Moti i keq “mbërthen” Shqipërinë. Dëmtohen urat dhe rrugët në disa zona; probleme edhe me linjat e energjisë

119
Sigal

Reshjet e shumta të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar problemet në disa qytete të Shqipërisë. Në shumë zona ka pasur rrëshqitje dherash si pasojë e vërshimit të ujërave si dhe inertet e kanë bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve të vogla.

Në Dibër, shirat kanë shkaktuar problematika ndërsa segmenti i rrugës të Arbrit: Bulqizë-Peshkopi ka pak rënie gurësh duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në aksin Rrëshen-Bukmirë, i cili është bërë i pakalueshëm. Sipas Emergjencave Civile në qarkun e Shkodrës, ka pasur dëmtime në disa rrugë kryesisht në zonat rurale si dhe janë dëmtuar ura e kanale vaditëse.

Në Shëngjin, uji ka vërshuar në rrugë, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Ndërkohë nga moti i keq janë dëmtuar linjat elektrike e për pasojë kanë mbetur pa energji elektrike fshatrat e Zadrimës.

Në Pukë janë dëmtuar urat që lidhin disa fshatra për shkak të prurjeve të përrenjve dhe ujësjellësit. Kryebashkiaku Gjon Gjonaj thotë se situata është e vështirë në disa fshatra kryesisht nga përrenjtë malorë.

Ndërkohë Emergjencat Civile në qarkun e Shkodrës kanë dhënë detaje në lidhje me problematikat e krijuara nga moti me reshje të dendura shiu në vend. Sipas Emergjencave Civile probleme ka pasur në disa rrugë kryesisht në zonat rurale si dhe janë dëmtuar ura e kanale vaditëse.

“Në bashkinë Shkodër nga reshjet nuk ka dëme. Vetëm në rrugën e Dukagjinit ka patur rrëshqitje dherash e gurësh për të cilat do të punohet sot përmes një fadrome për largimin e tyre. Ndërkohë në Theth një natë më parë pati prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda. Ura që lidh fshatin Theth me Ndërlysaj nuk është dëmtuar nga reshjet, por firma që po punon për rrugën e re atje, ka ndërhyrë pasi do të bëjë rikonstruksionin e plotë të urës. Në pjesën tjetër të njësisë nuk raportohen dëme, por në disa zona ka patur shkëputje të energjisë si pasojë e linjave të amortizuara.

Nga konstatimet e tanishme rezulton se kemi dëme të konsiderueshme në rrugët rurale, ura, kanale vaditëse etj.

Në njësinë Administrative Qelëz: Është dëmtuar totalisht rruga Qelëz- Ukth Maja e Murgës

Rrëshqitje e trupit të rrugës në rrugën e Kabashit Memaj Buhot, rruga Bicaj-Blinisht-Krove. Rrëshqitje e trupit të rrugës, shembje masive të trupit të rrugës.

Njësia Gjegjan:

Dëmtime në çatinë e shkollës qendër Gjegjan.

Rrugët rurale kanë pësuar shkarje dhe rrëshqitje masive.

Kanali vaditës Rras-Kuzhnen është dëmtuar plotësisht. Ura e Rras Kuzhnen është dëmtuar plotësisht

Për njësinë Pukë kemi rrëshqitje të trupit të digës së rezervuarit.

Për ndërhyrje në stabilizimin e situatës kërkohen 2 mjete Fadrome dhe 1 kamion.

Mbetemi në pritje të ndihmës konkrete.’- njoftojnë Emergjencat Civile.

Masat për këtë situatë janë marrë që ditën e djeshme. Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi se vendi ynë do të përfshihet nga erëra të forta dhe shi në formë rrebeshi me intensitet të lartë.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve, që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë , që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit”, njoftoi DPD.

Autoriteti Rrugor Shqiptar jep informacion lidhur me situatën e rrugëve në vend, pas reshjeve që kanë përfshirë vendin gjatë gjithë natës.

Në Rajonin Verior reshjet kanë qenë me intensitet më të lartë duke sjellë rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës si, në: Tamarë-Vermosh, Hani Hotit-Tamarë, në Valbonë nga kilometri 3 deri në kilometrin 10.

Në aksin Bogë-Theth ka pasur probleme me prurjet e përrenjve në trup të rrugës tashmë janë pastruar dhe aksi është i kalueshëm pa probleme.

ARRSH thotë se kontraktorët e mirëmbajtjes me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje për të mbajtur gjendjen e akseve në normalitet.