Moszbatimi i rregullave të përllogaritjes së fondit limit të kontratave, rritje e mundësive për abuzime me fondet e tenderuar

2860
Fadil Dekovi 
Auditues në KLSH
Shoqëria është e interesuar që fondet e tenderuara për kryerjen e punimeve publike, të shërbimeve apo blerjen e mallrave, të përdoren sa më mire, me efektivitet, duke marrë më shumë aktive e shërbime në këmbim të fondeve sa më të vogla. Për të arritur këtë qëllim, faze e rëndësishme për rritjen e përgjegjësisë të autoriteteve kontraktore, është ajo për llogaritjen e vlerës së kontratave, ose ndryshe përcaktimi i fondit limit. Në nenin 59, pika 2 të VKM nr.914, date 29.12.2014, përcaktohet: “Në përllogaritjen e vlerës limit të kontratës, autoriteti kontraktor duhet t’i referohet një ose më shumë alternativave të renditura, si më poshtë:

çmimet e botuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ose/dhe çmime të tjera zyrtare, të njohura nga institucionet përkatëse (si për shembull, nga organet tatimore a doganore, dhomat e tregtisë, në manual etj); ose/dhe çmimet e tregut; ose/dhe çmimet e kontratave të mëparshme, të realizuara nga vetë apo nga autoritete të tjera kontraktore; ose/dhe ç) çmimet ndërkombëtare, të botuara. Çfarë ndodhë në realitetin e përditshëm, Si e përcaktojnë autoritetet kontraktore (AK) çmimin për njësi të mallit apo shërbimit dhe vlerën e fondit limit? Pothuajse ne të gjithë AK, mënyra e përllogaritjes së vlerës së kontratave është nëpërmjet marrjes privatisht të ofertave nga tre ose më shumë operatorë ekonomik, duke e vlerësuar këtë mënyrë procedimi si formë të studimit të tregut. Mbas këtij hapi, bëhet mesatarizimi i ofertave dhe nxjerrja e një çmimi që u shërben Autoriteteve Kontraktore të përllogarisin vlerën e kontratave, mbi bazën e sasive të mallrave apo shërbimeve.

Çfarë pasojash paraqet kjo në arritjen e rezultateve në procedurat e konkurrimit:
Realisht nëpërmjet kësaj forme, AK nuk njeh nivelin e çmimeve të tregut, ky tregues kufizohet në subjektivitetin e ofertuesve që japin ofertat. Nga ana tjetër, mesatarizimi i çmimit të ofertave, favorizon, në disa raste edhe padrejtësisht, operatorët ekonomik që kanë paraqitur oferta me çmimet më të ulëta për njësi. Për të shmangur subjektivitetin, për njohjen e gjendjes reale të tregut, kërkohet studimi periodik i çmimeve dhe për këtë duhen kombinuar alternativat e mësipërme të përllogaritjes së fondit limit. Çfarë konstatohet në praktikën e ndjekur nga autoritetet kontraktuese lidhur me përllogaritjen e fondit limit? -Në prokurimet me objekt shërbime, aktivitete periodike promovimi në një institucion, është konstatuar se përllogaritja e shpenzimeve të aktiviteteve, bëhet duke grupuar mallra apo shërbime me karakteristika të ndryshme, duke marrë një çmim të vetëm për njësi. Për shembull, blerje e materialeve promovuese, poster, marrje e mjeteve me logon e institucionit, marrje me qira e makinave ose biçikletave lëvizëse, city-light etj. Për kryerjen e prokurimit me objekt “Shpenzime mbrojtje bimësh & luftimi i parazitëve në bujqësi, luftimi i miut të arave”, përcaktimi i fondit limit nuk ka marrë në konsideratë shkallën e infeksionit nga brejtësit, të ngastrave të tokave për dezinfektim (infeksion i shkallës së lartë, të mesme etj). Përcaktimi i specifikimeve teknike dhe termave të referencës, për sasinë e preparatit që do të përdoret në njësinë e sipërfaqes, është e lidhur ngushtë me përcaktimin e shkallës së infeksionit, përpara kryerjes së dezinfektimit. Në këtë procedure, përllogaritja e fondit limit duke shfrytëzuar treguesit e kontratave të mëparshme të realizuara, do të kishte qenë më e leverdishme pë rautoritetin kontraktor. Kjo sepse në përmjet marrjes së ofertave dhe mesatarizimit të tyre, çmimi neto ka dalë 3,690 lekë, kurse në tenderin e periudhës së mëparshme, të vitit 2016, çmimi i kontraktuar ka qenë 2,910 lekë, pra me një diferencë 780 lekë/për njësi ose rreth 27 % më e lartë, diferencë relativisht e madhe. Kjo mënyrë e llogaritjes nuk i ka shërbyer objektivit të prokurimit, për rritjen e eficiencës, efikasitetit të procedurave dhe mirë-përdorimit të fondeve duke rritur shpenzimet. -Autoriteti kontraktor për llogaritjen e fondit limit, duhet të shfrytëzojë me precedence treguesit e institucioneve të specializuara kombëtare e ndërkombëtare në shkëmbimin e mallrave apo mbikëqyrjen si dogana, dhomat e tregtisë etj, të dhënat e internetit etj, pasi çmimet janë të azhurnuar. Shpesh nuk vlerësohen këto mundësi. Kështu, për “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit”, përllogaritja e fondit limit, është mbështetur në ofertat që janë marrë nga subjektet që operojnë në këtë fushë, brenda vendit, ndërsa malli është kërkuar të merret nga jashtë vendit. Çmimet e ofruar nga operatorët ekonomik të vendit, kanë qenë të lartë, duke mos iu përgjigjur çmimeve të tregut të vendit, çmimeve të shitjes edhe gjatë vitit 2016, periudhë kur është kryer procedura. Nga auditimi i dokumentacionit të shitjeve, ka rezultuar se nuk ka pasur analizë për çmimin e mallit, ato nuk kanë pasqyruar gjendjen reale të tregut. Kemi arritur në këtë konkluzion, nëpërmjet analizës të çmimeve të ofertave, paraqitur nga i njëjti operator ekonomik në dy moment të ndryshme të procedurës. Çmimet në ofertën konkurruese me ato të paraqitur në ofertën për studimin e tregut (5 ditë para konkurrimit në tender), kanë pasur diferencë, duke qenë më te lartë për 8,211 lekë për krerë, duke sjellë një rritje artificial të vlerës për mallin e blerë, për rreth 8 milion lekë në dëm të buxhetit të shtetit. Në prokurimin me objekt “Blerje pajisjesh për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta)”, grupi i punës ka paraqitur llogaritjen e fondit limit, përsëri duke u mbështetur në marrjen e tre ofertave. Çmimet e paraqitur, kanë rezultuar me mbi 50 % më të lartë se çmimet e tregut. Konkretisht për motoçikletën “Lifan tip 100-A” çmimi varion nga 980-1050 euro (burimi- çmimet nga interneti), ndërsa blerja është bërë me çmimin rreth 2700 euro. Problem i rëndësishëm gjatë përgatitjes së procedurave për konkurrim nëpërmjet tenderëve, është përcaktimi i saktë i afateve për marrjen e shërbimit, në funksion të përcaktimit të vlerës së fondit limit. Mendojmë se këto moment të përllogaritjes së fondit limit, autoritetet kontraktore duhet t’i shfrytëzojnë në funksion të arritjes së qëllimit për rritjen e efektivitetit të fondeve, duke pare e vlerësuar rast pas rasti, sipas objekteve të prokurimit, duke përdorur të kombinuara alternativat e pa shikuara nga baza ligjore e prokurimeve.
Sigal