Ndarja nga jeta e ikonës së gazetarisë sportive Vladimir Grillo/ Ja intervista e fundit për gazetën Telegraf

296
Sigal

Si më solli në RTSH, Thanas Nano, më 1970-n, Momenti më i vështirë në transmetim dhe komenti i ndeshjeve historike, Kujtimet me Besnik Dizdarin, Dëfrim Methasanin, Ahmet Shqarrin etj

Intervista

01- Më 3 Janar 1970, Thanas Nano në zyrë me caktoi detyrën e redaktorit të kulturës

02- Emisioni parë dhe më i vështiri për momentin në të cilin fillova punë ka qenë  një  diskutim për krijimtarinë e shkrimtarit  Fatos  Arapi

03-Në këtë emision me regjisor  Mevlan  Shanaj u kritikuam , pasi shumë vajza  erdhën me funde të shkurtra mbi gju

04- Në Rubrikën Sportive kam kaluar, në vitin 1971 kur bashkë me operatorin Astrit Omeri përgatisnim emisionin “Sport-Kalitje-Shëndet”

05- Nuk harroj Kampionatin e Peshëngritjes në Athinë,  kur  në atë vit (1989) ishte edhe europiani edhe botërori

 

Albert Z. ZHOLI

Është një nga komentatorët më të vjetër televizivë. Një jetë në ekran. Ai ka mbërthyer në pasqyrën e xhamtë miliona e miliona shikues. Me 38 vjet eksperiencë në ekranin e TVSH-së dhe Telesportit ai është kthyer në një ikonë të gazetarisë televizive sportive. Me një zë karakteristik, profesionalizëm, njohje të thellë të sportit dhe  problemeve shqiptare, ai ka punuar në dy kohët duke qendruar gjithnjë larg politikës dhe afër profesionit të tij. Ka realizuar mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet, duke arritur kulmin në transmetimin e ndeshjes nga Beogradi. Sot, ai punon me shumë sukses në organizmin e emisionit “Rubrika Sportive” në TVSH, me disa kolegë të tjerë, një emision i famshëm që është ndjekur që në kohën e monizmit dhe vazhdon të shihet me interes dhe sot. Ana tjetër e portretit të tij, është ajo e një  miku të dashur, të shoqërueshëm dhe e një bashkëshorti të qetë, i dashuruar me familjen, i gatshëm të përgatisë mëngjesin për gruan dhe vajzën e tij dhe i ndjeshëm edhe ndaj maces së shtëpisë. Një burrë i qetë, që flet më zë të ulët, pa fyer njeri dhe i respektuar nga të gjithë. Tashmë të gjithë e njohin profilin e tij. Me një buzëqeshje të lehtë të mbirë në mollëza dhe buzë, ku të ngriturit e zërit prej tij do të përbëjë një ngjarje të pazakontë për të afërmit dhe miqtë, me përjashtim të transmetimeve sportive. I komunikueshëm, i durueshëm, ai e mori këtë rrugë jashtë dëshirës, pasi dëshira e tij e parë në ekran ka qenë një emision për kulturën, miku ynë i përbashkët. Nga të gjitha mbresat ai veçon transmetimin e ndeshjes Flamurtari-Partizani i Beogradit në Beograd, ku goli i artë i Sokol Kushtës e çoi Flamurtarin në turin tjetër të Kupës së Kampioneve të Evropës. Është me origjinë nga bregdeti (nga Vunoi i Himarës), njeri i dashuruar me librin, por që tani, për shkak të detyrimeve të punës,  këtë pasion e ka lënë disi pas dore.
Pasionant dhe serioz në profesionin e tij, Vladimir Grillo bën pjesë në plejadën e atyre intelektualëve të heshtur që punojnë çdo ditë me pasion për të dhënë maksimumin në punën e tyre. 

-Ladi dhe jeta shkollore. Një rrugëtim ndoshta mes emocionesh të veçanta?


