Myfit GUXHOLLI/ Ernest Jakova, 15 vjet i vetëlarguar nga OBVL

812
Kryesia e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionallirimtare (OBVL) konkludon se artikulli i Gjeneral-major (në pension) Ernest Jakova, me titull “Libri 20 vjet OBVL dhe Rrahman Parllaku”, botuar në gazetën “Telegraf” më 4 korrik 2015 është i pabazuar në faktet që provojnë historinë e suksesshme të kësaj organizate. Nuk mund të mohohet fakti që Ernest Jakova është ndër mbështetësit e krijimit të OBVL para 20 vitesh dhe kontributi i tij si anëtar i kryesisë së kësaj organizate deri në vitin 2000. Por më pas, ai është larguar në Itali dhe nuk ka vijuar të ndjekë dhe mbështesë aktivitetin e OBVL-së, megjithë kërkesat dhe ftesat e hërëpashershme të kryesisë së kësaj organizate. Duke sulmuar kryetarin e OBVL, Rrahman Parllaku, gjeneral-lejtënant në pension, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, gjeneral Ernest Jakova nuk bën gjë tjetër, vecse radhitet me korin e kukuvajkave që hedhin baltë mbi Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare dhe që nuk ngurojnë ta cilësojnë LANC si luftë civile. Në të kundërt, gjeneral Parllaku dhe OBVL kanë mbrojtur dhe vlerësuar kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II Botërore dhe të luftrave për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që japim sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Nuk është rastësi ky sulm i paprinciptë kunër gjeneral Parllakut, i cili është ndër të vetmit nga ish të burgosurit politikë të diktaturës, që nuk u pajtua me amnistinë, por bëri gjyq dhe fitoi pafajësinë, titujt dhe gradat, me vendim të Gjykatës së Lartë. Ai është me të vërtetë gjenerali që sfidoi diktaturën komuniste dhe që është përballur me dinjitet edhe këto 20 vite me përfaqësuesit dhe mbrojtjësit e diktaturës dhe të diktatorit Enver Hoxha. Kryesia e OBVL, në analizën që i bëri dje artikullit të gjeneral Ernest Jakovës konstatoi edhe sajesa absurde e “dakortësi” të sajuara prej tij me anëtarët e kryesisë së kësaj organizate, zotërinjtë e nderuar Dhimitër Ndrenika e Genci Ballanca. Nëse z. Ndrenika pohoi se nuk e ka takuar Ernestin që prej 15 vitesh, z. Ballanca u shpreh se nuk ka biseduar kurrë me të lidhur me objeksionet e tij për funksionimin e OBVL. Kryesia e OBVL, sërish vlerësoi nderimin që u bëri Presidenti i Republikës, duke dekoruar dy figurat qëndrore të OBVL: Dr.Ymer Dishnicën-ish kryetari i parë i saj dhe gjeneral-lejtnant Rrahman Parllakun- kreu aktual i saj me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Më 18 korrik u mbushen 21 vjet nga krijimi i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar. OBVL është një organizatë shoqërore atdhetare. Ajo u formua që të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme NÇ, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit diktatorial të E. Hoxhës, mohimet dhe politizimet e bëra nga historiografë të atij regjimi, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Prandaj për të penguar këtë qasje negative, këtë tendencë të dëmshme si për demokracinë ashtu edhe për historinë e popullit shqiptar me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësiht të dënuar nga regjimi komunist u formua Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL). Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin: Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani), Mine Doraci e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Që nga krijimi i saj në korrik 1994, OBVL ka mbajtur pesë kuvende kombëtare. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar është anëtare e Federatës Europiane e Botërore të veteranëve. Me pjesëmarrjen dhe aktivitetet e këtyre federatave, jo vetëm në Europë, por edhe në Malajzi, në Johanesburg, Marok etj kemi bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II Botërore dhe të luftërave për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që japim sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Të pabazuara janë edhe “zhgënjimet” e gjeneral Jakovës lidhur me librin “20 vjet OBVL”, botuar dhe promovuar bujshëm para një viti në sallën e Akademisë së Shkencave të RSH, me praninë e shumë akademikëve e historianëve të mirënjohur nga Shqipëria e Kosova. Në librin mbi historikun e OBVL janë përfshirë shumë veprimtari, por nuk mund të përfshiheshin të gjitha, veçanërisht veprimtaritë e organizatave në qarqe rrethe, bashki dhe komuna. Për këtë do të duheshin shumë vëllime, por besoj se thelbi i këtyre veprimtarive është pasqyruar dhe kjo është një ndihmesë e madhe në historiografinë e LANÇ. Nisur nga bilanci i pasur i veprimtarive, jo vetëm produktive, por edhe cilësore që u fokusuan në konferenca shkencore e sesione jubilare kushtuar Konferencës së Bujanit, të organizuara në Tiranë, Prishinë e Tropojë në bashkëpunim dhe me shoqatën e veteranëve të LANÇ të Kosovës, 95-vjetorit të ditëlindjes të Heroit të Popullit, Rrahman Parllaku, 20 – vjetorit të OBVL, 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës etj, të përfshira këto në librin “20 vjet OBVL – Organizatë e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar” përmbledhtazi mund të themi se ai bën fjalë: “Për orientimin e drejtë të Organizatës, për veprimtarinë e gjallë të saj, për përshkrime të disa jetëve njerëzore, për vetëdijen dhe besimin e veteranëve të Organizatës jo vetëm në Luftë por edhe në Demokraci”. 
