Ndahet nga jeta gazetari dhe regjisori i shquar Ilir Buçpapaj

330
Sigal

Para pak çastesh ka ndërruar jetë në Nju Jork gazetari dhe regjisori i shquar Ilir Buçpapaj.

Ilir Buçpapaj ka lindur më 15 shtator 1952 në qytetin Bajram Curri. Shkollën 8 vjeçare dhe të mesmen e përgjithshme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, dega gjuhë-letërsi shqipe.

Punoi arsimtar në Shkollën 8 vjeçare të qytetit, në Shoshan, në Gjimnazin e Fierzës. Nga viti 1981 deri në vitin 1992 punoi gazetar-reporter i Radiotelevizionit Shqiptar për rrethet Tropojë-Kukës. Nga viti 1992 deri sa doli në pension punoi si redaktor, skenarist dhe regjisor në Radiotelevizionin Shqiptar.

Trajtoi kronikën, lajmin, telereportazhin, portretin dhe gjerësisht dokumentarin televiziv. Ka realizuar më shumë se 300 telereportazhe dhe dokumentarë televizivë me temë historike kushtuar periudhave kulmore dhe figurave të ndritura të historisë sonë.

Nga krijimtaria e tij dokumentaristike shquhet veçanërisht cikli “E duam Shqipërinë”.

Ilir Buçpapaj mbante titullin “Qytetar Nderi” nga krahina e Kelmendit dhe e Devollit.

Në vitet e fundit ka jetuar e punuar në qytetin e Nju Jorkut, ku edhe ndërroi jetë.

Sipas amanetit të lënë nga vet Iliri, trupi i tij do të varroset në fshatin Tplâ të Tropojës.