Model i thjeshtësisë qytetare, intelektualit, pedagogut, politikanit dhe mbi të gjitha shërbestar i Shqipërisë

764
Nga Enver Memishaj

Personalitete si Bujar Leskaj emancipojnë dhe zhvillojnë shoqërinë

Aty ku s’ka rrugë hapeni vetë.
Hanibali
Më 3 korrik të vitit që shkoi Prof. Bardhosh Gaçe dhe Gëzim Zilja organizuan një grup vlonjatësh për t’i uruar z. Bujar Leskaj, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 50 vjetorin e lindjes… 
Nën thinjat e bardha që kishin filluar t’i pushtonin kryet fshiheshin 50 vjet jetë të atij burri me aktivitet intensiv dhe të shumanshëm. Befas më shkreptiu në mëndje kujtimi i paharrueshëm dhe i papërsëritshëm i udhës së jetës që kishim përshkruar bashkë. Shumë gjëra doja t’i thosha atë ditë Bujarit, për 25 vitet që kishim kaluar bashkë, në të mirë dhe në të keqe, në vështirësi dhe ditë të lumtura, por kishte radhë, sepse duhet të fliste edhe Ibrahimi, edhe Bajrami, edhe Mevlani…
Kështu që u lashë radhë shokëve, por në vetëdijen time u kujtuan u përsëritën e ripërsëritën ngjarjet e një jete të ngjeshur me ulje e ngritje, që kishim përshkruar bashkë. E së fundi këto mendime vinin e rreshtoheshin në një artikull gazete. E shihja atë, mikun tim, se si diti me mendjemprehtësinë karakteristike të tij të ndërtoi marrëdhëniet e individit me shoqërinë dhe shtetin, me synim për ti dhënë vendit të tij. Porsa artikulli hartohej në kujtesën time e fshija menjëherë, sepse nuk isha unë ai që duhet shkruante për Bujar Leskaj, por koha kaloi e ky mendim i përsëritur dhe ripërsëritur në procesin e kujtimeve erdhi së fundi e u pasqyrua në këtë artikull, sepse duhet të jemi ne që të pohojmë për këtë vend. Vendosa kështu sepse ka rëndësi jo historia e tij, por vepra e tij në dobi të shoqërisë sonë. Nuk do të flas këtu për sukseset e tij në punë, ato janë evidentuar në shtyp dhe po kështu vazhdojnë të evidentohen çdo ditë. Askush s’ka bërë përpara tij sa ai në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë do të flas për personalitetin e tij. Pra, do të bëj të njohur anën njerëzore të Bujar Leskajt, sepse njerëzit kanë se çfarë të mësojnë nga shembulli i jetës së tij, nga miqësia tij, dashuria dhe besimi. Me këtë frymëzim po ua përcjell lexuesve vetitë e qytetarit vlonjate, Bujar Leskaj. Pas vitit 1997, rrethanat e bënë shumë të vështirë jetën e familjes sime, por duke pasur pranë një mik si Bujar Leskaj, i cili ma mbajti kokën lart, vështirësitë u kapërcyen e unë vazhdova të luaja një rol në shoqëri.
Kështu po radhis këtu poshtë ato që nuk munda t’ia thosha atë ditë Bujarit, me qëllim edhe t’i jap fund xhelozisë së njerëzve të pakët që, ndofta luajnë rol lidhur me vlerësimin e personalitetit të tij.
Njeriu
Do të dëshiroja të shkruaja se si e kam njohur unë këtë njeri. Atë e njohin shumë në Shqipëri në Kosovë dhe në gjithë Evropën si dhe në Amerikë.
Ai me veprimtarinë e tij, zellin, altruizmin, dëshirën e mirëfilltë për të ndihmuar të tjerët, këmbënguljen për të vërtetën, me përkushtim arriti suksese në jetë që e bënë qytetar me vizion evropian. 
Le të nderojmë pra njeriun, model i thjeshtësisë qytetare, intelektualit, pedagogut, politikanit dhe mbi të gjitha shërbestar i Shqipërisë.
Mundësitë që na shfaqen në jetë janë të shumta dhe të ngatërruara, por Bujar Leskaj diti t’i kapte dhe t’i shfrytëzonte mundësitë në favor të tij. Ai diti të mësojë nga praktika jetësore dhe pësimet e tij, apo të shoqërisë rreth tij, diti t’i kthente në mësime te vyera për jetën e tij të ardhshme, diti pra të kap shansin e jetës dhe ta shfrytëzoi atë për t’u ngjitur lart e më lart, në shoqëri, në politikë, në administratën shtetërore. 
