Mungon krematoriumi, mbetjet spitalore rrezikojnë banorët

574
Sigal

ELBASAN/Drejtuesit e Shëndetit publik fajësojnë firmën e kontraktuar për heqjen, ndërkohë, situata është alarmante

Mbetjet e rrezikshme në qendrën spitalore të Elbasanit vazhdojnë të jenë një kërcënim për jetën e qytetareve të cilët shkojnë dhe të marrin shërbim mjekësorë pranë institucioneve shëndetësore të këtij rrethi. Në mungesë të një krematoriumi, i cili do të mundësonte djegien tyre duke e mbyllur një herë e mirë këtë problem shqetësues për qytetarët, ato depozitohen pranë koshave të mbeturinave pranë kësaj qendre, duke rrezikuar përhapjen e sëmundjeve të rrezikshme infektive duke rrezikuar kështu jetën e qindrave qytetarëve. Sipas Ahmet Mehmetit, kreu i Klubit Ekologjik, “kjo situatë është e rëndë, ndaj duhet ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet shtetërore përkatëse”.

SPECIALISTËT

Prej kohësh, specialistët e Mjedisit, shoqata të ndryshme mjedisore dhe banorët e kanë ngritur zërin për këtë shqetësim, por askush nuk po ndërhynë që ky fenomen të frenohet dhe jeta e banorëve të mos jetë e rrezikuar çdo çast nga mbeturinat e helmëta spitalore. Inxhinieri i mjedisit, Beqir Kila, në një prononcim për gazetën “Telegraf” u shpreh se, ky është një nga problemet për të cilin duhet zgjidhje emergjente dhe e menjëhershme, ndërkohë që po punohet për lidhjen e kontratave me subjekte të licencuar për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Kila shprehet se kjo situatë është alarmante dhe jeta e qytetarëve është në rrezik pasi qytetarët vinë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por që në fakt nga ana tjetër dhe mund të marrin një sëmundje infektive. I pyetur mbi këtë situatë edhe Kryetari i Klubit Ekologjik, Ahmet Mehmeti, është shprehur se, hedhja e mbetjeve spitalore në ambiente të hapura është një rrezik për shëndetin e qytetarëve.

 Titullarët e shëndetësisë

Drejtorja e Qendrës Spitalore, Desantina Tahiraj, e njeh situatën, por ajo thotë se, nga ana e institucionit që ajo drejton, janë aplikuar të gjitha detyrimet ligjore. “Kjo qendër ka lidhur kontratë me një kompani të licencuar për mbetjet spitalore dhe është ajo përgjegjësi për asgjësimin e tyre, gjë, e cila në fakt nuk po ndodh dhe për këtë ne jemi të shqetësuara”,- thotë ajo. Përtej faktit që institucionet shëndetësore e njohin situatën, mjedisorët japin alarmin për këtë situatë, askush nuk po kujtohet të ndërhyjë. Në këtë mënyrë, mbetjet spitalore po vazhdojnë të rrezikojnë jetën e banorëve elbasanas