N/prefektura e Sarandës çon në prokurori Këshillin Bashkiak

531
Sigal

Ja arsyet pse prej 4 muajsh nuk merret ndihma ekonomike për invalidët dhe nuk shpallen të vlefshme vendimet

N/prefektura e Sarandës bën të ditur për gazetën “Telegraf” se, ka çuar në prokurori Këshillin Bashkiak për shpërdorim të detyrës shtetërore. Ngërçi institucional i krijuar prej katër muajsh mes Këshillit Bashkiak të Sarandës dhe institucionit të n/prefekturës, tanimë ka mbërritur në prokurorinë e rrethit Sarandë. Pas prishjes së koalicionit PD-LSI, ndërroi dhe raporti i përfaqësisë në Këshillin Bashkiak dhe në një mbledhje u shkarkua Kryetari Ilir Nikolla dhe u zgjodh në vend të tij Krenar Islami, por për shkelje të proceduarve ligjore që përcaktojnë zgjedhjen dhe shkarkimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, nga institucioni i n/prefekturës (me kompetenca të zgjeruara) Sarandë, kjo procedurë u quajt e paligjshme. Më pas kryetari i zgjedhur me shumicën e votave, por i pakonfirmuar nga n/prefektura, ka thirrur edhe dy mbledhje, por për arsye se LSI-ja nuk është paraqitur, pasi sipas tyre nuk është mbajtur premtimi nga socialistët për vendet e punës në bazë të marrëveshjes së koalicionit të zgjedhjes së kryekëshilltarit të  ri, përsëri mbledhjet janë quajtur të jashtëligjshme nga n/prefektura e Sarandës. Dhe kështu ka vijuar deri tek mbledhja e fundit, ku janë firmosur disa vendime nga kryekëshilltari i ri, z.Islami. Kjo mbledhje, sipas n/prefektit Mehmet Nelaj, nuk plotësoi kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje dhe nga ana tjetër kryekëshilltari i ri Islami për n/prefekturën është i paligjshëm, si të tilla janë quajtur edhe vendimet e mara prej tij dhe të dërguara për konfirmim ligjor në këtë institucion. Këto vendime, që sipas shkresave, janë zbardhur më 14 tetor 2013 dhe janë çuar në n/prefekturë për konfirmim më 21 tetor, nga kjo e fundit janë vlerësuar si të paligjshme. Ndër vendimet e dërguara është edhe vendimi i marrjes së ndihmës sociale për rreth 300 invalidë të trajtuar me këtë ndihmë, por që prej katër muajsh nga ngërçi i krijuar institucional, nuk po merren nga njerëzit në nevojë, ndihmë, e cila përballohet nga buxheti i shtetit dhe i atij bashkiak. Në vijim të këtij ngërçi katër mujor të krijuar midis institucioneve, n/prefektura e Sarandës ka vendosur të bëjë kallëzim penal për Këshillin Bashkiak për shpërdorim detyre dhe të postit shtetëror mbështetur në nenet 246 dhe 248 të Kodit Penal. Ky, vijon n/prefektura është një ngërç artificial, pasi maxhoranca e re ka mundësinë e zbatimit të proceduarave ligjore dhe zbatimi i ligjit të marrë udhë e ndihma ekonomike të vejë tek të trajtuarit me të.

Kërkesa

Kryetari i ligjshëm, sipas n/prefekturës, Ilir Nikolla, ka kërkuar që të bëhet një mbledhje, ku të paraqitet dorëheqja e tij dhe të zgjidhet kryetari i ri. Por kjo, nuk dihet pse, nuk është pranuar nga këshilltarët socialist. Ndoshta nga plasaritjet e krijuara mes LSI-së për mos respektim të marrëveshjes së koalicionit politik. Gjithsesi të trajtuarat me ndihmë ekonomike do t’u duhet të presin akoma dhe fundin e ngërçit institucional ta zgjidhë drejtësia.