 -Po. Jeta shkollore është sigurisht më e veçanta. Unë kam mbaruar Institutin Histori-Filologji,  dega  gjuhë-letërsi në vitin 1969. Menjëherë në 3 janar të vitit 1970 kam filluar punë në RTSH.–Çfarë do  të veçonit nga jeta  juaj shkollore që nga nga fillorja dhe deri në Universitet? -Në përgjithësi kam qenë një nxënës sistematik, i dëgjueshëm, me nënën mësuese që më vëzhgonte në mënyrë të  rregullt. Në shkollën tetëvjeçare kam një ngjarje që e kujtoj me një ndjenjë ankthi: përpara   shkollës,  na  hoqën  shaminë  e pionierit dhe na thyen notën në sjellje. Ashtu ishte atëherë. N.q.s bëje ndonjë gabim në shkollë, merrnin masa disiplinore përpara kolektivit të shkollës. Ngjarja ishte e thjeshtë.  Na  thanë se do  të  shkonim  në  ekskursion  në Dajt dhe do të flinim në kampin e pionierëve. Kemi qenë në klasë të shtatë. Në çastin e fundit ndryshoi drejtimi dhe ekskursionin  e  bëmë  në  Petrelë, me kthim brenda ditës në shtëpi. Një  grup shokësh  menduam të flinim në Petrelë, në kala. Kështu u ndamë nga të tjerët. Mësuesi kujdestar, shumë i merakosur, përdori të gjitha mënyrat për të mos na lënë në kala natën. Ne e kishim vendosur. Megjithatë profesori arriti të na nxjerrë.  Për kokëfortësinë time që të mos dilja nga kalaja, mësuesi më futi një shpullë gati si grusht, (e para dhe e fundit në jetën time) dhe të nesërmen na hoqën shallin e pionierit  para  të gjithë  shokëve dhe nota e sjelljes na u bë katër.

Si u ndjetë  në  shtëpi  atë  darkë?

-Mbaj mend që më erdhi shumë keq për nënën, sepse duke  qenë mësuese në atë shkollë e kishte  shumë të vështirë. Unë përpara saj e pranova  fajin, por babai nuk e mori vesh asnjëherë.

Kur  keni  filluar në Televizionin Shqiptar  si  gazetar?

-Më 3 Janar 1970. Ishte një ditë e veçantë për mua. Më thirri në zyrë ish -drejtori i RTSH-së, në atë kohë Thanas Nano në zyrë. Ai kishte një prezencë të padiskutueshme në televizion. Ishte autoritar dhe kërkues. Nuk isha vetëm unë atë ditë që mora emërimin. Ka qenë dhe Ylli  Pepo, Vullnet Musaraj, Agron Aranitasi e të tjerë. Na ndanë nëpër sektorë. Fillimisht, për disa muaj punova në  sektorin e kulturës, ku televizioni  transmetonte 3 ditë në javë

-Cili ka qenë  emisioni i parë  parë  që keni  realizuar?

-Po. Emisioni parë dhe më i vështiri për momentin në të cilin fillova punë ka qenë  një  diskutim për krijimtarinë e shkrimtarit  Fatos  Arapi. Nuk jam shumë i sigurtë për titullin,  por  regjisor ka qenë  Mevlan  Shanaj. Jam kritikuar bashkë me Mevlanin, për faktin se në studio, në këtë emision morëm studentë,  ku shumë vajza  erdhën me funde të shkurtra mbi gju. Të nesërmen u gjeta në siklet. Nuk mund të pranoheshin të tilla veshje atëherë. Quheshin shfaqje të huaja. Sot këto dukuri…(qesh).

– Në  çastin që  dole  në  ekran  për  herë të  parë, si  u  ndjetë?

