Naftëtarët e Ballshit në ditën gjashtë të grevës së urisë/ Rëndohet gjendja e grevistëve: Nuk kemi kthim mbrapa, duhet të na kthejnë një përgjigje

329
Sigal

Naftëtarët e Ballshit ndodhen sot në ditën e gjashtë të grevës së urisë, ndërkohë gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar.Po kështu, grevistët nuk pranojnë as ndihmë mjekësore, pasi i frikësohen infektimit me koronavirus dhe kjo do të dëmtonte grevën e tyre.  Ata vijojnë të zëvendësojnë medikamentet me ujë me sheqer për të forcuar disi imunitetin e tyre.  Sakaq, ata  kërkojnë një përgjigje nga instancat për kërkesat e tyre.

“Kemi marrje mendsh, dhimbje dhe këputje trupi. Do të qëndrojmë deri në pikën e fundit. Kthim mbrapa nuk kemi”, thotë një prej tyre.

Ndërsa një tjetër shprehet: “Sot në ditën e 6 situata sa vjen e rëndohet, Është një problem tjetër jo vetëm rëndesa shëndetësore. Jemi lënë në heshtje totale, nuk ka asnjë lloj reagimi nga instancat. Nuk e di sa do vazhdojë kjo heshtje dhe kjo na vret më shumë. Dje kolegu ynë kaloj një problem shëndetësor me zemrën, u informova që është në Fier për analiza, gjendjen e ka të rënduar. Gjendja jonë e rënduar se këtu ndikojnë të gjitha kushtet, mbi të gjitha ndikon stresi si dhe mos-marrja e një përgjigje qoftë edhe negative. Le të na thonë se do mbyllet nesër, le të na i thonë por ata nuk na e thonë. Dje spitali i Ballshit na janë gjendur pranë ambienteve, nuk është problemi jonë shëndetësia, në çdo moment e dimë që do na përgjigjen. Problemi ynë është instancat e duhura qoftë nga ana e pronarëve që na u prezantuan si pronarë të kompanisë qoftë edhe nga ana e shteti. Është një mospërfillje e dukshme se nuk është vetëm ndaj 10 naftëtarëve që janë këtu, është ndaj 900 naftëtarëve dhe ndaj gjithë qytetit. Kolegët tanë po përdorin ujë me sheqer sepse tani të shkosh në spitale nuk dihet kush vizitohet, dhe mos përhapim edhe një panik tjetër, larg qoftë. Përdorim ujë me sheqer për të mbajtur trupin gjallë”. 

Naftëtarët e Ballshit ndodhen aktualisht në ditën e katërt të grevës së urisë. Ata kërkojnë rifillimin e punës dhe pagat e prapambetura. Pas mbylljes së rafinerisë që administrohet nga “Tosk Energji”, janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Disa javë më parë ata protestuan edhe para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe kërkuan takim me ministren Balluku, por kjo e fundit nuk i priti në zyrë.