Namir Lapardhaja:Partia Demokratike në Berat? Ja sekreti i fitores… për herë të tretë

866
Sigal

INTERVISTA/ Flet për gazetën “Telegraf”, anëtari i Kryesisë së PD-së së Beratit, Namir Lapardhaja

Quhet Namir Lapardhaja. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Aktualisht, kryen Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Institucionin e Prefektit të Qarkut Berat. Në vitin 2009 ka qenë zëdhënësi për shtyp i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe imazhi i saj mediatik, duke qenë njeriu që ka dalë më shpesh në media për probleme të fushatës gjatë asaj kohe, njëkohësisht prej këtij viti është anëtar i Kryesisë së Degës së PD-së së Beratit. Kërkesës sonë për bisedë iu përgjigj me dashamirësi.

Flitet dhe është komentuar në media se Partia Demokratike në Qarkun Berat rrezikon mandatin e një deputeti, duke reduktuar numrin e përfaqësimit nga 3 në 2. Cili është komenti juaj?

Si komentet, ashtu edhe fjalët e përfolura, janë një absurditet i vërtetë përballë realitetit dhe imazhit të PD-së në Berat, imazh i mbushur me përurime të një rëndësie të veçantë, siç janë investimet e mëdha në zonat e thella rurale, si në zonën e Shpiragut, në Qereshnik, në Lumas, në Kutalli, në Roshnik etj.. Kjo listë vijon me investimet, gjithashtu, të ndjeshme, në fushën e arsimit, në ndërtime dhe rikonstruksione shkollash, të cilat mbulojnë të gjithë hartën e Qarkut. Si është e mundur kur arritjet shtohen, përfaqësimi të pakësohet? Përkundrazi, të gjitha të dhënat, të gjitha sinjalet, tregojnë për një performancë të jashtëzakonshme të PD-së në Berat. Madje, ky do të jetë kulmi i përfaqësimit të së djathtës me PD-në në krye, duke kaluar edhe pragun e 50 %, duke e nxjerrë PD-në sikurse është realisht, forcë dominuese, përballë një të majte aventuriere. I vetmi problem ka qenë aksi rrugor Lushnje-Berat, i cili, aktualisht, është nën rikonstruksion dhe pritet që të mbarojë brenda muajit maj. Për të mos lënë këtu pa përmendur edhe koalicionin parazgjedhor të Partisë Demokratike, deri tani të konfirmuar edhe me dy parti të rëndësishme të spektrit të djathtë, si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.

Ju flisni në një mënyrë të tillë dhe nuk e merrni parasysh konsumimin që ka pushteti pas 8 vitesh qeverisje?

Është konsumim fakti që kemi çuar asfaltin në Komunën e Lumasit deri atje, ku takohet me zonën e Sulovës? Një i majtë i thekur më ka thënë: “Bravo ju qoftë. Me ritmet e PS-së, asfalti në Lumas vinte vetëm pas 70 vjetësh”. Çfarë mund të themi për asfaltin që u ngjit në zonën e Shpiragut, kur në kohën e PS-së ishte luks që ajo rrugë të mirëmbahej edhe me çakull?! Po për rrugën malore në Komunën e Roshnikut, ku edhe atë pak çakull e kishte marrë uji i vesës e jo i shiut, ku po vijon një investim gjigant?! Ende nuk bindeni? Po si u fitua Komuna e Lumasit, që quhej bastion i PS-së?! Po dy komunat e rrethit të Kuçovës, Kozare dhe Perondi, të cilat as që mund të imagjinoheshin se mund të fitoheshin nga kandidatët e PD-së?! Po Komuna e Bogovës në rrethin e Skraparit etj.?! E, pra, realiteti flet krejt ndryshe. Ai komenton me fakte.

Sipas jush, me këto arritje, këtë performancë, a garantohet fitorja?

Këtu duhet të ndalemi tek një moment tjetër kyç, ai i kandidatëve që do të paraqesë PD-ja, të cilët, me cilësitë e tyre, do të jenë magneti që do të tërheqin votuesit drejt programit të PD. Mendoj se, vlen të theksohet edhe ajo se kë ka deleguar Kryeministri Berisha në Qarkun e Beratit si kryetar të grupit të punës, i cili është z. Genc Pollo. Kjo për të bërë edhe një dallim të qartë me kampin kundërshtar. Mund të them se Genc Pollo, me mesazhin e qartë politik që ka përcjellë tek qytetarët, me fjalën e matur, paqësore, ku shfaqet argumenti dhe humanizmi, tërheq vëmendjen e banorëve të Qarkut të Beratit. Banorët e Beratit nuk pëlqejnë tonin e egër të fushatave politike, nuk pëlqejnë fyerjet dhe sharjet midis kandidatëve kundërshtarë, nuk pëlqejnë krekosjet boshe dhe inflacionin e premtimeve. Pikërisht tek ky politikan qytetarët e Beratit kanë dalluar politikanin qytetar, me dimension kulturor europian dhe e kanë pritur me respekt të thellë edhe kur kanë qenë votues të partive kundërshtare. Gjatë këtyre viteve si deputet i Qarkut të Beratit, zoti Pollo ka ndërtuar marrëdhënie institucionale me të gjithë drejtuesit e institucioneve që funksionojnë në këtë qark, duke dhënë një shembull domethënës se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet ligjore, ndërvepruese, jashtë informalitetit dhe klientelizmit. Deputeti Pollo ka punuar për kompaktësimin e strukturave të PD në Qarkun e Beratit, duke pasur durimin e thellë edhe kur janë shfaqur mosmarrëveshje apo pakënaqësi nga anëtarët dhe militantët.

Po formacionet e reja politike, si FRD-ja dhe AK-ja, a mendoni se do t’i prishin punë PD-së në Berat?

Nuk e besoj. Lëvizjet që lindin si pasojë e dëshpërimit, inateve personale dhe vogëlsirave të kësaj natyre janë të destinuara të zgjasin derisa zgjat një inat dhe zemërim. Aq më tepër që Berati, gjithsesi, është i vogël. Të gjithë i njohin të gjithë.

Fushata ka filluar. Si përfundim, çfarë duhet të bëjë PD-ja që të arrijë sukses edhe për një herë të tretë?

Duhet të shkojë drejt 23 Qershorit duke trokitur derë më derë e zemër më zemër për këdo që do puls europian, duke takuar njerëz, kokë më kokë e arsye më arsye për arsyen madhore të integrimit në Europë.