– Në ekran, për të drejtuar një emision të veçantë të përgatitur nga unë kam dalë në rubrikën për sportin. Ky kalim nga kultura tek sporti, nuk u  prit mirë nga shtëpia. Përpara se të filloja punë  unë  kisha qenë në kontakt me shtypin, ku shkruaja për kulturën, për  kinematografinë, e sigurisht,  dalja  në  ekran jashtë këtyre nuk u mirëprit. Por kjo ishte dhe dëshira ime edhe e detyruar. Dola me  emocion, një gjë e panjohur. Një eksperiencë e re. E pata të vështirë, bëra gabime, por me  këshillat  e  miqve dhe të shokëve arrita të kem suksese.

-Kur  keni  kaluar  në  drejtimin e Rubrikës Sportive  në  TVSH?

-Në Rubrikën Sportive kam kaluar në vitin 1971. Ndërkohë, bashkë me operatorin Astrit Omeri përgatisnim bënim edhe emisionin Sport-Kalitje-Shëndet, që trajtonte problemet  e sportit dhe transmetohej ditën e mërkurë. Rubrika Sportive erdhi duke u rritur nga  ana  cilësore dhe arriti  kulmin  kur në vendin tonë morën një zhvillim të madh sportet e lojrave me dorë për meshkuj dhe femra. U propozua që Rubrika Sportive të transmetohej direkt në studion nr.1 dhe me përmasa më  të mëdha dhe të merrte karakterin e një shfaqjeje show dhe me auditor. Duke  pasur lidhje shumë të rregullta me grupin e Estradës së Vlorës  që na ndihmoi shumë, suksesi u arrit. Ky ka qenë një kulm i  Rubrikës që filloi të shoqërohej dhe me humor. Kjo vazhdoi për  disa  kohë, por  një  ditë  m’u komunikua që nuk do ta drejtoja  më  Rubrikën  Sportive. Ditën dhe vitin nuk e mbaj mend. Nuk më thanë arsyen e vërtetë. Por diçka të tillë sikur isha disi i ftohtë në  komunikim. Ndjeva  një  zhgënjim,  sepse gjithë ajo  punë e bërë në bashkëpunim me regjisorët  Albert  Minga dhe Osman Mula për vite me radhë, u hodh poshtë pa të keq. Vallë pas kaq e kaq vitesh u pa se isha i ftohtë në komunikim?!

Ndonjë çast në jetën tuaj që ju ka bërë të ndjeheshit mirë që drejtonit Rubrikën Sportive?


 -Do të veçoj njërin. Isha me regjisorin Albert Minga dhe vajtëm një  herë  në klinikën e  udhëheqjes  për  të  parë një mikun  tonë. Ishte dashamirës i sportit dhe sekretar i parë në Korçë për sportin Enver Halili. Ishte njeri që e përkrahte shumë sportin  dhe  kulturën. U befasuam se aty gjetëm  edhe drejtorin  tonë,  edhe drejtuesin e zyrës së  shtypit të Komitetit Qendror, Miti Tona. Enver Halili u shpreh se Rubrika Sportive po ndiqej  shumë  dhe po  konkurronte  “Dinastinë”. Dinastia ishte një film serial që atëherë ndiqej shumë. Këtë e përçoi edhe Miti Tona. Pra, nga njëra anë një Rubrikë tejet e ndjekur, nga ana tjetër një zhgënjim i madh kur m’u  komunikua pushimi. Ndenja disa vjet pa dalë fare në ekran, rreth 4 vjet. Më vonë, drejtori i Përgjithshëm, Marash Hajati,  më tha se do të vazhdosh përsëri drejtimin e këtij emisioni.

-Si ka ecur nëpër vite rruga juaj në ekranin e TVSH-së?

