Naço urdhëron nisjen e inspektimit ndaj gjyqtarit Ali Koleci

530
Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço, urdhëroi inspektimin për gjyqtarin Ali Koleci, Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat. Nga verifikimi paraprak rezulton se ky Gjyqtar, me Vendim të datës 03 Korrik 2015, ka ndryshuar institucionin e vuajtjes së dënimit për të dënuarin U.S, nga “Burgu i Sigurisë së Lartë Burrel” duke e transferuar atë në “Burg të sigurisë së zakonshme” në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Shtetasi U.S., është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Dhjetor 2014, me 35-vjet burgim, për veprën penale të “Vrasjes për gjakmarrje dhe armbajtje pa leje”, duke vendosur se vendi i ekzekutimit të dënimit do të ishte “Burgu i Sigurisë së Lartë”.
Gjyqtari Ali Koleci, në 3 Korrik 2015, duke vlerësuar se i pandehuri U.S, nuk karakterizohet nga sjellje që pengojnë qëndrimin e tij në burg të sigurisë së zakonshme, ka vendosur ndryshimin e vëndit të vuajtjes së dënimit. Bazuar ne rregullat e rendit dhe të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të burgjeve, ndryshimi i vendit të vuajtjes së dënimit për këtë të dënuar është në kundërshtim me ligjin.
Ministria e Drejtësisë, do të verifikojë këtë rast dhe rreth 50-raste të tjera të ngjashme, kur në kundërshtim me kriteret ligjore, gjykatat kanë ndryshuar apo kanë lënë pa përcaktuar institucionin e ekzekutimit të vendimit penal për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sigal