Mjeku minoritar Tihra: Shqiptarët dhe grekët janë fqinj, të shohim para!

660
Sigal

SARANDË/Orest Triha: Të mos rrimë tek e shkuara dhe e sotmja, të shikojmë të ardhmen!

Orest Triha, një burrë që i ka kapërcyer të 60 vitet e jetës, dhe prej vitesh jeton në emigracion, në Greqi. Është një tip i qetë, fjalëpakë e vizionar, karakteristikë kjo edhe e profesionit të tij si mjek prej më se 40 vitesh. Është nga Cerkovica malore e Komunës së Dhivrit në Sarandë. Sa ka ardhur në Shqipëri dhe takimin në qytetin e Sarandës e nis me miqtë e tij, por duke e shoqëruar edhe me një dhuratë të bukur në këtë fund viti. Na dhuron librin e tij “Të gjithë kemi lindur në vitin 1990”, ku përmblidhen letra të autorit si për miq e shokë, ashtu edhe personaliteteve të larta shtetërore, si shqiptare edhe greke, artikuj, qëndrime, analiza e refleksione të vetë autorit mbi zhvillimet politike dhe situatën e sotme sociale, sidomos të 20 viteve të fundit. E pyesim se pse e ka titulluar kështu. Ai përgjigjet se është nisur me idenë e postulatit të Çurçillit “Po të qëndrojmë në të shkuarën dhe të sotmen, harrojmë të ardhmen!”. Sipas tij, këto thënie, janë aktuale dhe sot në marrëdhëniet midis dy popujve, se ata që shtrembërojnë dhe keqinterpretojnë historinë, i bëjnë dëmin më të madh popullit dhe kombit të tyre, por edhe mbarë njerëzimit. “Në këto shkrime unë i drejtohem popullit grek, se miku më i mirë nuk është Serbia, por Shqipëria. Po kështu i drejtohem edhe popullit shqiptar, se miku më i mirë nuk është Turqia, por Greqia. Po keqinterpretohet e drejta e lirisë dhe të shprehurit, ndaj dëgjojmë edhe lloj–lloj argumentesh me budallallëqe për prejardhjen dhe bashkëjetesën e dy popujve tanë. Natyrisht liria e shprehjes dhe mendimit  është rruga e demokracisë për të ardhur tek vetvetja, por jo kur abuzohet, sepse kjo dëmton rëndë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëjetesën historike të popujve tanë. Shohë shumë etiketime dhe vlerësime që qëndrojnë tek e kaluara. Nuk them që të harrohet .Kurrë sesi, jo! Por po teprohet. Në të gjitha gojët, si të njerëzve të thjeshtë edhe të politikanëve, gjen etiketimin për atë që nuk e do:ai i ka shërbyer komunizmit!Kjo kalon në një lloj fyerje të personalitetit. Kam goxha shkrime që denoncoj të kaluarën, apo kohën e socializmit, por në funksionimin e sajë si sistem,tanimë i dështuar. Enver Hoxha e komprometoi të gjithë jetën, vuri kulakun të ruante komunistin, vuri komunistin të ruante kulakun. Më thoni kush është fajtori që duhet ndëshkuar me demaskim? Ndaj shkëputja nga kjo e kaluar fatkeqe si për minoritarët edhe për shqiptarët, duhet të vijë me një shtrëngim dore midis njëri-tjetrit. Dhe kjo është dëshira ime, dëshira e vërtetë e një minoritari. Dhe unë besoj shumë tek kjo miqësi, minoritar grek-shqiptar”,- shton mjeku Triha. Më tej, flet dhe për punën që ka bërë këto vite në Greqi. “Dhe si mjek kam bërë shumë në Greqi për pacientët shqiptar, dhe këtë duhet të bëjnë edhe kolegët e mi. E dua Greqinë, por jo në dëm të Shqipërisë. Ta duam Shqipërinë si atdheun tonë, por ta duam si njerëz dhe jo si vegla të politikave të caktuara raciste dhe shovene. Ndaj dhe nuk i mbështet edhe daullet e ndryshimit të kufijve. Dhe për këto qëndrime,të shprehura në librin tim, kam marrë edhe reagime, sidomos nga miq të mi minoritar, reagime që më sjellin neveri dhe përçmim, pasi nisem me një filozofi se aty ku ka të tilla reagime, të tilla kundërveprime, aty ka shtypje përtej asaj arsyeje ligjore njerëzore. Ndaj kam bërë një retrospektivë historike të kufijve të sotëm të shteteve ballkanik, dhe dal në qëndrimin se duhet ta shohim të vërtetën e sotme  në sy  dhe të ecim përpara, pasi besoj fortë se popujt tanë më shumë gjëra i bashkojnë, se sa i ndajnë dhe njëri tjetrin. Shqiptarë e minoritarë duhet ta shohim si vëllezër, se kështu jemi. Por, siç e thashë, ende mbetemi tek e kaluara, dhe kjo ka një argument se rruga e demokracisë është e vështirë për shqiptarët, se në radhë të parë nuk ndryshon mendimi, mentaliteti, filozofia, ora ka ngecur tek Enverizmi që armiqësoi njerëzit me njëri-tjetrin… Ndaj nuk duhet besuar tek budallallëqet, por të shtrëngohet miqësia, dhe të ecim përpara, drejt BE-së, sepse në fund të fundit, historikisht kështu kanë vendosur të dy popujt tanë, të ecim bashkërisht, dhe këtë ta dëgjojnë mirë ata që hedhin gurë në rrugën e miqësisë duke shpifur e duke nxjerrë lloj-lloj pretekstesh”,-vazhdon mjeku… Biseda me mjekun e nderuar vijon në shumë fusha të jetës e zhvillimeve të sotme…