Ndarja me konflikte/ Dogji makinën e ish-të dashurit, 41-vjeçarja e kishte denoncuar për dhunë në familje

33
Sigal

E arrestuara e policisë gjatë operacionit “Hakmarrja e zjarrtë” është viktimë e dhunës në familje. Ky është pretendimi i saj që pritet të shqyrtohet në gjykatën e Durrësit së shpejti. Padia ka mbërritur për gjykim në datën 24 janar të këtij viti. D. Stafaj e ka denoncuar ish-të dashurin për dhunë në familje, para se të ndërmerrte aktin e zjarrvënies ndaj automjetit të tij, në fillim të muajit shkurt.

Padia për dhunë brenda çiftit ka mbërritur në dyert e gjykatës së Durrësit, ndërkohë që situata mes dy partnerëve ishte rënduar më tej, duke shënuar fundjavën e kaluar ngjarjen e rëndë që e çoi në pranga 41-vjeçaren. Në bashkëpunim me të vëllanë, ajo i vuri zjarrin makinës së ish-partnerit në Durrës, ndërsa mbeti në tentativë djegia e apartamentit në emër të tij. E arrestuara ka dalë para Gjykatës së Durrësit e cila pasi dëgjoi palët, prokurorinë dhe mbrojtjen e saj, vleftësoi të ligjshëm arrestimin dhe caktoi si masë shtrënguese atë të arrestit në burg me afat 30 ditor.

41-vjeçarja nga Tirana u arrestua për zjarrvënie të qëllimshme në automjetin e një 42-vjeçari në Durrës me të cilin ka pasur një lidhje. Pas djegies së automjetit në bashkëpunim me të vëllain, ajo ka tentuar të djegë edhe banesën e 42-vjeçarit, në afërsi të stadiumit të qytetit bregdetar, por s’ka mundur ta realizojë dot.

Me të marrë njoftim nga i dëmtuari policia u vu në lëvizje natën e kaluar duke zbardhur shpejt ngjarjen dhe ndaluar autoren e dyshuar, e cila deklaroi se automjeti dhe apartamenti janë blerë nga të ardhurat e siguruara prej saj nga puna në Itali, por 42-vjeçari i kishte regjistruar si pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të tij. Lidhur me ngjarjen po hetohet dhe një shtetas italian 58 vjeç, me të cilin ajo ka ardhur nga Italia për t’u hakmarrë ndaj ish-partnerit që më parë e kishte denoncuar dhe për veprën penale të Dhunës në Familje. Shtetasi italian po hetohet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi, ndërsa është ende në kërkim vëllai 35-vjeçar i së arrestuarës.

Ndaj 41-vjeçares prokuroria ka ngritur akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr, pronë të cilën ajo e pretendon të sajën.