Ndarja nga jeta e legjendës së Kombëtares Ramazan Rragamit, Meta mesazh ngushëllimi: Ishte privilegj ta njihja nga afër, një kampion si brenda dhe jashtë fushave

201
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit, Ramazan Rragami.

Meta thotë se sot kujtojmë jo vetëm futbollistin e Kombëtares, por edhe kampionin e Vllaznisë dhe Partizanit.

Kreu i shtetit, thekson më tej, se Rragami do të mbahet mend se si skualifikoi dy herë Gjermaninë, njëherë në vitin 1967 si titullar i Kombëtares në barazimin historik kundër nënkampionëve të botës dhe 16 vite më vonë si trajner i “Shpresës”. Meta ngushëllon familjarët për këtë humbje të rëndë.

Postimi i Ilir Metës:

Shumë i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Legjendës së futbollit tonë, Ramazan Rragami, njëri prej futbollistëve dhe trajnerëve më të shkëlqyer dhe të dashur të vendit tonë.

Sot kujtojmë, jo vetëm futbollistin e madh të Kombëtares, por edhe kampionin e Vllaznisë dhe të Partizanit.

Kujtojmë Rragamin e madh, që bashkë me Zhegën dhe Bizin krijuan trion spektakolare të futbollit shkodran e kombëtar, trajnerin kampion, i cili krijoi “Shpresën” e jashtëzakonshme të Demollarit, Zmijanit, Josës, Jerës, Kushtës, Ocellit, Hodjes, Dedjas, Mersinit, Canajt dhe aq shumë talenteve, e cila u kualifikua në 8-të më të mirat e Europës dhe u bë baza e Kombëtares së mrekullueshme, që mundi Belgjikën dhe krijoi një perspektivë të re për futbollin tonë.

Rragami do të mbahet mend se dy herë skualifikoi Gjermaninë, njëherë në 1967 si titullar i Kombëtares së jashtëzakonshme në barazimin historik kundër nënkampionëve të botës dhe 16 vjet më vonë si trajner i “Shpresës” së mrekullueshme, kur pas triumfit ndaj Gjermanisë në Trir, u kualifikua në 8 ekipet më të mira të Europës.
Ai ishte i jashtëzakonshëm kudo në fushën e blertë si kampion, si trajner, por edhe një qytetar i mrekullueshëm dhe i dashur për të gjithë.

Për mua ishte privilegj ta njihja nga afër këtë njeri të papërsëritshëm në vlera dhe virtyte njerëzore.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Rragami, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, Vllaznisë dhe gjithë sportdashësve tanë në këtë ditë zie për humbjen e këtij sportisti të madh dhe të mrekullueshëm.