Vlerësimi nga historianët
Historiania e mirënjohur Anna Lalaj është shprehur se ky libër në vetvete dëshmon faktin se organizatat dhe shoqatat politike, shoqërore, atdhetare kulturore etj janë asete të rëndësishme, janë pasuri e kësaj shoqërie. Pjesë e kësaj pasurie është edhe OBVL si organizatë shoqërore atdhetare. Të shkruash një libër në ditët e sotme, për prof. Anën nuk është ndonjë çudi. Por në këtë libër, sipas saj “çuditë” ose të papriturat janë të vetë organizatës. Në këtë libër tanimë OBVL ka të dokumentuar punën e vet, ka të dokumentuar shpirtin e vet, ka të dokumentuar ambicjen e vet. Parë nga ky këndvështrim, ish drejtoresha e Institutit të Historisë, shpreh shqertësimin e ligjshëm për faktin se në Shqipëri ka një numër të madh shoqatash, për të drejtat e njeriut, për biznesin, për barazinë gjinore, për të drejtat e fëmijëve, për mjedisin e të tjera e të tjera, por asnjëra nuk ka ndonjë përmbledhje, jo platformë, jo qëllim, jo statut, se ato janë depozitime të domosdoshme juridike; por se çfarë kanë bërë që nga krijimi deri më sot. Nëqoftëse do t’i kishim këto, ne do të kishim në fakt të dokumentuar 24 vjet lëvizje në demokraci. Prandaj ky botim shumë serioz sipas Znj.Lalaj, është ndoshta shembulli i vetëm që na e plotëson këtë nevojë. Kjo për faktin se lexuesi ka tashmë në dorë këtë libër për të njohur punën e organizatës, njerëzit që e përbëjnë, kontributet që ata kanë dhënë e japin dhe gjithë kjo na entuziazmon. 
Konsideratat nga akademiku i Kosovës
Të njëjtat vlerësime pozitive ka shprehur për librin “20 vjet OBVL” edhe akademiku i njohur Kosovar Pajazit Nushi. Si një encikopedi me vlera për historiografinë shqiptare e ka quajtur këtë libër edhe historian Xhemal Meçi, Mjeshtër i Madh, duke e konsideruar një enciklopedi me portrete e profile të më shumë se 100 personalitevete të shuara, ish komandantë e drejtues të LANÇ, të ekzekutuar, burgosur e internuar nga sistemi i diktaturës hoxhiste, të shkundur tashmë nga pluhuri i harresës dhe të evidentuar me tërë aktivitetin e tyre patriotik në dobi të atdheut të tyre. Në 72 – vjetorin e çlirimit të atdheut dhe në 21 – vjetorin e OBVL, ky libër modest vlerësohet nga anëtarë dhe simpatizantë të kësaj organizate si një kontribut për të njohur të kaluarën e lavdishme, për të vlerësuar të sotmen dhe për të projektuar të ardhmen. Për përgatitjen e këtij libri kanë kontribuar dhjetra veteranë me shkrimet e tyre, por një konttribut të veçantë dha redaksia e gazetës “Veterani”, e cila ka punuar shumë dhe për një kohë të gjatë për këtë libër. Gjatë këtyre 21 viteve, me një aktivitet intensiv, OBVL u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e II Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Këto merita të saj u evidentuan sidomos para një viti me rastin e kremtimit të 20-vjetorit të OBVL dhe promovimit të librit “20 vjet OBVL”, botim i redaksisë së gazetës “Veterani”.
Sigal