Mjekët të alarmuar: Stop recetave në rrjete sociale

217
Sigal

Edhe njëherë tjetër specialistët kanë ngritur shqetësimin se pacientët me Covid-19 nuk i drejtohen mjekut të familjes për recetën përkatëse, por i referohen recetave në rrjete sociale. Mjekja Luiza Metani, thotë se fenomeni ekziston por muajt e fundit ka më shumë ndërgjegjësim. ”Është problem si fenomen. Janë raste të rralla ato që mund të marrin një recetë se i ka marrë komshiu apo i afërmi. Nuk mendoj që tashmë janë të ndërgjegjësuar pacientët”, u shpreh ajo.

Muaji shkurt shënoi rritje të rasteve ndaj dhe në qendrën Shëndetësore nr.6 në Tiranë kishte mbi 200 pacientë me Covid-19 pozitiv që u ndoqën nga mjeku i familjes. ”Në qendrën tonë ka shumë raste sidomos muaji janar dhe shkurt dhe të gjithë pacientët janë të ndjekur nga mjekë të familjes. Të konfirmuar në muajin shkurt kanë qenë 35 pacientë që janë ndjekur nga unë. Sigurisht ka dhe pacientë të tjerë dhe si qendër shëndetësore mund të kemi pasur mbi 200 raste”, tha Metani.

Mjekët apelojnë se pacientët që dyshojnë për simptoma të covidit, duhet t’i drejtohen specialistit për vlerësim të gjëndjes shëndetësore. ”Patjetër duhet ndjekur nga mjekët e familjes sepse edhe historikun edhe problematikat që kanë duhet të konsultohen me mjekun e familjes”. Përveç këshillave të mësipërme, specialistët i bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë distancimin social dhe të përdorin maskë, për të shmangur prekjen nga infeksioni.