– Jo vetëm suksese. Jo vetëm lavdërime. Më janë bërë  edhe  vërejtje që i kam kaluar me shumë  qetësi, pasi një pjesë e këtyre vërejtjeve ishin  që të përmirësoja punën time. Unë  kisha  një  kënaqësi të madhe që në ekran të dilte sa më shumë sport. Duke ditur dëshirën e  shqiptarëve për  sportin dëshiroja që sa më shumë shumë aktivitete ndërkombëtare të  futeshin në ekran. Kjo përpjekje e mirë u shoqërua edhe me urime. Më pëlqente t’ju jepja shumë dashamirësve të  sportit, ishte  diçka që ata e kërkonin. Ishin të etur. Se atëherë nuk ishte e lehtë. Që të transmetohej një ndeshje  ndërkombëtare duhej të merrje pëlqimin nga Zyra  e Shtypit në  Komitetin  Qendror. Kurse për evenimente mund të veçojë vajtjen time të parë jashtë në një kampionat ballkanik në Turqi, ku xhirova vetë me kamera. Nuk harroj Kampionatin e Peshëngritjes në Athinë, kur  në atë vit (1989) ishte edhe evropiani edhe botërori. Delegacioni  shqiptar u nis shumë i  përgatitur  për në  botëror  dhe kemi ndenjur  afro 24 orë në Kakavijë  sepse u dha sinjali që sportistët kishin  dollarë me vete për ndonjë blerje të  vogël. Një  peshëngritës  hodhi pa dashje  në lulishte një  kaçavidë, ky veprim  u  pa  nga  roja dhe u bë një rishikim i autobusit  dhe u gjetën rreth 2 mijë dollarë. Nuk lejohej që valuta të nxirrej jashtë. Për të gjithë  delegacionin. Ishte gati të ktheheshim, vetëm  një  ndërhyrje e  fundit  e Adil  Çarçanit (atëherë Kryeministër) bëri që rruga të hapej. Lekët  u morën dhe nuk ua kthyen më sportistëve. Por  Kampionati  Botëror na buzëqeshi megjithëse nuk ishim mirë nga ana shpirtërore. Ekipi ynë mori tre medalje. Kthimi pastaj ka qenë  skandaloz, pjesë-pjesë. Të fundit ishim pesë vetë që u kthyem  me  autobus nga Athina  në Janinë. Ishim Pirro Dhima, Koço  Mikerezi, Niko Buneci dhe një peshëngritës nga Shkodra. Nga  Janina  në Kakavijë  erdhëm me  taksi. Pastaj autobusi  i “Luftëtarit”,  na  çoi nga  Kakavia në Gjirokastër. Kryetari i Komitetit të Gjirokastrës na dha një “Zuk”  të  Ndërmarrjes së Ndërtimit me të cilin erdhëm në Tiranë. Kjo  ka qenë në vitin 1989.

– Cila  ka  qenë  dita  më e vështirë  në transmetim?

-Minutat me gjendje emocionale më të fuqishme, i kam përjetuar në transmetimin në Beograd. Sa e bukur, po aq dhe me përgjegjësi. Në një ndeshje ndërkombëtare  në  vitin 1987, kur ka  luajtur  Flamurtari në futboll me ekipin e “Partizanit”, të Beogradit. U vendos  që Televizioni Shqiptar   të  transmetonte ndeshjen. Masat u  morën në mënyrë perfekt dhe  delegacioni  shqiptar  u  prit  mjaft  mirë. Kur filloi transmetimi njoftohemi se zëri nuk shkonte në  studio. Po të shikojmë në arkiv, 15 minutat  e para janë transmetuar  nga studioja në Tiranë. Pastaj çdo gjë u zgjidh si me magji. Nuk  e kuptova se  si u  rregullua kjo, por di  që një ushtarak i klubit  “Partizani” doli  nga tribuna, bërtiti dhe mbas 2-3 minutash  transmetimi u bë normal. Para ndeshjes pata një incident të vogël me sulmuesin Sokol Kushta. Ai doli me mua dhe një shokun tim në Beograd për të blerë diçka. Ne e kishim mendjen tek ndeshja Kushta, tek të blerët. I fola për këtë. Atij i ngeli hatri. Kur  mbaroi  ndeshja, unë  isha  duke  shkuar në  Konferencën  e Shtypit  dhe Sokoli duke  dalë nga  dushi  më tha: Golin e kam  bërë për  ty! Në  çastin  e golit të them të vërtetën kam  lotuar:  kjo u dallua edhe në dridhjen  e zërit që pësoi zëri im. Ishte një ndeshje e madhe e një vendi të vogël. Ishte një çast magjik i papërsëritshëm. Nuk e di se si i përjetova ato çaste. Më dukej sikur isha në ajër. Sikur fluturoja. Për një çast shtanga. Nuk fola. U meka. Pështyma m’u tha në gojë. Rrahjet e zemrës m’u shpeshtuan. Pastaj shpërtheva…Goooool… ! Lotët më zbrisnin nëpër fytyrë dhe më njomën buzët. Ndeshja përfundoi 2-1, për jugosllavët, por ne u kualifikuam pasi kishim fituar në Shqipëri 2-0. Partizani Beogradit ishte një ekip i madh në atë kohë. Ky ishte  gol kualifikues. Pak më vonë ndjeva një emocion  të dytë kur më ka thënë një gazetar nga Kosova që transmetonte për  Prishtinën në Radio më tha se komentatori  jugosllav  ishte shprehur që, Kushta e dërgoi topin atje  ku  bën merimanga folenë (në mënyrë figurative) ?!. Unë e takova atë dhe e falënderova. Ai e mirëpriti me dashamirësi komplimentin. Sporti i bashkon njerëzit. Dhe kuptohet ajo darkë ka qenë  e paharrueshme. Ishim në delir.

