Mot i keq, MPB: Situata problematike në Durrës dhe Kavajë

658
Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se dhjetëra familje janë evakuuar në Tiranë dhe Dibër, pasi banesat e tyre rrezikojnë të përmbyten, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati.
Shirat e dendur që kanë përfshirë sot vendin, kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në qarkun Tiranë, Lezhë, Durrës dhe Dibër.
Ministria e Brendshme njofton për situatën e krijuar nga përmbytjet deri në orën 20:00
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se situata e orëve të fundit në disa prej qarqeve të goditura nga përmbytjet e ujërave, po stabilizohet dhe po vjen në përmirësim gradual. Ulja e intensitetit të reshjeve dhe puna e hidrovoreve ka sjellë një ulje të nivelit të ujërave. Ndërkohë në zonat problematike dhe me rrezik, janë marrë masat për evakuimin e banorëve, sigurimin e argjinaturave, ose vendosjen e inerteve në pikat e përmbytjeve pranë lumenjve.
Qarku Elbasan
Rezervuari i Millës, i cili paraqiste problem para disa orësh, tani është vënë në kontroll. Por ka ende prurje të larta të përrojit të Zaranikës dhe të lumit Shkumbin.
Qarku Lezhë
Në qarkun Lezhë intensiteti i reshjeve ka rënë dhe uji po largohet nga qyteti.
Bashkia Vlorë
Rruga e tunelit të Ujit të Ftohtë është hapur dhe qarkullimi po vijon normalisht. Ndërkohë ka rënë pak intesiteti i rreshjeve.
Lushnjë & Divjakë
Në Lushnjë po punohet për forcimin dhe mbajtjen e argjinaturës së lumit Shkumbin. Të gjithë strukturat janë në terren. Për shkak të vërshimit të ujërave njoftohet se treni i udhëtarëve të linjës në orët e pasdites, u kthye mbrapsht për në Rrogozhinë.
Qarku Dibër
Njoftohen prurje të larta të lumit Drin, ndaj po hidhen inerte në argjinaturën pranë fshatit Gjoricë. Në terren ndodhen forcat e policisë, mjetet e ushtrisë, të cilat janë në gatishmëri për çdo situatë emergjence.
Bashkia Durrës
Në qytetin e Durrësit janë vërejtur disa zona të përmbytura, kryesisht afër stacionit hekurudhor.
Bashkia Shijak
Në këtë Bashki ka pasur shumë prurje të lumit Erzen dhe për këtë arsye janë evakuuar 11 familje që rrezikoheshin të përmbyteshin.
Bashkia Kavajë
Si rezultat i reshjeve, është krijuar një situatë e rëndë dhe shqetësuese nga prurjet e përrenjve Leshniqe dhe Draç, në rrjedhjen e fundit të të cilëve, është krijuar përmbytje në fshatin Qerret të njësisë administrative Golem dhe në fshatin Rrrikaj të njësisë administrative Synej, bashkia Kavajë.
Nga prurjet e ujit të këtyre përrenjve janë përmbytur shumë shtëpi si dhe tokat bujqësore të kësaj zonë. Bashkia Kavajë mori masat e nevojshme për evakuimin e banorëve nga shtëpitë e përmbytura duke i sistemuar nëpër familje të tjera, si dhe është dhënë urdhër që këto familje të sistemohen në zyrat e njësive administrative apo në shkollat e fshatit.
Situata po ndiqet nga Shtabet e Emergjencave si dhe nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Shtabet e Emergjencave në qarqet që kanë probleme, janë duke monitoruar dhe punuar me të gjitha strukturat e specializuara.
U bëjmë përsëri apel qytetarëve që për të gjitha rastet e emergjencave të telefonojnë në numrin 129 të policisë së Shtetit apo në numrin 128 të Shërbimit zjarrfikës.
Sigal