Është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme regjisori Roland Roshi. Lajmin e bën të ditur Televizioni Shqiptar, sipas të cilit, regjisori është ndarë nga jeta sot pasdite në krye të detyrës, përpara një edicioni informativ në televizionin publik. Pavarësisht dërgimit me urgjencë në spital, regjisori nuk ka arritur të mbijetojë.

Ikja e Roland Roshit, regjisor, pedagog, aktor ka hidhëruar familjen, kolegët, por edhe publikun, pasi për vite të tëra ka qenë folës lajmesh në RTSh.

Roland Roshi ka lindur dhe është rritur në qytetin e Përmetit. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, që sot njihet si Akademia e Arteve te Bukura. Për shumë vite ka punuar si regjisor me Estradën dhe Teatrin e Fierit. Më pas puna e tij ka vazhduar ne Radio Tirana dhe në Televizion si folës lajmesh dhe si regjisor spektaklesh dhe edicionesh informative.

Homazhet në nder të regjisorit Roland Roshi, do te mbahen nesër në orën 12:00. Në hollin e Radio Televizionit Publik Shqiptar.