Dinte me gjakftohtësi të zhvishte dëgjesat nga veli i gojëdhënës, dhe kështu ishte gjakftohtë dhe nuk krijonte përplasje në jetë. Përplasjet dhe debatet i kishte për ide dhe mendime shoqërore. 
I kudondodhur në gëzime dhe hidhërime të shoqërisë. Ai kujtohet me respekt që nga njerëzit e zakonshëm e deri te ata që janë vlera të vërteta të shoqërisë njerëzore. Kështu ai ngushëllon një djalë të mbetur jetim në Durrës duke i thënë: “ Behu i fortë Ahoi se edhe xhaxhi Bujarin e ka lënë nëna 12 vjeç. Jetën e ke përpara dhe derën time do ta kesh të hapur kurdoherë”. Fjalët e tija ishin mjaft prekëse për momentin, kujton gjyshi i djalit Agim Bleta. Momente të tilla është e vështirë që të shkulen nga kujtesa e familjarëve dhe shoqërisë. 
Bujari kishte zemër të butë dhe ishte ashtu si e kishte emrin: bujar. Një ditë ndodheshim në vendlindjen e nënës së tij, në Vajzë të Vlorës. Në bisedë me Namik Zenelin, që kishte vuajtur 17 vjet në burgje ai na tregoi, se djalin e tij të vetëm e kishte martuar në moshën 16 vjeçare… Ashtu i tha Bujari dhe hoqi nga gishti unazën e tij të shtrenjtë dhe ia vuri në gisht djalit të Namikut…
Sa e sa raste ka të tilla, sa sponsorizime, sa përkrahje dhe mbështetje për grupet folklorike, sa mbështetje për të munduarit dhe të varfrit kemi parë të bënte Bujar Leskaj. 
Të gjithë luftojmë për ekzistencën në jetë, për të qenë të pranishëm në këtë botë. Një rëndësi shumë të madhe ka kurajua, guximi, vullneti dhe bindja e njeriut për të arritur majat. Në saje të këtyre cilësive Bujar Leskaj arriti aty ku është sot. 
Intelektuali atdhetar 
Shkollën e parë të jetës e filloi në moshën 12 vjeçare kur i vdiq e ëma. Shkollën e mesme e kreu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1990 u diplomua në Fakultetin Inxhinierisë, në vitin 1998 në Fakulteti e Ekonomisë dhe në vitin 2002 në Fakulteti Drejtësisë, avokat në vitin 2004. 
Natyra e kishte gatuar me një brumë që donte vetëm të ecte përpara dhe të ngjitej lart, prandaj pas tre diplomave të universitetit, mendja tij vazhdoi të thithë dituri me studime pas universitare në SHBA, në Gjermani dhe në Universitetin e Tiranës master në financë dhe doktor i shkencave ekonomike në vitin 2009.
Kultura e lartë e kishte bërë të dallonte kotësinë dhe vlerën. Kështu ai kishte ndërtuar murin e lartë të vlerave intelektuale dhe atdhetare, që të gjitha sulmet dhe shpifjet thyheshin përpara këtij muri e bëheshin copë e thërrime. 
Ajnshtajni pati thënë: “E keqja shoqërisë nuk i vjen nga injorantët që flasin, por nga të diturit që heshtin”. Nisur nga ky parim Bujar Leskaj nuk mund të heshtte në pranverën e përgjakur të vitit ’97, kur shumë kush nga ata që e quanin veten trima u futën skutave. Në këtë moment të vështirë për vendin ai nuk heshti, ngriti zërin dhe shkoi nga e vërteta. Kështu ai mori pozicionin luftarak, pozicion që do shpinte shumë përpara. Por duhet thënë se për t’i hyrë kësaj rruge në një kohë shumë të vështirë për vendin ai më parë e pati shtruar udhën e tij të jetës me shembullin në shkollë, në shoqëri dhe në punë. Atë vit dukej sikur Partisë Demokratike i kishte mbaruar municioni, por gjithmonë në kohë të vështira dalin disa njerëz që dinë përse luftojnë si Bujar Leskaj dhe e nxjerrin në dritë të vërtetën.
