Moti i keq/ Këto janë akset më problematike në vend, ka vështirësi në qarkullim (Njoftimi)

136
Sigal

Moti i keq në vend, njoftimi:

“Ministria e Mbrojtjes njofton se në të gjithë vendin ka patur reshje me intensitet shumë të lartë, të cilat kanë sjellë problemtaika si: Rrëshqitje gurësh, dherash, bllokime rrugësh nga dëbora etj., të cilat janë menaxhuar dhe rikthyer në gjendje normale nga strukturat e emergjencave civile.

Të gjitha kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, për të përballuar situatën dhe për të ndihmuar në zhvendosjen e popullsisë, gjësë së gjallë dhe bazës ushqimore nga zonat më të rrezikuara në zona më të sigurta, në rast se do të jetë e nevojshme.
Në qarkun e Shkodrës firmat kontraktore kanë punuar për të pastruar akset rrugore Tamarë- Qafa e Bërdalecit,ku ka pasur rënie gurësh dhe inerte si dhe aksin Theth- Qafë Thore nga dëbora.

Nën monitorim është situata e krijuar nga fryrja e lumit Erzen, në zonën e Sukthit.

Me vëmendje po ndiqet situata në Dibër, ku policia po drejton kalimin e mjeteve drejt Dibrës dhe Tiranës, në aksin rrugor Dibër- Tiranë pranë tunelit, ku për shkak të rrëshqitjes së 2 mjeteve nga dëbora u bllokua qarkullimi. Aktualisht strukturat e emergjencave civile janë në ndjekje të situatës në qarkun e Elbasanit. Situata paraqitet e normalizuar në aksin rrugor Librazhd-Zgosht, ku pati rënie të gurëve në rrugë. Aksi rrugor Bajram Curri- Valbonë, në qarkun e Kukësit është i hapur dhe pa probleme. Edhe në Korçë po punohet me borëpastruese për të mbajtur të hapur aksin rrugor Boboshticë- Dardhë, ku ka pasur reshje dëbore.

Strukturat vendore të emergjencave civile janë në gatishmëri edhe në qarkun e Vlorës, ku ka një ngritje të nivelit të Lumit Vjosa në Urën e Mifolit”