– Si  e kujtoni çastin e  kthimit në  Shqipëri?

-Çasti i  kthimit ka  qenë ndryshe. Në  fermën e Shtoit dhe në Shkodër ishin shtruar dy dreka të mëdha, por në doganën e Hotit u bë një  reprazalje. Një  vit përpara  me  barazimin  0-0, në Barcelonë, Flamurtari u eliminua, pasi Barcelona  bëri  gol në  portën vlonjate. Në aeroport nuk u bë asnjë  kontrroll. Krejt ndryshe me Hanin e Hotit. Flamurtari u kualifikua. Në doganë u bë një kontroll i imtësishëm, me orë të tëra dhe kjo kjo krijoi gjendje jo të mirë tek lojtarët, deri në tension.  Pra u zbeh magjia e fitores.

-Kur ka qenë eksperienca më e bukur si komentator?

Në  lojërat  Olimpike  në  vitin  2000 në Australi. Ka  qenë  një  tjetër  eksperiencë e një lloji tjetër po me TVSH-në. Aplikova nga  komitetin olimpik ndërkombëtar dhe m’u akordua  një  bursë  që u  jepej gazetarëve të vendeve të vogla,  si gazetar pasi kamera nuk lejohej. Si  unë (mbaj  mend)  pati edhe gazetarë nga vende të tjerë që u  lejohej  vetëm  të  shkruanin ose të jepnin informacion nëpërmjet  radios ose internetit, por pa xhirime. Ishte  një  ëndërr  për çdo gazetar që të merrte  pjesë  në Lojërat Olimpike  që organizohen një herë në katër vjet, sepse të jepej mundësia të takojë më të mirët, të hyjë në mjedisët sportive, në konferencat e  shtypit. Këtë  punë unë pastaj e relatova  dhe e transmetova nëpër gazeta, radio, natyrisht edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

-38 vjet  në  ekran,  kur  e  shikoni këtë rrugëtim,  çfarë  ndjeni  brenda  vetvetes?

