Mos shkoni në sportele! AKSHI sqaron: Si paguhen faturat e energjisë elektrike në e-Albania

62

Një nga shqetësimet e shumta të qytetarëve në këto ditë karantine mbetet pagesa e faturave të energjisë elektrike.

Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tolerim në mospagesën e energjisë elektrike. Të gjithë qytetarët mund t’i paguajnë faturat pa qenë nevoja të dalin nga shtëpia. Pagesa bëhet lehtësisht në e-Albania, një shërbim ky që ekziston prej kohësh në portal.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit (AKSHI) sqaron për  procedurat që duhet të zbatojnë qytetarët dhe biznesi për pagesat e dritave pa dalë nga shtëpia. AKSHI thekson se pagesa nga shtëpia mund të kryhet me çfarëdo lloj karte debiti apo krediti që disponohet.

AKSHI sqaron se shërbimi online për pagesat e dritave mundësohet online vetëm duke vendosur numrin e kartës të debitit apo kreditit, të çdolloj banke që disponohet, pa pasur shërbimin “home banking”.

“Konkretisht, qytetari apo biznesi hyn në platformen e-Albania duke u identifikuar si qytetar ose si bzines. Qytetari apo biznesi mund të printojë faturën e muajit të kaluar të energjisë elektrike si dhe mund ta paguajë atë direkt përmes kartave të debitit ose të kreditit.

Procedura në e-Albania të mundëson të gjenerosh edhe faturat e energjisë elektrike të papaguara bashkë me kamatvonesat, pa qenë nevoja të paraqiteni në sportele, në zbatim të masave kundër COVID-19”, shpjegon AKSHI.

Procedura e plotë për pagesën e energjisë elektrike në e-Albania;

Dokumentacioni i nevojshëm

– Dokumenti i identifikimit të përdoruesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike, i nevojshëm për t’u identifikuar si qytetar në portalin e-Albania;

– NUIS (Numri Unik i Identifikimit të Subjektit), i nevojshëm për t’u identifikuar si biznes në portalin e-Albania.

Hapat e procedurës

– Identifikohuni si qytetar ose biznes në portalin e-Albania;

– Vendosni kodin e klientit dhe klikoni butonin “Afisho”;

– Klikoni butonin “Fatura” në qoftë se dëshironi të gjeneroni faturën. Faturën mund ta printoni ose ta ruani në formatin “PDF”.

– Në rast se do të kryeni pagesën online, klikoni butonin “Paguaj” dhe ndiqni hapat për të kryer pagesën;

Sa përdoren kartat bankare dhe të kreditit në Shqipëri

Ndërsa këshillohet që qytetarët të kufizojnë daljet nga shtëpia, në vend kategoria e pensionistëve që janë edhe shtresa më korrekte me pagesat e dritave dhe ujit janë të familjarizuar për t’i kryer ato në sportele.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria kishte 44 karta krediti për 1,000 banorë në vitin 2018. Ndonëse ka ardhur në rritje në raport me vitet e mëparshme (treguesi ishte 28 në 2013-n), sërish kemi përdorimin më të ulët të tyre në Europë.

Nivel të ulët kanë dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Mali i Zi (64), Kosova me 131 karta për 1000 banorë, që gjithsesi është tre herë më i lartë sesa i joni, Bosnja (140).

Më mirë në rajon janë Maqedonia (214) dhe Serbia (202).

Në shtetet e Europës Perëndimore, karta e kreditit është një mjet i zakonshëm pagese, ku çdo i rritur e zotëron një të tillë. Rekordin në Europë e mban Norvegjia, me 1,592 karta për 1,000 banorë, pra mesatarisht çdo banor ka më shumë se një kartë, e ndjekur nga Spanja (1,287), Suedia (1,062).

Po ashtu sipas të dhënave zyrtare të Bankës të Shqipërisë për vitin 2018 pati një rritje me 4.46% e emetimit të kartave të debitit dhe me 9.47% e kartave të kreditit. Gjithashtu, përdorimi në treg i kartave me funksion paraje elektronike ka paraqitur ritme të shpejta rritëse, gjatë vitit përkatësisht, me 24.67%, krahësuar me një vit më parë.