Ndarja nga jeta e legjendës së futbollit, Meta: Frymëzim për fëmijët dhe brezat e ardhshëm

92
Sigal

Pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sulejman Maliqati, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ ish-presidenti i vendit tha se Maliqati ngriti lart emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive, për t’u përjetësuar si shembull frymëzimi për fëmijët dhe brezat e ardhshëm të sportistëve drejt rrugës së suksesit.

Maliqati ishte dekoruar me titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Kombit”.

Postimi i Metës:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së “Partizanit” dhe Ekipit Kuq e Zi, “Nderit të Kombit” Sulejman Maliqati, njërit nga portierët më të famshëm të të gjithë kohërave të futbollit shqiptar, i cili hyri në historinë e sportit tonë si mburoja e pakalueshme e portës që nuk luajti kurrë me doreza, pasi e ndiente topin jo vetëm me duar e gishta por e njësonte me vetë qenien e tij.

Shtatë herë Kampion Kombëtar dhe Nënkampion i Lojrave të Leipzigut të vitit 1958, ai përfaqësoi denjësisht fanelën e “Partizanit” dhe ngriti lart emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive, për t’u përjetësuar si shembull frymëzimi për fëmijët dhe brezat e ardhshëm të sportistëve drejt rrugës së suksesit.

Do ta kujtojmë gjithmonë Profesor Sulën, njeriun me vlera dhe integritet të lartë qytetar, edukatorin shembullor për brezat më të rinj, këtë model të mjeshtërisë sportive dhe atdhedashurisë!

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të gjithë sportdashësve dhe në veçanti tifozëve të “Partizanit”!
Të prehet në paqen e merituar!