-Unë  mendoj  se deri diku kam arritur një nga synimet e mia. Pra atë të informimit sa më të madh (në të gjitha sportet), të publikut që ka qenë dhe është i etur për sportin. Sporti i bashkon njerëzit. U heq stresin. Ju largon vëmendjen nga shqetësimet e ditës. Sporti është shumë dimensional. Ka një magji të vërtetë. Magjia e tij i kalon disa herë parashikimet. Me kalimin e viteve ne e rritëm gamën e informacionit dhe sikur gjetëm një transe të vërtetë lidhjeje të përhershme me publikun. Ata mendonin për ne, ne mendonim si të plotësonim shijet e tyre. Rubrika  sportive  arriti  një  kulm.  Mendoj  se kam bërë diçka në këtë histori  të  madhe që ka Televizioni Shqiptar, për sa i përket sportit. Mendimet pozitive u shtuan. Ndjeja  shumë kënaqësi. Por të jemi dhe të sinqertë. Asnjëherë drejtuesi i një emisioni kaq të rëndësishëm nuk mund të thotë që ka bërë gjithçka. Nuk mund të thotë që ka bërë maksimalen, më të mirën. Jo! Asnjëherë. Por e qetësoj ndërgjegjen, pasi jam përpjekur me të gjitha mundësitë të jap më të bukurën. Më të pranueshmen, shpesh edhe mes debatit e tensionit.

-A është  marrë  ndonjëherë me  politikë  Ladi?

-Jo, asnjëherë!

-Pse?

-Nuk e pëlqeja. Edhe të afërmit e mi nuk më nxisnin. Rrethi im familjar  është marrë  shumë  me letërsi, gazetari dhe me histori. Babai nuk ka  pasur ndonjë eksperiencë shumë të mirë për sa  i  përket jetës politike ndaj nuk dëshironte. nuk më nxiste. Edhe kur vëllai shprehej ndonjëherë për të hyrë në parti, ai nuk ishte dakord. Nuk i pëlqente politika. Dhe unë u bëra indiferent ndaj saj.

-Çfarë  i mungon  politikës së sotme shqiptare?

– I mungon  sinqeriteti.

Sa  është i  lidhur  me  shtypin e  përditshëm dhe me librin  Ladi?

-Me librin kam qenë shumë i lidhur, njëkohësisht dhe me jetën artistike e kulturore. Më  përpara nuk i jam ndarë dhe tavolinës për të shkruar. Përgjithësisht  kam shkruar artikuj kritikë. Më vonë  mobilizimi në sektorin e sportit në TV më largoi nga libri, por nuk do të thotë që nuk lexoj. Shtypin e ndjek rregullisht.

-Si  është  një  ditë  e zakonshme e Ladit?

-Në  mëngjes zgjohem shumë shpejt, bëj gati çdo gjë, merrem me përgatitjen e mëngjesit të  pjesëtarëve të tjerë të familjes, merrem me macen. Është pjesëtare e familjes dhe ka pozicionin e vet në shtëpi. Ndjek rregullisht shtypin e ditës në ekran. Vajtjen në punë e bëj gjithmonë me këmbë përveç ditëve me shi që marr autobusin. Me miqtë takohem çdo ditë, veçanërisht të dielën tek lokali “basket” i Muhamet Përmetit.

-Sa  kafe  pi në ditë Ladi?

-Rrallë, një makiato, sepse nuk e preferoj.

-Ushqimi i  preferuar?

-Ushqimi i preferuar është kuzhina  vegjetariane dhe  prodhimet  e detit.

-Po  nga pijet,  kë  pëlqeni?

-Verën e kuqe.

-E pëlqen  detin  Ladi?

-E pëlqej shumë, duke  qenë se jam nga bregdeti nuk mund të jetë ndryshe. Tjetër është se ne në anët tona kemi  një  gji  nga  më të bukurit në botë. Eshtë Jali i mrekullueshëm. Kam shkuar që i  vogël  aty. Aty kam kapur  peshkun e parë. Pikërisht në një pjesë  të gjirit të Jalit, aty  ku nisesh  për të shkuar për në Himarë. Provova peshkimin sepse e dashuroja së largu. Aty  kapa një kocë të  vogël. Atëherë mësova se koca është peshk që vjen menjëherë  në grep.

-Ç’është  familja  për  Ladin?

