimin, dy hidrocentralet e tjera, i Komanit dhe Vaut të Dejës, punojnë por me kapacitet të reduktuar. KESH-i bën me dije se niveli në Koman është 171.05 metra ndërsa prurjet 68 metra në sekondë, kurse në Vaun e Dejës niveli është 73.99 metra dhe prurjet 15 metra në sekondë. Duke qenë se gjatë janarit nuk pritet të ketë reshje me intensitet të lartë që mund të rrisin prurjet në nivelet mesatare shumëvjeçare, KESH-i thotë se duhet të ruajë rezervën energjetike për të mos cenuar sigurinë e furnizimit të vendit.
Në këto kushte, kërkesa e OSHEE-së prej 880 GË për furnizimin me energji në këto dy muaj do të plotësohet duke reduktuar prodhimin e KESH-it në rreth 400 GË. 180 GË do të prodhohet nga HEC-et e vegjël, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet përmes importit.
Sigal