Bujari ka një dashuri të pakufishme për atdheun e tij, veçanërisht për Vlorën, por edhe për vendin e origjinës Drashovicën. Kudo ku punoi përsipër tavolinës së punës në mur do të kishte varur një pamje të bukur të Vlorës. Më vonë ai nuk i ndau asnjëherë nga zyra portretet e Ismail Qemalit dhe Ibrahim Rugovës. Mbante në zyrë përpara vetës tij edhe miniskulptura të Ismail Qemalit, Rugovës, Nënë Terezës etj. Ka pasion pikturën dhe zotëron një koleksion të madhe pikturash shumë-vlerëshe si dhe një bibliotekë të madhe.
Flet me durim dhe dashuri të veçantë për trojet shqiptare jashtë kufijve zyrtarë. Në krye të Institutit Politik “Ismail Qemali”, që e kishte themeluar dhe e drejtonte vetë, zhvillonte konferenca me tema atdhetarie, veçanërisht për Kosovën dhe personalitete të shquara të historisë sonë. 
Vlonjatët krenohen me emrin e Bujar Leskajt, sepse ajo çka bëri ai për Vlorën dhe fshatrat e sajë, për personalitete të mbuluara me harresë, për ngjarje historike, për data përkujtimore, për folklorin, për propozime për dekorime të personaliteteve dhe fshatrave, për lidhjet e Shqipërisë dhe Labërisë me Kosovën, për botime në fushën e kulturës etj, etj janë vepra të mëdha atdhetarie. 
E kam parë me sytë e mi se sa i guximshëm, sypatrembur dhe optimist ishte Bujari si intelektual atdhetar. 
Politikani 
Në turbulencat politike shqiptare ai me mendjemprehtësinë karakteristike të tij diti të orientohej drejt. Historia e politikanit Bujar Leskaj si mund të filloi ndryshe veçse duke sjellë ndërmend atë hark kohor që na kthen mbrapa në vitet e përpjekjeve për të qëndruar përball tytave të pushkëve të komunistëve në pranverën e përgjakur të vitit ’97. Ishte një periudhë kohore heroike që e vinte në provë njeriun. Atë vit kur Bujar Leskaj me shokë qëndroi si burrat, Sali Berisha na quajti qëndrestarë. Në përpjekjet për të qëndruar përpara luftës që ishte ndërmarrë kundër Partisë Demokratike, më 26 shkurt 1997, unë thirra një takim në Zyrat e Tatim Taksave, ku isha drejtor. Për të marrë pjesë në këtë takim lajmërova shumë anëtarë dhe simpatizant të Partisë Demokratike. Unë kam mbajtur shënim për ata që nuk erdhën, nga frika ose siç thotë populli ata që u futën në brekët e grave. Disa qytetarë të tjerë, që sapo morën vesh se po bëhej një takim në Zyrën e Tatim Taksave, nuk pritën lajmërim, por erdhën atje me qëllimin për t`iu shërbyer idealeve paqësore të Partisë Demokratike dhe për të ndalur revanshin e komunistëve të Vlorës.
Ndër këta qytetar përmendim me nderim Bujar Leskaj. Pranvera e përgjakur e atij viti, e vuri këtë burrë në mendime të thella se nga anonte rrafshi i balancës së drejtësisë. Ai e pa se komunistët kishin marrë armët, dhe se drejtësia ishte me Partinë Demokratike, prandaj që ato ditë ai nuk u nda asnjë çast nga Partia Demokratike. Bujari ishte njeri me aftësi të mëdha dhe Partia në ato kohë shumë të vështira pati nevojë për ndihmën e tij dhe ai ja dha pa kursim. Ai në emër të një qëllimi fisnik për t’i shërbyer demokracisë ishte i aftë dhe pranoi edhe të sakrifikoi. Koha i dha të drejtë atij dhe e vërtetojë këtë. Ekzistenca i mban të fshehura vlerat dhe jemi ne ata që duhet t’i zbulojmë. Kështu edhe në rastin e Bujarit ishte Partia Demokratike dhe kryetari saj z. Sali Berisha, pas përshkrimit që unë i bëra Berishës për Bujarin, që zbuluan vlerat e tij në fushën politike. Bujari e justifikoi vlerësimin që i patëm bërë duke dhënë një kontribut të vlefshëm për PD-në. Është e rëndësishme të shkruajmë se Bujari nuk ua ktheu krahët edhe atyre të krahut tjetër. (Shih: “Fillimi i lëvizjes demokratike Vlorë 1990 -199”,Tiranë 2011, f. 139-140)
Kështu gjatë periudhës 1997- 2011 Bujar Leskaj ishte anëtar aktiv i Partisë Demokratike, anëtar i Bordit Financiar 2001-2005, anëtar i Këshillit Kombëtar, deputet 2005-2009, Ministër i Kulturës 2005-2007, anëtar i delegacionit të NATO-s, anëtar i Komisionit të Financës. 
