Ndalohet kreu i Tatimeve të Shkodrës, akuzohet për shpërdorim detyre

514
Është vënë në pranga paraditen e sotme, me kërkesë të prokurorisë, drejtori i Tatimeve të Shkodrës Hysen Hysaj. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.
Nga hetimet ka rezultuar se ai i kishte dhënë në mënyrë të paligjshme TVSH-në nipit të tij, ndërkohë që biznesi i këtij të fundit e kishte humbur të drejtën e rimbursimit.
Njoftimi i Prokurorisë
Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H, i cili është djali i motrës së drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.
Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Në rastin konkret, shoqëria “H…”shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Prokuroria thekson se nga ana e administratës tatimore, rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti “H…”shpk nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së. Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja. Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Sigal