-Familja është e shenjtë. Përpiqem ta ndihmoj shumë sidomos Violën, bashkëshorten. Jam i lumtur që goca, Dena  ka  ecur në rrugën tonë të shkollës, pra të arsimit. Ajo ka prirje për letërsi, pra ka  vazhduar  rrugën e gjyshit të vet dhe të  xhaxhait. Ka botuar edhe disa libra. Punon në  Komitetin Olimpik në Sektorin e Jashtëm është zëdhënëse  e shtypit, por është e prirur edhe nga mësimdhënia. Ajo jep  mësim në Universitetin Marlin Barleti. Nuk më shkonte mendja që do të  punonte në Komitetin Olimpik, afër sportit. Madje edhe të fejuarin Kolin e ka sportist. Familja e ngrohtë të lumturon.

-Idhulli  juaj  në  ekran?

-Kjo pyetje më bën të kem  sërishmi një kthim mbrapa në kohë. Dhe kjo ka lidhje sërishmi me bregdetin. Kur  fillova  punën, unë  gjeta  në TVSH, një figurë të  njohur të ekranit nga Dhërmiu. Ky ishte një nga ikonat e lajmeve Kiço Fotjadhi dhe e kisha si mbështetje. Gjithashtu një tjetër figurë interesante mbetet Dhimitër Gjoka që  është  edhe ky  himarjot. Më  ka  pëlqyer  shumë për kulturën dhe  zërin  e tij të plotë e shumë interesant Virgjil Kule. Por edhe Tefta Radi si dhe Leda që drejton tani Rubrikën Sportive.

Cilët  kanë  qenë bashkëpunëtorët  më të afërt  tuajt  në   gjithë  këtë  karrierë?

-Ka qenë operatori Astrit  Omeri, me të cilin kam punuar  shumë e shumë vite, me kamerën e tij. Astriti ka qenë alpinist dhe i dashuruar me lëvizjen. Ai ka pasur një motor, me të kemi bredhur të  gjithë Shqipërinë nga jugu në veri. Njëkohësisht dua të përmend Gëzim Qinamin, Shakohoxhën, Ahmet Shqarrin, Besnik Dizdarin, Frederik Ficon, Dëfrim Methasanin, Lirim Zallën, Artur Himçin, operatorët, Naum Lasku, Bujar Kore etj. Me Besnikun  kemi dhe një moment tjetër të rëndësishëm. Duke shfrytëzuar  rrugën  që kishim për në  Zvicër për një kongres kemi qendruar 8 orë në  Beograd. E shfrytëzuam këtë moment dhe vajtëm në  Klubin  Partizani në  Beograd. Kishim ato lidhjet e vjetra sportive mbi 30-vjeçare. Na  bënë një pritje shumë të mirë. Për t’u marrë shembull organizimi i atij  klubi  që nuk ekziston  fare tek ne. Bashkëpunim shumë i frytshëm ka qenë dhe puna me Ahmet Shqarrin, shok i Universitetit, i njohur me emisionin e tij “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Në përgjithësi mbaj lidhje të mira me gazetarët Besnik Dizdari, Bashkim Tufa, Petraq Shtrepi, Fatmir Mneri.

-Ju për një farë kohe u zhvendosët tek Tele-Sport?

– Po ashtu është. Një zhvillim shumë interesant në ekranet televizive shqiptare. Eshtë meritë e Muhamet Malos, ish- sportist, mundës kampion. Prej vitesh e kishte ëndërr një kanal televiziv sportiv dhe e ngriti. Për mua ishte një eksperiencë shumë pozitive, aq më tepër që lidhet me pasionin tim për transmetimin e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare, nga të gjitha sportet që janë në qendër të punës në Telesport. Sigurisht, pa harruar informacionin e bollshëm sportiv. Plus që është një stacion televiziv larg politikës.
-Keni  ndonjë  peng në  gazetarinë  e ekranit?

-Jo, peng nuk kam. Veç asaj që më pushuan në fillim kur ndenja pa dalë  në ekran për katër vjet. Por  ajo është diçka normale në jetën e një  gazetari, pasi jo çdo gjë shkon si në vaj. I gëzohem faktit që kam miq të shumtë në të gjithë Shqipërinë, me të cilët ndaj çaste gazmore sa herë që i takoj.