Moti i keq “mbërthen” vendin, përmbytje në disa qarqe, rreziku vazhdon, mbyllen shkollat

870
Emergjencat Civile njoftuan se dita e sotme dhe ajo e nesërme do të kenë reshje të shumta shiu, të cilat pritet të shkaktojnë përmbytje, më e rrezikuar zona e jugut
Meteorologët kishin lajmëruar tre ditë më parë se vendi nga data 30 nëntor deri në 4 dhjetor, do të jetë i përfshirë nga reshje të shumta shiu. Më të rrezikuara sipas parashikimeve do të ishin Vlora dhe Fieri. Ndërkohë mëngjesi i ditës së djeshme, e gjeti vendin të zymtë dhe me reshje, jo në sasi të mëdha. Në mesditë, prurjet u shtuan së tepërmi. Pati vështirësi në disa qarqe. Emergjencat Civili gjatë gjithë ditës kanë lajmëruar për situatën, madje kanë bërë thirrje që qytetarët të ndihmojnë njëri-tjetrin. Në deklaratë doli edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhakçka. Situata u rëndua së tepërmi në orët e pasdites dhe të darkës. Deri në orët e vona, shirat vazhduan me intensitet të lartë. Policia herë pas herë ka dhënë informacion për gjendjen. Ndërkohë që ndër zonat e prekura ishte edhe ajo e Shkodrës.

Përmbytet autostrada
Reshje intensive të shiut kanë shkaktuar probleme të mëdha në gjithë vendin. Rreth orës 18:30 minuta u raportua për përmbytjen e autostradës Tiranë – Durrës. Disa automjete u mbuluan nga uji, po ashtu shumë të tjera në trafik mbeten të rrezikuara. Drejtuesit e mjeteve apeluan për ndihmë nga Emergjencat Civile pasi situata po agravonte. Reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm. “Në autostradën Tiranë -Durrës, përballë karburant “Kastratit” është bllokuar qarkullimi i mjeteve, pasi niveli i ujit në karrexhatë ka arritur mbi 0,75 metra. Policia Rrugore ka marrë masa duke devijuar qarkullimin e mjeteve në rrugën dytësore përballë me karburantin. Policia Rrugore ka dërguar përforcime me patrulla shtesë. Policia kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe rritjen e kujdesit në rrugë gjatë drejtimit të automjetit. Të telefonojnë në numrin 112 dhe shërbimet e Policisë rrugore dhe ato të rendit do t’ju vijnë në ndihmë menjëherë”, tha policia në një njoftim zyrtar. 

Emergjencat civile 
Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, u shpreh se situata me reshjet pritet të rëndohet gjatë ditës së sotme dhe të shtunën. Sipas tij, në jug të vendit, gjendja do të jetë tejet e keqe, madje priten përmbytje. “Shërbimet meteorologjike vendase dhe të huaja kanë dhënë informacion të detajuar mbi situatën e pritshme, kryesisht për zonën jug-perëndimore. Në vijim të natës së sotme dhe datës 1 dhjetor do të ketë mbi 110 milimetra reshje nga 35 mm që kanë qenë në 24 orët e kaluara”, tha Premçi. Më tej ai shtoi se lumenjtë që do të kenë më shumë prurje, do të jenë Semani dhe Vjosa. Më tej deklaroi se, shtabet e Emergjencave Civile në rrethe janë vënë në gatishmëri me të gjitha strukturat operacionale, duke marrë të gjitha masat paraprake. “Do të ketë erëra të forta dhe shtrëngata shiu, që do të jenë problematike. Në këtë aspekt, reagimi ka rëndësinë e vet, sepse përmbytjen nga mospërmbytja e ndan një vijë e hollë. Sepse, nëse nuk funksionojnë kanalet e nëntokës në zonat urbane dhe ato mbi tokë në ato rurale do të ketë një vërshim të madh”, ka deklaruar Premçi. Ndërsa ka garantuar se sistemet e kanaleve do të jenë të pastruara, shefi i EC ka thënë më tej se qytetet më të rrezikuara do të jenë Vlora, Fieri, Gjirokastra dhe Korça.

Prurjet sipas KESH
Situata e motit ka alarmuar institucionet shtetërore në vend të cilat janë duke bërë rifreskimin e situatës moment pas momenti. Deri më tani mësohen të dhënat jepen mbi situatën e rrugëve, atë energjetike, kaskadën e Drinit si dhe infrastrukturën e kullimit.

KESH bëri me dije të dhënat e tij të orës 14 të ditës së djeshme. Konkretisht këto të dhëna janë si më poshtë:
FIERZA: Kuota, 268.45 m; Prodhimi =0 MW; Prurjet =400m3/s.
KOMANI : Kuota 172.80 m, Prurjet =1200m3/s; P=430 MW.
Vau i Dejes, kuota 73.81 m, prurjet 160m3/s, P=60 MW

Ndërsa OSHEE njoftoi probleme me energjinë në të gjitha qarqet, kryesisht në fshatrat e tyre. 

Evakuimi i disa familjeve në qarqe
Tre familje janë evakuuar nga banesat për shkak të përmbytjeve. Pas evakuimit të 3 familjeve në Vlorë, po kaq të tjera janë evakuuar nga fshati Laknas në Tiranë. Është dashur ndërhyrja e Emergjencave Civile për të bërë të mundur largimin e familjeve, pasi banesat e tyre u përmbytën. Si rezultat i reshjeve disa zona në kryeqytet u ndodhen nën pushtetin e ujërave. Në kryeqytet uji nuk ka kursyer as komisariatin e policisë numër 5. Në disa fshatra të Vlorës, gjendja u përkeqësua pasditen e djeshme. Emergjencat Civile kanë qenë në gatishmëri dhe arritën t’i largonin personat nga banesat e tyre për t’i shpëtuar mbytjes. Në Shkodër disa persona u bllokuan nga uji dhe falë ndërhyrjes së të afërmve arritën të dilnin. Akse të shumta rrugore në të gjithë vendin, janë bllokuar si pasojë e rënieve të gurëve. Kështu u raportua se në Berat e Çorovodë, shumë gurë kanë rënë në rrugë, duke pezulluar qarkullimin. 

Ndërprerja e mësimit
Pas situatës së krijuar nga moti i keq, ku disa zona janë përmbytur tashmë, Ministria e Arsimit merr vendimin të pezullojë mësimin në të gjithë Shqipërinë për ditën e sotme, 1 dhjetor 2017. “Për shkak të përkeqësimit të motit në të gjithë vendin, si dhe nga informacionet e marra nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore mbi situatën e reshjeve të dendura të shiut, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njofton pezullimin e procesit mësimor, në datën 1 dhjetor 2017, në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniveristar”, -thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sigal