Por një aktivitet të vlefshëm politik dhe atdhetar ka bërë si themelues dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali” 
Nëpunësi i lartë i shtetit ose shërbestar i Shqipërisë
Puna e kryer si doganier , drejtor dogane në Vlorë dhe N/drejtor i Përgjithshëm i Doganave, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë 2000-2011, Ministër i Kulturës dhe nga viti 2012, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kudo i suksesshëm. Këto detyra të larta shtetërore e pajisën atë me një përvojë të gjithanshme të cilën e vuri në shërbim të shtetit dhe shoqërisë. 
Kush ka punuar me Bujar Leskajn, kush e ka pasur epror është habitur nga leximi shpejtë, përpunimi , analiza dhe orientimet që ai jepte mbi materialet që kishte në dispozicion. 
Botues
Botimet e tij përmblidhen në dy grupe: Botime në fushën e ekonomisë këtu fusim edhe punimin e vlefshëm për doktoraturën dhe botime në fushën e analizës historike. Ai me veprën e tij synon të vlerësojë shkrimet dhe veprat e të persekutuarve politik për t’u kuptuar më mirë dhe për t’u rivlerësuar e ridimensionuar historia, duke hequr dorë nga dalldia e historisë komuniste, që të dimë nga vijmë e ku do të shkojmë. 
Nga shkalla e rrëfimtarit ai kalon tek kultura e reflektimit një shkallë më e lartë e shoqërisë, prandaj kur lexon veprat e Bujar Leskajt e ndien veten të lirë dhe të shtohet dashuria për atdheun. Brenda një harku kohor, të shkurtër ai u dallua për një krijimtari e gjerë, pedagogjike, politike, publicistike dhe historike, me këto vepra:
Në fushën e ekonomisë:
“Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri” (2009); “Paraja dhe banka” ,( 2011) “Leksione në Financë” (2011), (2012). Artikuj në periodikë shkencorë dhe në shtypin e përditshëm, pjesëmarrje në Konferenca shkencore, ideator dhe bashkautor në botimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit si “Historiku i KLSH-së 1925-2012”, “Eurosai”, (2012), etj.
Në fushën e historisë:
“Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009”, (2009); “Brenda dhe jashtë parlamentit” (2009); “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar), ( 2011). Po kështu ai është autor i shumë shkrimeve publicistike. 
Vlerësimet dekorimet
Puna e tij, aktiviteti shoqëror, krijimtaria dhe rezultatet e arritura në administratën shtetërore janë vlerësuar e çmuar shumë si nga shoqëria civile edhe nga shteti. Përmendim “Nder i Labërisë”, nga shoqata Labëria, me dekorata të larta nga Presidenti i Republikës. Ai është vlerësuar edhe nga shtetet evropiane si nga Polonia etj, për veprimtarinë e tij dhe rritjen e bashkëpunimit midis shteteve. 
Familja
Gjyshi i Bujarit, Halit Jaho Leskaj ishte një i burgosur politik, por Bujari nuk e përdori kurrë burgun e gjyshit për përfitime shoqërore e politike, aq sa shumica e njerëzve nuk e dinë këtë fakt. Ai kishte vendosur të çante vetë e të bënte dritë në errësirën e udhës së jetës.
Ai do ta kujtojë gjithë jetën nënën, që e la në moshën 12 vjeçare, duke ideuar edhe një pikturë shumëvlerëshe të saj, e cila e bënte të ëndërronte… Farudini, babai tij ishte një qytetar i urtë e i dashur, urtësi dhe dashuri që ia injektoi edhe Bujarit, të cilin e rriti me dashuri të madhe duke plotësuar mungesën e nënës. Silvana, një vajzë plot hire, e mbi të gjitha një vlonjate që trashëgonte zakonet e mira të Labërisë u bë mbështetësja e arritjeve të Bujarit e, mbi të gjitha, ajo i fali atij katër fëmijë. Kështu që jeta e Bujarit dhe e Silvanës do të vazhdojë më tej nga fëmijët e tyre…
* * *
Do të dëshiroja më në fund, që ky artikull ta bënte Bujarin të ndihej i ripërtërirë, që të rrojë e jetojë sa më gjatë! Unë jam i lumtur dhe krenar që kam një mik si ai!
Sigal